Ambasada e Rusisë reagoi ndaj Osmanit, nuk ka prova që kanë dashur konflikt mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Ambasada e Federatës Ruse në vend sot reagoi ndaj deklaratës së ministrit të punëve të jashtme, Bujar Osmani, të cilën ai e bëri në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë. Osmani deklaroi se Federata Ruse është një nga faktorët që kanë interes të mbajnë gjallë konfliktet në rajonin e Ballkanit, me qëllim që të mund të manifestojë më lehtë ndikim, njofton Portalb.mk.

“Nuk kam informacione të tilla të drejtpërdrejta, por që palë të treta kanë interes për t’i mbajtur gjallë konfliktet në këtë rajon, ndonjëherë edhe të ngrira, që të mund të manifestojnë më lehtë ndikim në rajonin tonë, është diçka që ka kohë që dihet dhe këtë ndikim e kemi parë në periudha të ndryshme të marrëdhënieve, jo vetëm mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, prandaj përshkallëzimi i fundit me siguri do të mirëpritet nga shumë palë të treta, të cilat do të shohin një mundësi që këtu të mbahet një konflikt permanent. A është kjo në interesin tonë? Unë nuk jam dakord”, tha ministri Osmani.

Ambasada ruse në Shkup në reagimin e sotëm thotë se për pretendimet e tilla Osmani nuk ka pasur asnjë bazë, e lëre më prova. Në njoftimin e tyre në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, ata theksojnë se Rusia gjithmonë ka vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata janë të interesuar për prosperitet dhe bashkëjetesë paqësore të të gjitha vendeve të rajonit pa përjashtim, me popujt e të cilëve Rusia ka pasur lidhje miqësore shekullore.

Në njoftimin e Ambasadës Ruse në vend, shtohet se nuk ka “absolutisht asnjë bazë” për akuzat e përhapura në disa media për gjoja “ndërhyrje” të Rusisë në punët e brendshme të RMV-së dhe marrëdhëniet e saj me vendet e tjera.

“Këtë e dinë mirë të gjithë vëzhguesit dhe ekspertët e paanshëm”, theksojnë nga Ambasada Ruse, duke u bërë thirrje “mediave në RMV” për “qasje të përgjegjshme dhe profesionale kur publikojnë lajme dhe materiale analitike për Rusinë dhe parimet e politikës së saj të jashtme”.

Sipas Ambasadës ruse në Shkup, parimet e politikës së jashtme ruse që ata i kanë deklaruar hapur janë: ndërveprimi i bazuar në barazi, respekti reciprok dhe marrja parasysh e interesave reciproke.

Një vit më parë, me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, Ambasada Ruse në Shkup ua uroi këtë përvjetor të rëndësishëm të gjithë atyre që ndajnë idealet e Goce Dellçevit, duke e emërtuar atë si simbol të luftës çlirimtare të Maqedonisë.

Paralelisht me aktivitetin diplomatik në Shkup, Ambasada Ruse në Bullgari kah fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit të vitit 2022 me një sërë aktivitetesh, pothuajse në të njëjtën kohë, shënoi 190 vjetorin e lindjes së Nikollaj Ignatiev, diplomat rus dhe një nga nënshkruajtësit e Traktatit të Shën Stefanit në vitin 1878, me të cilin parashikohej formimi i një Bullgarie të madhe në Gadishullin Ballkanik. Për këto aktivitete Ambasada Ruse në Sofje njoftoi në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button