Janë arrestuar sulmuesit e sekretarit të klubit “Car Borisi III”, Bullgaria notë proteste RMV-së

SPB Ohër për Meta.mk informoi se tre sulmuesit e 21-vjeçarit Hristijan Pendikov nga Ohri, anëtar dhe sekretar i Klubit kulturor bullgar “Car Boris III” janë arrestuar dhe pas zbardhjes së rastit do të bëhet kallëzim penal. Pendikov ndodhet në spital, ndërsa SPB Ohër thotë se shkak për rrahjen ka qenë një keqkuptim i ndërsjellë, transmeton Portalb.mk.

Sulmuesit janë nga Ohri S.K., S.K. dhe I.S.

Për ngjarjen e mbrëmshme ka reaguar ashpër eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, ndërsa ambasadorja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bullgari, Agnesa Rusi Popovska, do të thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, ku do t’i dorëzohet notë proteste si reagim nga Sofja zyrtare për sulmin ndaj sekretarit të klubit “Car Boris Treti” në Ohër, Hristijan Pendikov.

MPJ bullgare do të kërkojë nga autoritetet në Maqedoni që të marrin masa të menjëhershme dhe efektive për luftimin e urrejtjes ndaj bullgarëve, ndërsa ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolai Milkov, në një bisedë telefonike me Bujar Osmanin, u sigurua se do të marrin ndihmën e nevojshme nga autoritetet lokale.

“Me shtetasin e lënduar janë në kontakt udhëheqësi i përkohshëm i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Bullgarisë në Manastir dhe ekip i Ambasadës Bullgare në Shkup dhe janë dërguar në Ohër.
Për muaj të tërë, shteti bullgar theksoi me këmbëngulje pritjet që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të marrin masa të menjëhershme dhe efektive kundër përshkallëzimit serioz të urrejtjes dhe manifestimeve kundër bullgarëve në vend. Pala bullgare nuk ka marrë ende informacion zyrtar për hetimin dhe zbatimin e drejtësisë në lidhje me sulmet e fundit, përfshirë të shtënat me armë zjarri, kundër organizatës “Car Boris III” që nga fundi i vitit 2022. “Fatkeqësisht, sulmi i 19 janarit 2023 është një shembull i pasojave të rënda të mungesës sistematike të një reagimi dhe angazhimi adekuat nga ana e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë pamundësinë për të përmbushur detyrimin e saj kryesor – të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj”, thanë nga MPJ-ja e Bullgarisë.

Bullgaria pret që autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbulimin, vënien para drejtësisë dhe ndëshkimin e autorëve të veprës, duke marrë parasysh seriozitetin e saj.

“Presim që vendi i cili deklaron dëshirën për të qenë pjesë e Unionit bazuar në lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, të bëjë përpjekje konsekuente dhe realiste për të përmbushur angazhimet e tij në lidhje me mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht, muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë të tendencave të kundërta në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut. Ekzistenca e problemeve me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut nuk mund të vazhdojë të mohohet nga autoritetet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë. Natyrisht, kjo vetëm çon në thellimin e tyre dhe është e papajtueshme me anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, reagojnë nga Sofja.

Njëzet e një vjeçari bullgar nga Ohri, Hristijan Pendikov, sekretar i klubit bullgar “Car Boris III” në Ohër, është rrahur mbrëmë nga tre persona para një restoranti në qendër të qytetit. Lajmin e ka publikuar në Facebook eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, i cili gjithashtu ka raportuar se Pendikov është pranuar në spital.

“Dhuna, urrejtja dhe diskriminimi duhet të ndalojnë! Pres reagim të menjëhershëm nga autoritetet në të dy vendet! Kjo situatë është e patolerueshme. Klasa politike, mediat dhe komuniteti akademik kanë krijuar një atmosferë urrejtjeje dhe persekutimi ndaj bullgarëve. Institucionet evropiane, kuptohet, do të informohen”, ka shkruar Kovaçev.

Sipas Kostadin Kostadinov, president i V’zrazhdane (Rilindja), një nga partitë parlamentare më me ndikim në Bullgari, Pendikov është në spital me nofull të thyer, dhëmbë të thyer. Ai tha se do të kërkojë që ministri bullgar i Punëve të Brendshme të vijë në parlament dhe t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare, si dhe kërkoi që ambasadori i Maqedonisë të thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe të njoftohen të gjitha institucionet evropiane për “aktin terrorist”.

“Nuk mund të qëndrojmë dhe të presim vetëm momentin kur do të lexojmë lajmet për bullgar të vrarë në Maqedoni”, ka shkruar Kostadinov në Facebook.

Kujtojmë se, ky nuk është incidenti i parë me klubin bullgar në Ohër. Pikërisht dy muaj më parë klubit i është thyer xhami. Më 7 tetor, në vend të hapjes zyrtare të këtij klubi, pati protestë, ku dhjetëra qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre për hapjen e Shoqatës qytetare “Car Boris III” në Ohër. Protesta u organizua nga Partia E Majta dhe u përkrah nga VMRO-DPMNE.

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button