Klubet bullgare në Maqedoni “Car Borisi i Tretë” dhe “Ivan (Vanço) Mihailov” do të duhet t’i ndryshojnë emrat

Sipas ndryshimeve të reja në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet dhe Ligjin për partitë politike që u votuan dje në Kuvend, shoqatat dhe klubet “Ivan (Vanço) Mihailov” dhe “Car Borisi i Tretë” do të kenë afat prej tre muajsh për të ndryshuar emrat e tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar me ligj, ato do të fshihen nga Regjistri qendror, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet në Ligjin për shoqata, të cilat u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e qeverisë, i dorëzoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, pas hapjes së shoqatave dhe klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut që mbajnë emra të figurave të diskutueshme historike.

Propozimin e opozitës e përkrahën edhe deputetët e qeverisë. Pro ndryshimeve votuan 67 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Më pas, LSDM-ja në pushtet dorëzoi ndryshime në Ligjin për partitë, me tekst pothuajse identik me Ligjin për shoqata, të cilat dënojnë fashizmin. Edhe për këto ndryshime “për” votuan 67 deputetë.

Ndryshimet në ligjin për shoqatat parashikojnë që organizatat me emra të diskutueshëm të mos mund të regjistrohen në të ardhmen.

Me ndryshimet ligjore, partive politike u lihet një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, për të harmonizuar emrin, simbolet, programin, statutin dhe objektivat, me përcaktimet e këtij ligji.

Maqedonia, si vend antifashist, nuk kishte ndalime kaq rigoroze, të numëruara dhe të theksuara për përdorimin e emrave, shenjave dhe simboleve naziste dhe fashiste, derisa pas 78 vitesh çlirim nga pushtimi fashist, gjatë këtij viti bullgarët maqedonas formuan shoqata në Manastir dhe Ohër, emrat e të cilëve mbajnë emrat e Vanço Mihailovit dhe Car Borisit, bashkëpunëtorë të fashistëve dhe nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në atmosferë të tensionuar, por me thirrje për përmbajtje nga provokimet dhe incidentet nga autoritetet lokale bullgare më 30 tetor, u hap klubi kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë.

Gjatë hapjes nuk ka pasur politikanë bullgarë, ndërkaq nga RMV morën pjesë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga deputetët Rashela Mizrahi dhe Dragan Kovacki, kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev dhe sekretari i përgjithshëm i kabinetit të presidentit, Mile Bosnjakovski,

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button