Jotova u takua me përfaqësues të komunitetit bullgar në Shkup: “Nëse nuk ka ndryshim të kushtetutës, nuk do të bëjmë lëshime”

Bullgaria nuk do të bëjë lëshime për marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut. Këtë e porositi nënpresidentja bullgare Iliana Jotova, e cila dje në kthim nga Kosova ka udhëtuar në Shkup në takim me përfaqësues të komunitetit bullgar në vend, shkruan Nezavisen.mk, njofton Portalb.

Takimi ka ndodhur në ndërtesën e Ambasadës bullgare në Shkup, me ç’rast Jotova u është falënderuar bullgarëve të Maqedonisë për guximin që ta mbrojnë, siç tha, vetëdijen e tyre bullgare.

“Nëse bullgarët nuk futen në Kushtetutë, ju them – nuk do të ketë asnjë pëllëmbë përparim në negociatat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim evropian. Nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare, nuk do të ketë raport nga ana e KE-së dhe misionit të KE-së, me të cilët do të fillojnë negociatat e vërteta”, tha ajo, transmeton bnr.bg.

Jotova u përkul para basorelievit të Vasil Levskit në ndërtesën e Ambasadës bullgare në vend.

Tensionet mes dy vendeve u rikthyen në muajin nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar me Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, u sulmua fizikisht gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve duke çuar madje edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button