Radev: Në BE nuk duhet të ndërtohet identitet mbi falsifikime historike

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të inkurajohen që të ndërmarrin hapa aktivë për demokratizim të vërtetë dhe të dëshmojnë se ideologjia antibullgare që lulëzon atje i përket së kaluarës dhe nuk do të kërcënojë të ardhmen, tha presidenti bullgar Rumen Radev, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Athinë, gjatë një interviste për gazetën greke Kathimerini.

“Në Bashkimin Evropian nuk duhet të ndërtohet identitet mbi falsifikimet historike, të shtrembërohet realiteti, me qëllim që të justifikohen krimet e urrejtjes apo të mohohet e drejta e vetëidentifikimit. Unë sinqerisht besoj se tejkalimi i trashëgimisë së kaluarës totalitare është një parakusht thelbësor për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thotë Radev.

Ai konsideron se në muajt e kaluar ishte e mundur të vërehej një hap prapa në ambicien e Maqedonisë së Veriut për integrim evropian, për shkak të “një sërë krimesh të urrejtjes të kryera kundër bullgarëve lokalë”.

“Gjuajtja e klubeve kulturore bullgare në RMV dhe dhuna ndaj bullgarëve atje tregojnë një situatë që është më afër të kaluarës së errët të Ballkanit sesa një të ardhmeje evropiane. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë”, thotë presidenti bullgar.

Radev thotë se Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai është i bindur se i gjithë rajoni duhet të jetë pjesë e një Evrope të bashkuar, por duhet të plotësohen disa kushte.

“Ne ishim të parët që njohëm shtetin e ri ballkanik në vitin 1992 dhe ishim gjithmonë aty për të mbështetur Shkupin, edhe në kohët më të vështira. E përsëris, gjithmonë. Është besimi ynë i fortë se e ardhmja e rajonit i përket Bashkimit Evropian. Fillimi i negociatave të anëtarësimit kërkon njëfarë pjekurie evropiane, dhe plotësimi i një sërë kriteresh, ndër to më të rëndësishmet janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, thotë presidenti bullgar.

Në intervistën për gazetën greke Kathimerini, ai thekson se edhe Bullgaria edhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë pajtuar me propozimin e presidencës franceze të Këshillit Evropian, i cili parasheh kornizën negociuese për RMV-në. Kjo nënkupton ndryshime kushtetuese dhe barazimin e bullgarëve me bashkësitë e tjera etnike, thotë ai.

“Të gjithë presim që një vend kandidat, i cili ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Unionit dhe vlerat e tij, t’i përkushtohet garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Kjo, në vetvete, është një pjesë themelore e kritereve të Kopenhagës. Me qëllim të fillimit të negociatave të anëtarësimit, RMV u pajtua të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë bullgarët në të njëjtin nivel me popujt e tjerë që jetojnë në atë vend. Pa këtë hap nuk mund të ndodhë fillimi real i negociatave”, thotë Radev për “Kathimerinin”.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Kujtojmë që muajin që lam pas tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button