Përfundoi në Kuvend debati për shkarkimin e Bekim Saliut, por votimi do të zhvillohet në mënyër shtesë

Kuvendi mbrëmë vonë e përmbylli debatin rreth propozimit për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, në kuadër të pikës së parë të seancës së 104-të për Propozimin për rikonstruimin e Qeverisë, por, siç paralajmëroi nënkryetari i Kuvendit, Goran Misevski, do të votohet në mënyrë shtesë. Dhjetë minuta para mesnate, Misovski deklaroi se nuk ka më kushte për punë dhe e ndërpreu seancën, ndërsa vazhdimi do të caktohet në mënyrë shtesë, transmeton Portalb.mk.

Pasi deklaroi se lista e folësve për shkarkimin e Saliut është ezauruar dhe paralajmëroi votim shtesë, Misovski hapi debatin për propozimin për shkarkimin e Admirim Alitit nga ministri për shoqëri informatike dhe administratë. Aliti nuk e shfrytëzoi rastin të shprehet për propozimin për shkarkimin e tij.

Përveç Salit dhe Alitit, duhet të shkarkohet edhe Xhemail Çupi nga diaspora, të tre kuadro të Alternativës që u largua nga koalicioni qeveritar, do të zëvendësohet me stafin e Aleancës për Shqiptarët, e cila është partner i ri qeveritar.

Debati parlamentar për rindërtimin e Qeverisë ka vazhduar pas orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në ndërkohë janë shpallur disa pauza me kërkesë të koordinatorëve nga LSDM dhe VMRO-DPMNE pas akuzave të ndërsjella se kush po e bllokon punën e Kuvendit.

Debati në Kuvend ka qenë i hapur që nga fillimi i javës, kur po diskutohet pika e parë – propozimi për shkarkimin e ministrave dhe në rend dite është edhe zgjedhja e katër ministrave dhe pesë zëvendësministrave.

Në një reagim procedural për fillimin e diskutimit, i cili u ndërpre disa herë, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, sërish i hodhi poshtë pretendimet e pushtetit se opozita po e bllokon punën e Kuvendit.

Bekim Sali, për shkarkimin e të cilit u debatua katër ditë, sipas Micevskit, formalisht dhe ligjërisht ende është ministër dhe VMRO-DPMNE nuk ka faj për gjendjen shëndetësore dhe grevën e paralajmëruar për shkak të mos-pagesës së pagave.

Midis deputetëve që u paraqitën për replika ishte Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët, duke kritikuar sjelljen e opozitës për propozimin e shkarkimit të ministrave.

Debati i mbrëmshëm u karakterizua nga akuzat e deputetëve të opozitës për tradhti ekonomike, kombëtare dhe kulturore, për korrupsion, sistem të rrënuar të shëndetësisë dhe arsimit.

Sipas deputetes Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE, me dinamikën aktuale diskutimi do të zgjasë katër muaj dhe përpjekja e kryeministrit për ndryshimin e anëtarëve të Qeverisë do të jetë e pasuksesshme.

Në fillim të vazhdimit të seancës, koordinatori i Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në një reagim procedural e akuzoi Misovskin për arbitraritet dhe keqpërdorim të Rregullores së Kuvendit.

Sipas Micevskit, në mungesë të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, i cili ndodhet në një udhëtim pune në Slloveni, Misovski nuk ka pasur të drejtë që verbalisht të shpallë vazhdimin e punës së Kuvendit pas orës 18:00.

Micevski pyeti se sipas cilit nen të Rregullores Misovski e ka vazhduar punën e legjislativit dhe ka theksuar se këtë ka mundur ta bëjë vetëm me një dokument të shkruar nga Xhaferi.

Misovski vlerësoi se pretendimet e Micevskit janë të pabazuara. Ai ka shpjeguar se ka vepruar sipas nenit 71, paragrafi 2 i Rregullores së Punës, sipas të cilit “në rast të paaftësisë apo mungesës së kryetarit, zëvendëskryetari e zëvendëson atë”.

Deputeti Mitrevski nga foltorja tha se VMRO-DPMNE me sukses ka bërë koalicion me të majtën, por nuk mund të pajtohen se çfarë duhet të bëjnë dhe për këtë arsye kërkojnë një orë pushim.

Deputetët e opozitës theksuan sot se deputetët e Aleancës për Shqiptarët, e cila me rindërtimin zyrtarisht bëhet pjesë e shumicës qeverisëse, “deri dje” kritikuan qeverisjen e LSDM-së dhe i quajtën deputetët dhe funksionarët socialdemokratë “kriminelë dhe të paaftë”.

Në listën për shkarkim është edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Përveç tyre, nga Qeveria po largohen edhe dy ministra dhe dy deputetë, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet, ndaj pardje Kuvendi vetëm i ka konfirmuar. Fjala është për ministrat e Drejtësisë Nikolla Tupançeski (LSDM) dhe i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini (BDI), si dhe zëvendësministrat e Drejtësisë Agim Nuhiu (BDI) dhe i Shëndetësisë Vladimir Rendevski (LSDM).

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë të rinj të qeverisë duhet të zgjidhen:

Krenar LLoga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë;
Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë;
Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës;
Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Tiron Jajaga (Aleanca) – Zëvendësministër i Mbrojtjes;
Vjollca Berisha (Aleanca) – Zëvendësministre e Bujqësisë;
Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – Zëvendësministre e Drejtësisë;
Maja Manoleva (LSDM) – Zëvendësministre e Shëndetësisë;
Agim Nuhiu (BDI) – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button