Kovaçevski: Sulmi i hakerëve në sistemin Fondit Shëndetësor është pjesë e luftës hibride në Evropë

Sulmi i hakerëve i kryer në sistemin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në fakt është sulm me të ashtuquajturin ransomware (lloj malwari softwerik), dhe ky, siç deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, është pjesë e luftës hibride që është aktualisht duke u bërë në Evropë, përveç luftës klasike që po bëhet në Ukrainë me sulmin nga Rusia. Kovaçevski tha se ishte një sulm hakerësh si ai që kishte ndodhur më parë në Ministrinë e Bujqësisë, kur sistemi ishte riparuar për më shumë se një muaj, transmeton Portalb.mk.

“Një numër i madh i institucioneve në një numër të madh vendesh, veçanërisht anëtarët e NATO-s, u ekspozuan ndaj sulmeve të tilla. Ka pasur sulme kibernetike në Shqipëri dhe Mal të Zi. Aktualisht, ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSSh-it dhe institucioneve të tjera po punojnë me ekspertë nga Gjermania dhe vende të tjera partnere për të zgjidhur problemin e sulmit të hakerëve në Fondin e Shëndetësisë, sepse thesari dhe pagesa e burimeve financiare nuk mund të funksionojë aktualisht për të arsye të ndryshme”, tha Kovaçevski.

Ai dje ka biseduar me ministrin e Financave, Fatmir Besimi, për të gjetur një mënyrë për të paguar punonjësit e FSSh-së, të cilët për shkak të rënies së sistemit nuk kanë marrë rrogë.

“Biseduam për kryerjen e pagesës përmes thesarit qendror, e më pas shlyerjen me thesarin në FSSh. Është një operacion kompleks. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të shëndetësisë dhe shfrytëzuesve të shërbimeve të Fondit të kenë durim sepse punonjësit e Fondit punojnë 24 orë për të zgjidhur problemin në të mirë të të gjithë përdoruesve. Përmes punonjësve të FSSh-së nuk ka pasur ndërprerje të shërbimeve, kanë zgjatur orarin e punës, kanë ndryshuar procedurat që të trajtohen manualisht kërkesat e të siguruarve”, tha kryeministri Kovaçevski.

Përndryshe, ransomware është një lloj malware sftuerik i dizajnuar për t’i pamundësuar përdoruesi ose organizate aksesin te skedarët në kompjuterin e tyre.

Me enkriptimin e këtyre skedarëve dhe përmes kërkimit të “shpërblesës” për të marrë “çelës” deshifrimi, sulmuesit kibernetikë i vendosin individët/institucionet në një pozicion ku pagesa e shpërblimit është mënyra më e lehtë dhe më e lirë për të rifituar aksesin në skedarët e tyre.

Edhe pse ky softuer paraqet një kërcënim të madh për sigurinë kibernetike të të dhënave të organizatave dhe institucioneve në mbarë botën, ai funksionon mjaft thjesht – përdor funksionalitetin e integruar në sistemin operativ të kompjuterit për të hyrë dhe enkriptuar skedarët e viktimës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje tha se institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje sulmeve kibernetike.

“Fondi i Shëndetësisë po merret me një sulm hibrid, me të cilin sulmi praktikisht ka hyrë në sistemin e tyre. Departamenti ynë punon intensivisht dhe kërkojmë mbështetje nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, të gjitha për të mbrojtur sa më shumë sistemin. Kjo duhet të na tregojë një gjë që secili prej nesh duhet ta kemi të qartë, se praktikisht të gjithë ne duhet të jemi pjesë e mbrojtjes së atij sistemi dhe t’u kushtojmë më shumë vëmendje sulmeve kibernetike dhe të rrisim rezistencën e institucioneve, sepse është joreale të pritet një institucioni të mbrojë të gjitha institucionet dhe kjo nuk është detyra jonë. Secili institucion do të duhet të ketë mbrojtje adekuate në sistemin e tij”, tha Spasovski.

Sistemi FSSh është i padisponueshëm prej 9 ditësh, pra që nga 7 shkurti i këtij viti. FSSh më pas raportoi se ata kishin një problem teknik dhe mosfunksionim të një pjese të serverëve dhe se po punojnë për diagnostikimin dhe mënjanimin e problemit.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button