U nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka, do të kushtojë 1.3 miliardë euro (VIDEO)

U nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë dhe do të duhet të përfundojë deri në vitin 2027, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e qeverisë e cilësuan sot si historike sepse është projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit.

“Po nënshkruajmë një nga marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë. Po fillojmë me realizimin e një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme dhe më të mëdha në vend. Ky projekt historik nënkupton realizimin e një përcaktimi madhor strategjik. Investimet në infrastrukturën rrugore janë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, të cilave ne i kushtojmë vëmendje të veçantë sepse po zhvillojmë infrastrukturën që do të thotë zhvillim i ekonomisë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai shtoi se përmes seksioneve të këtyre korridoreve, Maqedonia e Veriut bëhet një rrugë transporti edhe më e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe më e dukshme në hartën historike botërore.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se çmimi është nën mesataren e autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit

“Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 km autostradë. Nga korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do te ndërtohet një autostrade tjetër. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, tha Grubi.

Ai u bëri thirrje gazetarëve që të bisedojnë me konsulentë apo ekspertë për këtë projekt.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi theksoi se sot po nënshkruhet një marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, marrëveshje për të ardhmen e çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Me këtë Marrëveshje do të fillojë ndërtimi në katër linja rrugore, përkatësisht: Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, autostrada Trebenisht – Strugë – Kfasan, dhe magjistrale Prilep – Manastir. Fillimi me realizimin e katër seksioneve autostradë është një moment historik, sepse është projekti më i madh infrastrukturor në vendin tonë deri më tani në sektorin rrugor, i cili do të kontribuojë në një zhvillim më të shpejtë ekonomik, lidhje më të mira me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare. sa më shpejt dhe më i sigurt udhëtimi i pjesëmarrësve në komunikacion”, tha Rustemi, në fjalën e tij.

Drejtori i Behte, Mark Alison tha se do ta realizojnë sipas standardeve më të larta.

“Është kënaqësi të jem këtu. Jam i kënaqur që do të punojmë me Qeverinë e RSM-së në këtë projekt vërtet emocionues të transportit. Lidhjet rrugore në të gjithë rajonin dhe në Maqedoninë e Veriut janë vërtet të rëndësishme. Behtel dhe Enka kanë një histori të gjatë në ofrimin e projekteve dhe projekteve veçanërisht komplekse. Ne kemi marrë përgjegjësinë për të ruajtur standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt. Mezi presim fillimin e tij. Faleminderit për mundësinë”, tha Mark Alison, drejtor i Përgjithshëm në Behtel.

“Për këtë projekt tashmë në Buxhetin e këtij viti janë parashikuar 244 milionë euro. Pres menaxhim të mirë të proceseve, kemi shumë sfida përpara në terren, por pres që të gjithë të bëjmë përpjekjet më të mira dhe të arrijmë objektivat e vendosura për infrastrukturë moderne dhe cilësore”, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski.

Në nënshkrim morën pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe Turqisë në vend, Angela Ageler dhe Hasan Mehmed Sekizkok.

Kujtojmë se dje me propozim të Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.

Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D erdhi pas katër javëve negociata të cilat janë realizuar në mes të konsulentit për transaksion financiar të Qeverisë, IRD dhe konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka.

“Ditë e madhe sot në Komitetin drejtues dhe në Qeveri ku shqyrtuam raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D si dhe miratim përmbajtjen dhe nënshkrimin e kontratës”, është shprehur Grubi.

Qeveria javë më parë miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se ishin plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat zgjatën 28 ditë.

Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 km, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve.

“Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë,  modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe Korridoret ndërkombëtare”, thanë nga Qeveria.

Kujtojmë se Prizma në analizën e saj shkroi se autoritetet hetimore në atë vend kaukazian po hapin hetim për “zhvillimin dhe zbatimin e projektit të korridorit rrugor veri-jug në periudhën 2009-2018″.

Zëdhënësja e Prokurorisë Armene, Lousin Martirosyan, tha për BIRN se më 6 dhjetor 2018, “bazuar në provat e mjaftueshme të marra në çështjen penale”, Dimitrijeviq, në rolin e “udhëheqësit të ekipit të ndërmarrjes së përbashkët franceze “Savage-Eptisa“, akuzohet me nenin 178 paragrafi 3 pika 1 të Kodit Penal.

Ky nen i Kodit Penal armen, i cituar nga prokuroria, i referohet “mashtrimit të kryer në shkallë të gjerë“. Asokohe ndaj Dimitrijeviqit kishte një masë parandaluese se nuk lejohej të largohej nga vendi.

Por muaj më vonë ai vendos të mos respektojë vendimin e autoriteteve shtetërore. Në shtator të vitit 2019, ai u largua nga vendi me ndihmën e diplomatëve maqedonas dhe tre personave të tjerë dhe që nga ajo kohë rezulton i zhdukur. Armenia është në kërkim të tij për mashtrim dhe në mungesë të tij është urdhëruar masa e paraburgimit.

Në Maqedoni, nga ana tjetër, kompania në të cilën Dimitrijeviq është një nga pronarët është “Euro consulting” DOO, si dhe kompania për të cilën ka punuar në Armeni, “Eptisa” spanjolle, janë pjesë e konsorciumit të kompanive që fitoi tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10, që do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button