LSDM dhe BDI kërkojnë seancë të jashëzakonshme në Qytetin e Shkupit, propozojnë ndihmë për familjet e viktimave të aksidentit

Qyteti i Shkupit do të ndajë dy milionë denarë për familjet e të vdekurve në Shkup në aksidentin e autobusit që ndodhi dy ditë më parë në Bullgarinë fqinje, transmeton 360 Shkallë.

LSDM dhe BDI, të cilat pas zgjedhjeve lokale iu bashkuan opozitës në Qytetin e Shkupit, dolën me kërkesë që vendimi për ndihmën financiare të merret në seancë të jashtëzakonshme dhe eventualisht të rritet shuma e planifikuar.

“Me propozim të kryetares Danela Arsovska, Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e radhës do të vendoset për dhënien e ndihmës financiare në shenjë solidariteti me familjet dhe respekt për viktimat.” thanë nga Qyteti i Shkupit.

Koordinatorja e grupit të këshilltarëve të LSDM-së, Ljubica Jançeva, tha se nuk duhet të presin seancën e ardhshme por të kenë një të jashtëzakonshme, për të cilën është dorëzuar iniciativë.

“Grupi i këshilltarëve të i LSDM-së, BDI-së dhe koalicionit në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot kanë dorëzuar kërkesë për thirrjen e seancës urgjente të këshillit. E vetmja pikë e rendit të ditës në këtë seancë do të ishte ndihma për familjet e bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në aksidentin e tmerrshëm të autobusit në Bullgari. E mirëpresim propozimin për të siguruar dy milionë denarë për t’i ndihmuar familjet e viktimave, sigurisht që duhet parë mundësia që kjo shumë të rritet edhe më tej. Mirëpo, nuk duhet pritur seancën e rregullt të Këshillit, por mund të sigurohet seancë e jashtëzakonshme për të cilën sot si grup këshilltarësh paraqesim iniciativë. Shkupi është qytet i solidaritetit, qytet që i jep dorën kujtdo që ka nevojë për ndihmë. Kështu është edhe tani, pa i ndarë njerëzit sipas fesë dhe përkatësisë etnike.” tha Jançeva.

Ajo pret që iniciativa të pranohet dhe seanca të mbahet sa më parë në mënyrë që ndihma e familjeve të prekura të arrijë sa më shpejt.

Tre ditë pas aksidentit të autobusit të RMV-së në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore, autoritetet bullgare thanë se në autobusin e aksidentuar kanë gjetur 45 trupa të pajetë, ndërkaq 7 persona janë lënduar. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button