Kompania “Besa Trans-Shkup” publikoi komunikatë në lidhje me aksidentin në Bullgari

Kompania “Besa Trans Shkup”, autobusi i të cilës u aksidentua në Bullgari dhe ku humbën jetën 45 persona, ka publikuar një komunikatë ku thotë se janë në kontakt me autoritetet.

“Kjo është një tragjedi dhe ditë shumë e rëndë, me dhembje e pikëllim për gjithë popullin pasagjerët tanë dhe stafin e agjencionit “Besa Trans në Shkup”. Kompania është në bashkëpunim me organet kompetente te R. Bullgarisë dhe R e Maqedonisë së Veriut me qellim që të zbulohen hetimet sa me shpejtë. Zoti qofte me Ju dhe familjet e viktimave, për të lënduarit shërim sa më të shpejtë kurse viktimat t’i shpërblej me parajsë. Qofshim nën mbrojte te Zotit, Për çdo informatë në lidhje me rastin: 075 273 732”, thuhet në komunikatë.

Paraprakisht, redaksia e Portalb.mk, ka arritur që të kontaktojë me përfaqësues të kompanisë “Besa Trans – Shkup”, për të pyetur rreth aksidentit tragjik të autobusit të tyre në Bullgari. Kompania nuk ka koment për aksidentit dhe thotë se është ngjarje tragjike.

“A keni familjarë?”, na pyetën nga kompania.

Pasi gazetari i Portalb.mk, u tregoi se po pyesin për ndonjë koment nga kompania në lidhje me aksidentin tragjik, ata thanë që të informohemi nga institucionet shtetërore.

“Nuk kemi komente, është tragjedi për të gjithë shqiptarët. Ju lutem informohuni nga institucionet shtetërore”, thanë shkurt nga kompania dhe na mbyllën telefonin”, thanë nga “Besa Trans – Shkup”.

Përndryshe, paraprakisht mediat kanë shpërndarë informata në lidhje me atë se kush është pronar i kompanisë, autobusi i të cilës është aksidentuar. Në fakt, mediat kanë ngatërruar emrin e pronarit, gjegjësisht kompanisë.

“Bëhet fjalë për autobusin e kompanisë “Besa Trans – Shkup” që përmban linjën për në Stamboll të Turqisë.  Ne “Besa Trans” Tetovë dhe unë Azdren Ziberi demantojmë lajmet që u plasuan në disa portale në rrjete sociale dhe jemi të involvuar në aksidentin ku humbën jetën 46 qytetarë në Bullgari. Kompania pronë e së cilës është autobusi i aksidentuar nuk ka të bëjë me ne, por është kompani krejtësisht tjetër me seli në Shkup. Kompania jonë “Besa Trans Dooel” Tetovë që tashmë 30 vite përmban linje të rregullt TETOVË – KOPENHAGEN (Danimarkë) çdo të mërkurë dhe të shtunë. Kompania jonë shpreh ngushëllime familjarëve që humbën të afërmit e tyre”, thuhet në reagimin e “Besa Trans Dooel – Tetovë”.

Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në Bullgarinë perëndimore, pranë fshatit Bosnek, në jugperëndim të Sofjes, në autostradën “Struma”. Autobusi mbante targat e Maqedonisë së Veriut.

Autobusi është i kompanisë Besa Trans – Shkup” e regjistruar në fshatin Rashçe, komuna e Sarajit.

Për detaje tjera, lexo: Tragjedi në Bullgari, 45 udhëtarë të vdekur në aksidentin e autobusit me targa të Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button