15 drejtorë janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje për një vit e gjysmë mandat të Arsovskës
Kryetarja Danela Arsovska ka ndërruar 15 drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike për një vit e gjysmë të mandatit të saj. Arsovska ka shkarkuar 7 drejtorë të cilët i ka emëruar në pozitë, ndërsa 8 kanë dhënë vetë dorëheqje. Dy drejtorë i transferoi nga një kompani publike në tjetrën, transmeton Portalb.mk.
Arsovska u bë kryetare e Shkupit pas zgjedhjeve lokale në vitin 2021 si kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe e mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët e mundi kryetarin e atëhershëm të Shkupit Petre Shilegov nga LSDM. Arsovska e mori detyrën më 8 nëntor dhe për një kohë të shkurtër, siç është praktikë me të gjithë kryetarët paraprak, ajo zëvendësoi të gjithë drejtorët e emëruar nga Shilegovi dhe emëroi personel të ri, kryesisht të VMRO-DPMNE-së, ndërsa një drejtori iu dha Aleancës për Shqiptarët.
Praktika e ndërrimeve në pozitat e larta ka filluar në Ndërmarrjen Publike “Parkingu i qytetit”, ku vetëm dhjetë ditë pasi e emëroi u.d drejtor Filip Pashun, e ndërroi dhe e zëvendësoi me Bojan Hristovskin nga VMRO-DPMNE.
Drejtori i NTP “Shkup” Ivan Ilievski për herë të parë dha dorëheqje nga pozita e tij në maj të vitit të kaluar, vetëm 5 muaj pas marrjes së detyrës. Arsovska më pas emëroi Aleksandër Stojkovskin në vend të tij.
Kryetarja e Qytetit në fillim të korrikut shkarkoi drejtorin e NP “Higjiena Komunale” Zudi Enuzi, pas incidentit në sheshin Skënderbeu, kur kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski akuzoi se një person i armatosur ka dashur ta vrasë gjatë protestës kundër propozimit francez, ndërsa bëhet fjalë për Zufi Kokën, vëllain e drejtorit Enuz Koka. Pas kësaj, Aleanca për Shqiptarët ndërpreu bashkëpunimin me Arsovskën. Drejtoreshë e re e “Higjiena Komunale” është emëruar Kosana Mazneva, e cila është ende në këtë pozitë.
Dy javë më vonë, Arsovska e shkarkoi edhe drejtorin e Kopshtit Zoologjik, Hristijan Stamenov, sepse vrau 12 kuaj dhe një mushkë në kopsht. Arsovska për një muaj kërkonte zëvendësues për Stamenovin, pas së cilës për u.d drejtor u emërua Dragan Ilievski.
Në shtator të vitit të kaluar, sherri zyrtar mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së filloi me shkarkimin e Zlatko Perinskit nga pozita e drejtorit në “Ujësjellësi dhe kanalizime”. Arsovska tha se e ka kapur Perinskin me “duar në mjaltë”, gjegjësisht se ka dashur të trukojë tenderin për pastrimin e ujërave të zeza, ndërsa VMRO-DPMNE është përgjigjur se ajo ka dashur ta manipulojë tenderin në favor të kompanisë turke. Në vendin e Perinskit për u.d drejtor u emërua Marjançe Mitovski.
Disa ditë më vonë pasuan dorëheqjet e drejtorëve të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht të drejtorëve të NP “Parkingu i qytetit” Bojan Hristovski, të “Drislës” Jane Micevski, të “Rrugëve dhe rrugicave” Boris Nastov, të “Parqeve dhe Gjelbërimit” Angele Sotirovski, i “Lajka” Voislav Dimitrovski dhe NTP “Tours” Filip Vasilevski. Të gjithë thanë se Arsovska nuk ka komunikuar fare me ta dhe nuk është e interesuar për qytetin.
Pas dorëheqjeve grupore, Arsovska në NP “Lajka” për u.d drejtoreshë emëroi aktivisten për mbrojtjen e kafshëve Radmila Pesheva, në “Parkingun e qytetit” Kërste Petrevski nga GROM, ndërsa në “Drisla” Aleksandar Kuzinakov. Me ndryshimet e reja, pozitat e drejtorëve i janë dhënë kuadrove të BDI-së, edhe atë në “Rrugë dhe rrugica” për u.d drejtori Said Saidi dhe në “Parqe dhe gjelbërim” është emëruar Zuhejr Rexhepi.
Arsovska edhe në janar të këtij viti emëroi drejtor të ri të “Ujësjellësit”, i cili është i treti brenda një viti. Mitovski u shkarkua dhe në vend të tij erdhi drejtori i Kopshtit Zoologjik Dragan Ilievski. Edhe kompshi Zoologjik ka drejtor të tretë, gjegjësisht Zoran Popov, i cili erdhi në kopsht si pjesë e ekipit të Ilievskit.
Në të njëjtën ditë, kryetarja shkarkoi drejtorin e Qendrës Kulturore Rinore (QKR) Vanço Bogoev dhe në vend të tij emëroi Nikolla Aleksov.
20 ditë më parë, NTP “Shkup” ka edhe drejtorn e tretë. Arsovska nuk ia vazhdoi kontratën Aleksandar Stojkovskit dhe në vend të tij emëroi drejtorin e “Parkingut të qytetit” Kërste Petrevski. Me kalimin e tij në ndërmarrjen e komunikacionit, “Parkingu i qytetit” emëroi drejtorin e katërt, Mihail Petrovski.
Arsovska për herë të parë në muajin prill ka dhënë kontrata menaxheriale prej 4 vitesh për stafin e BDI-së Said dhe Rexhepi. Por vetëm dy javë pas marrjes së kontratës së menaxhimit, drejtori i “Parqeve dhe gjelbërimit” dha dorëheqjen më 30 prill.
Me gjithë këto shkarkime dhe dorëheqje, nga fillimi i mandatit të Arsovskës deri më tani nuk ka mbetur asnjë drejtor në detyrë.
- LEXO: Drejtori i NP “Parqet dhe Gjelbërimi” – Shkup ka dhënë dorëheqje
- LEXO: Përsëri ndryshime të drejtorëve në NP Shkup dhe Parkingu i qytetit
- LEXO: Pas dorëheqjes së Bujare Abazit, Arsovska e emëroi nënkryetar të Shkupit Aleksandar Trajanovskin
- LEXO: Dy drejtorët e BDI-së, shkaku i prishjes së ASH-së me Danella Arsovskën
- LEXO: Qyteti i Shkupit i emëroi drejtorët e rinj në ndërmarrjet publike
- LEXO: Edhe drejtori i “Parqeve” dha dorëheqje, kane mbetur vetëm drejtorët e NTP-së dhe “Higjienës Komunale”