Shoqata e Kampistëve i bëri thirrje Qeverisë të ndërmerr masa në lidhje me Liqenin e Treskës, ata akuzuan se po plaçkiten kampet e tyre

Shoqata e Kampistëve të Liqenit të Treskës nuk heq dorë nga beteja e saj në lidhje me kampet, të cilët javën e kaluar ka filluar t’i largojë Komuna e Sarajit. Ata sot nëpërmjet një konference për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ndërmerr masa dhe të ndërpritet largimi i kampeve dhe kanë propozuar që të negociohet për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët, shkruan Portalb.mk.

Kampistët po ashtu, kanë akuzuar se persona të paregjistruar po kryejnë vandalizëm dhe plaçkitje në hapësirën pranë Liqenit të Treskës ku janë të vendosura kampet.

“Jemi mbledhur me një qëllim t’u bëjmë thirrje institucioneve të ndërmarrin masa më rigoroze që të ndërpritet ky vandalizëm, po grabitet dhe shkatërrohet prona e qytetarëve të Qytetit të Shkupit dhe prona e kampistëve. Do të thotë një vandalizëm i paparë, brenda natës, brenda ditës nuk dihet kush punon, kush vjedhë. Persona të paregjistruar. Shfrytëzoj rastin që të bëjë kërkesë që të thirret drejtori i ndërmarrjes publike dhe t’i merren kompetencat. Ajo është ideja jonë dhe të bëhet monitoring 24 orë, sepse kjo pronë është e qytetarëve dhe i kampistëve. Po vjedhjet ditë e natë, nxirren kampet dhe plaçkiten”, deklaroi Aco Ginovski, kryetar i Shoqatës së Kampistëve.

Ata propozojnë që ndërtimet të planifikuara sipas planit të ri urbanistik të Komunës së Sarajit, i cili ende nuk është publikuar, të bëhen në pjesën tjetër të liqenit, ndërsa pjesa e kampeve të mos preket.

“I propozojmë NPK dhe Komunës së Sarajit që njoftimin për heqjen e kampeve në afat prej 60 ditë ta ndërpresë urgjentisht, përderisa nuk arrihet marrëveshje me Qeverinë. Më tej propozojmë që, nëse ka investitor në këtë hapësirë që të ndërtojnë objekte, hotele, restorante, kazino siç kanë thënë, ka hapësirë në anën e djathtë të liqenit  mijëra metra katrorë. Nëse është ajo pak, propozojmë që të rrethohet kjo rrugë, kampet të mos kenë kontakt me liqenin dhe këtu ka edhe mijëra katrorë hapësirë nëse janë të interesuar të ndërtojnë. Lusim që Qeveria urgjentisht ta pranojë në bisedë Shoqatën e Kampistëve dhe  të gjejmë zgjidhje, sepse ato thirren në një plan të komunës që është lokal. Ky vend nuk ka rëndësi lokale, dhjetë komuna janë në Qytetin e Shkupit, nuk është vetëm Komuna e Sarajit. Për këtë, Qeveria duhet urgjentisht të ndërmerr qëndrim, të na fton neve dhe të vijmë në marrëveshje përfundimtare”, deklaruan nga kjo shoqatë.

Sipas tyre, interesimi për të shpëtuar kampet dhe hapësirën që qytetarët e kanë shfrytëzuar deri më tani për relaksim, duhet të jetë i përbashkët i të gjithë komunave të Qytetit të Shkupit.

“Ne kemi dorëzuar kërkesa në Qeveri, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera. Akoma është heshtje. Kjo është problem global. Këtu kemi kërcënime, vandalizëm, thyerje dhe plaçkitje të kampeve. Objektet janë të qytetarëve të Qytetit të Shkupit. Kampet janë të kampistëve. Siç tha Shilegov, kjo është kompetencë e të gjitha dhjetë komunave të Qytetit të Shkupit. Të gjithë duhet të ndërmarrin masa. Interesimi duhet të jetë i përbashkët, të ulemi bashkërisht dhe të gjejmë zgjidhje të përhershme, sepse nuk ka dalje, ku të shkojmë. Do të mundohemi t’i qëndrojmë rezistencës së tyre, sepse njoftimi i drejtorit të Ndërmarrjes Komunale Publike nuk është vendim ekzekutiv. Ai njoftimin e zbaton si vendim, pa udhëzim juridik”, shtuan nga kjo shoqatë.

Kujtojmë se, Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve në Liqenin e TreskësMe mekanizim ndërtimor largohen shtëpizat, kafenetë, restorantet, pishinat, tualetet tani më të shkatërruar, të cilat para dyzetë viteve ishin ndërtuar me vetë-kontribut të qytetarëve.

Me rrënimin e infrastrukturës, Komuna e Sarajit fillon me procedurën e realizimit të Planit detajuar urbanistik (PDU), përkatësisht me ndërtim të komplekseve hotelerike dhe vikend lagjes. Para vitit të ri, komuna u caktoi afat pronarëve të kampeve që të zhvendoseshin nga liqeni. Por këta të fundit u shprehën të vendosur që të mos largohen prej aty, gjë që e kërkon Komuna e Sarajit, me arsyetimin se vendi do të revitalizohet. Megjithatë, atë e shohin këtë si tentim që komuna ta uzurpojë këtë vend turistik. Ata u kanë bërë thirrje shoqatave qytetare, organizatave joqeveritare, avokatëve që t’i mbështesin në këtë luftë.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ishte shprehur i vendosur në realizimin deri në fund të vendimit të tij. Ai deklaroi për mediat se janë të njoftuar që t’i largojnë kampet, pasi komuna Saraj dhe Këshilli i Komunës kanë plan urbanistik që ndodhet në kadastër.

Bexheti atëherë paralajmëroi që do të mbajë pres konferencë tematike në të cilën, publikut do t’i prezantojë se çfarë parashihet me Planin e ri të detajuar urbanistik, i cili do të ndërtohet në liqenin Treska, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur.

Komuna e Sarajit kishte kërkuar nga Qeveria që të shpallë liqenin e Treskës për zonë të lirë turistike dhe të largohen kampet e vendosura rreth liqenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button