Stojanovski: ‘Offline’ apo ‘online’ qofshin, thirrjet për dhunë dhe gjuhë të urrejtjes janë vepra penale

Është e qartë se nëse ka shkelje të ligjit, masat duhet të zbatohen si në internet ashtu edhe jashtë tij. Nëse dikush shkel ligjin në internet, ai duhet të trajtohet sikur të ketë ndodhur jashtë ‘offline’. Edhe kompanitë që administrojnë rrjetet sociale janë gjithashtu të vetëdijshme për këtë dhe për këtë arsye marrin një sërë masash për të mbrojtur veten nga pasojat, gjegjësisht për të mbrojtur veten nga të deklaruarit të fajshëm për përmbajtjet me të cilat përhapet gjuhë urrejtjeje, thirrje për dhunë, shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të autorit, tha Filip Stojanovski, drejtor për partneritete dhe zhvillimin e burimeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis,në emisionin “Brifingu i mëngjesit” në “Slobodna TV”, njofton Portalb.mk.

Stojanovski kujtoi se të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale, përpara kyçjes në ndonjë prej tyre, duhet të klikojnë “Pajtohem”(I agree), pa dallim nëse i kanë lexuar ose jo rregullat e përdorimit dhe sjelljes, dhe me të kanë nënshkruar marrëveshje ligjore të vlefshme me kompaninë që është pronare e rrjetit social , gjegjësisht kanë rënë dakord për rregullat. Kjo, nga ana tjetër, mund të nënkuptojë dhënien e të drejtës platformës që të heqë përmbajtje dhe komente që bëjnë thirrje ose përmbajnë krim dhe dezinformata, të tilla si gjuha e urrejtjes, nxitja e dhunës, shkelje e të drejtave, siç ka qenë rasti me ish-presidentin e ShBA-së , Donald Trump.

Nga ana tjetër, rrjetet sociale janë të detyruara të respektojnë normat ligjore dhe janë shumë të vetëdijshëm për këtë. Një shembull i mirë i kësaj është harmonizimi i rregullave të përdorimit me legjislacionin e BE-së, të cilat kompanitë që drejtojnë rrjete të mëdha sociale, të tilla si Facebook-u, Google-i, Twitter-i, duhet t’i respektojnë nëse duan të punojnë në BE, edhe pse bëhet fjalë për legjislacion të ndryshëm nga vendi i tyre, në këtë rast Shtetet e Bashkuara. Platformat më të rëndësishme të rrjeteve sociale janë bashkuar edhe në Kodin e BE-së për të kundërshtuar gjuhën e paligjshme të urrejtjes në Internet(The EU Code of conduct on countering illegal hate speech online) dhe madje zbatojnë të njëjtat rregulla, gjegjësisht fshijnë përmbajtjen dhe koment edhe në vendet për të cilat ato rregullore nuk zbatohen, të tilla si Australia, tha Stojanovski.

Ai kujtoi se një numër i madh faqesh në internet në vendin tonë disa vjet më parë përjashtuan mundësinë e komentimit në periudhën pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg në çështjen “Delfi kundër Estonisë” gjykoi se platformat në internet janë përgjegjëse për përmbajtjen e komenteve që përmbajnë gjuhë urrejtje si antisemitizmi.

“Disa vite më parë kishte një situatë kur më shumë ueb-sajte mediash mbyllnin komentet, nuk e di nëse u frikësuan se do të paditeshin për komentet …Por në sistemin gjyqësor evropian ekziston bazë që të kërkohet përgjegjësi nga platformat . Prandaj, një pjesë e madhe e platformave që të jenë në përputhje me kornizën ligjore të vendeve ku ata punojnë, e që nuk janë të njëjta me vendin e tyre, në këtë rast me Shtetet e Bashkuara, kanë futur rregulla që përmbajnë mekanizma mbrojtjës ligjor sipas vendeve përkatëse. Në mënyrë të tillë, ato ofrojnë mundësi për përdoruesit që të denoncojnë veprat e caktuara kriminale, gjuhën e urrejtjes, kërcënimet, format e ngacmimit, shkeljen e të drejtës së autorit dhe platformat i heqin ato sipas mekanizmit të tyre. Ata zakonisht nuk e thonë publikisht, por mund të shihet se duan të mbrojnë veten, jo të rrezikojnë veten e tyre për të qenë bashkëpunëtorë të krimit. Për shembull, ndalojnë shkeljen e të drejtës së autorit, le të themi me publikimin e videove, kështu që heqin përmbajtje nëse marrin raport, nëse ata vetë vërtetojnë shkelje të rregullave, ndërsa shohim edhe në shumë raste që hiqen përmbajtje edhe përmes algoritmeve të caktuara”, shpjegoi Filip Stojanovski,  drejtor për partneritete dhe zhvillimin e burimeve në Fondacionin “Metamorfozis”, në paraqitjen e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button