VIDEO LAJM: Kaos urbanistik në Liqenin e Treskës

Liqeni i Treskës ditëve të fundit është përfshirë nga një kaos urbanistik. Pas vendimit të Komunës së Sarajit për të rrënuar kampet dhe objektet që për vite të tëra kanë qëndruar pranë këtij liqeni, dhe të cilat qytetarët i kanë shfrytëzuar për relaksim, tani ky vend i ngjan një kaosi të vërtetë. Kjo gjë shihet në videot që ka siguruar Portalb.mk.

Banorët kanë shfrytëzuar momentin, që pas nisjes së punimeve për rrënime nga ana e komunës, të prenë drunjtë që ndodhen aty për nevoja personale, prerja e të cilave mund të shihet edhe në videon më poshtë.

Përpos kësaj, kamionët e komunës mbeturinat që i mbledhin nga punimet i hedhin buzë liqenit.

Kujtojmë se, Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve në Liqenin e Treskës. Me mekanizim ndërtimor largohen shtëpizat, kafenetë, restorantet, pishinat, tualetet tani më të shkatërruar, të cilat para dyzetë viteve ishin ndërtuar me vetë-kontribut të qytetarëve.

Me rrënimin e infrastrukturës, Komuna e Sarajit fillon me procedurën e realizimit të Planit detajuar urbanistik (PDU), përkatësisht me ndërtim të komplekseve hotelerike dhe vikend lagjes. Para vitit të ri, komuna u caktoi afat pronarëve të kampeve që të zhvendoseshin nga liqeni. Por këta të fundit u shprehën të vendosur që të mos largohen prej aty, gjë që e kërkon Komuna e Sarajit, me arsyetimin se vendi do të revitalizohet. Megjithatë, atë e shohin këtë si tentim që komuna ta uzurpojë këtë vend turistik. Ata u kanë bërë thirrje shoqatave qytetare, organizatave joqeveritare, avokatëve që t’i mbështesin në këtë luftë.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ishte shprehur i vendosur në realizimin deri në fund të vendimit të tij. Ai deklaroi për mediat se janë të njoftuar që t’i largojnë kampet, pasi komuna Saraj dhe Këshilli i Komunës kanë plan urbanistik që ndodhet në kadastër.

Bexheti atëherë paralajmëroi që do të mbajë pres konferencë tematike në të cilën, publikut do t’i prezantojë se çfarë parashihet me Planin e ri të detajuar urbanistik, i cili do të ndërtohet në liqenin Treska, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur.

Komuna e Sarajit kishte kërkuar nga Qeveria që të shpallë liqenin e Treskës për zonë të lirë turistike dhe të largohen kampet e vendosura rreth liqenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button