Sistemet e FSSH-së dy javë jashtë funksionit nga sulmet kibernetike, drejtoresha: Janë rikthyer në kohë rekord

Janë kthyer sistemet në kohë rekorde, pasi që në shumë vende më të zhvilluara mesatarisht u janë dashur mbi 20 ditë që t’i kthejnë funksionalitetet edhe për atë vlerësoj se nuk është punë e vogël dhe për atë e theksoj. Kështu sot deklaroi drejtoresha e Fondit të Sigurimit Shëndetësore (FSSH), Magdalena Filipovska Grashkovska drejtoreshë në konferencën për shtyp në të cilën foli për atë se si institucioni ka reaguar ndaj sulmeve kibernetike që i nxorën jashtë funksionit sistemet e FSSH-së për 2 javë dhe rrjedhimisht me këtë bllokoi pagesën e rrogave të punëtorëve shëndetësorë, por edhe të pushimeve mjekësore dhe të lehonisë dhe refundimeve të tjera, njofton Portalb.mk.

Filipovska Grashkovska tha se më 6 shkurt është vërejtur problem teknik për shkak të të cilit janë shkyçur të gjitha sistemet dhe është thirrur sistemi për diagnostikim fillestar.

“Incidenti është paraqitur fillimisht në MPB, ndërkaq opinioni menjëherë është njoftuar se kemi problem të cilin tentojmë ta diagnostikojmë. Menjëherë sapo është konstatuar nga ekspertët TI se bëhet fjalë për sulm kibernetik, opinioni është njoftuar, ndërkaq të gjitha kapacitetet e disponueshme TI janë angazhuar me qëllim që të rikthehet sistemi në funksion. Kemi pasur mbështetje të madhe nga shtetet partnere të Evropës, kanë punuar ditë-natë ekspertët dhe këtë sfidë e kaluam me sukses”, tha Filipovska Grashkovska, duke përsëritur disa herë se i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.

Drejtoresha e FSSH-së disa herë përsëriti se të dhënat e qytetarëve nuk kanë rënë në duart e hakerëve dhe janë të sigurta.

“Sipas të gjitha analizave të ekspertëve TI nuk ka rrjedhje të të dhënave të qytetarëve. Qytetarët të jenë të qetë, të dhënat nuk janë vjedhur – ato janë spekulime. Të dhënat janë të sigurta dhe të mbrojtura”, tha drejtoresha, duke dhënë shpjegime shtesë se ato nuk mund të shihen me sy të lirë, por me aplikacion special.

Libreza shëndetësore, sigurim shëndetësor, receta shendetesore
Foto nga Portalb.mk/Suad Bajrami

Drejtoresha nuk dha detaje tjera në lidhje me atë se kush qëndron prapa sulmeve, por edhe sa do t’i kushtojë FSSH-së riparimi i pasojave nga këto sulme, pasi që siç tha ajo, po kryhet hetim i përgjithshëm.

“Për momentin vijon hetimi për të gjitha detajet dhe kur e njëjta të mbarojë do të mundësohet që të shpërndahen më shumë informata. Dua të përsëris, të dhënat shëndetësore dhe personale janë të sigurta dhe qytetarët pa pengesë mund t’i realizojnë të gjitha të drejtat e tyre”, shtoi drejtoresha, duke përsëritur se hetimi do të tregojë nëse ka ndonjë përgjegjës.

Gazetarët e pyetën drejtoreshën se ku është udhëheqësi i Sektorit për TI në Fondin për Sigurim Shëndetësor, ajo përgjigj se ndodhet në pushim mjekësor prej para disa ditësh pasi që i është përkeqësuar gjendja shëndetësore si pasojë e stresit të përjetuar me ndodhitë e fundit në FSSH.

Pyetjes së gazetarëve se a ndjen ajo personalisht përgjegjësi morale, Filipovska Grashkovska iu përgjigj se ajo është e përkushtuar prej kur ka ardhur në pozitën e drejtorit dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat në lidhje me sulmet kibernetike.

Ndryshe, qytetarët janë përballur me probleme të përditshme pasi që për dy javë sistemet e Fondit të Sigurimit Shëndetësor kanë qenë jashtë funksionit. Ata nuk kanë mundur t’i realizojnë të drejtat e tyre për pushim mjekësor, të lehonisë dhe refundime të tjera. Nga ana tjetër, edhe mjekët, infermieret dhe punonjësit teknik mjekësor kanë mbetur pa rroga, pasi që paguhen nëpërmjet FSSH-së. Për këtë, në disa spitale janë mbajtur edhe protesta paralajmëruese për lëshimin e rrogave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sulmet kibernetike ndaj FSSH-së i ka quajtur terroriste, ndërkaq kryeministri Dimitar Kovaçevski luftë hibride.

Pas sulmeve kibernetike, Qeveria në seancën e saj të 21 shkurtit, miratoi disa masa që kanë të bëjnë në lidhje me rritjen e rezistencës dhe mbrojtjes së institucioneve nga sulmet kibernetike

Qeveria i ngarkoi organet e administratës shtetërore dhe i udhëzoi institucionet që nuk janë organe të administratës shtetërore, që të caktojnë një person përgjegjës për sigurinë e informacionit në organizatat e tyre me qëllim të raportimit në kohë të incidenteve dhe shkëmbimit të informacioneve për incidentet. kërcënimeve dhe rreziqeve që lidhen me sigurinë e sistemeve të informacionit në Qendrën Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike MKD-CIRT.

Gjithashtu, Qeveria obligoi institucionet e administratës shtetërore të kryejnë trajnimin e punonjësve për sigurinë kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button