Mbi 80 mijë persona nga vendi u kyçën në programet e punësimit përmes “Garanci për të rinjtë”

Maqedonia e Veriut është lider në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në zbatimin e kornizës së politikës “Garancia për të rinjtë”, e cila u mundëson të rinjve deri në 29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar t’i bashkohen një prej programeve aktive të punësimit. Kjo u theksua në konferencën kushtuar garancive për të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila u mbajt sot në organizimin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), transmeton Portalb.mk.

Në konferencë përfaqësuesve të institucioneve kompetente shtetërore nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi iu prezantua përvoja e Maqedonisë në zbatimin e “Garancisë për të rinjtë”.

“Garancia për të rinjtë” nga viti 2014 është korniza kryesore e politikave në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për punësimin e të rinjve.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë jashtë BE-së që e zbaton me sukses këtë projekt që nga viti 2018, theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

“Që nga prezantimi e deri më sot, mbi 80 mijë të rinj i janë bashkuar Garancisë për të rinjt. Pothuajse 40 për qind e pjesëmarrësve të projektit morën ofertë për punësim, arsimim dhe trajnim të vazhdueshëm dhe u përfshinë në një praktikë, e cila konsiderohet si rezultat pozitiv. Qasja për trajtimin e papunësisë së të rinjve në tregun e punës ka treguar një përmirësim të qartë të situatës me punësimin e të rinjve në vendin tonë”, tha Trençevska.

Ambasadori i BE-së në vend, David Geer, tha se Garancia ndihmon të rinjtë të fitojnë aftësi të nevojshme në tregun e punës, duke ulur kështu papunësinë.

“Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë jashtë BE-së që filloi zbatimin e “Garancisë për të rinjtë” në vitin 2018. Është mirë të shihet se të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor e kanë pranuar tashmë iniciativën dhe kanë filluar të punojnë për zhvillimin e skemave të garancisë rinore në vendet e tyre”, tha ambasadori Gir.

Në konferencë u prezantuan përvojat e disa vendeve anëtare të BE-së në lidhje me mënyrën se si funksionojnë sistemet e tyre për përfshirjen dhe mbështetjen e të rinjve të cilët janë të papunë ose joaktivë për shkak të pozicionit të tyre të pafavorshëm në tregun e punës.

Vendi filloi zbatimin e “Garancisë për të rinjt” në vitin 2018 si pilot projekt në disa komuna dhe nga viti 2020 në të gjithë territorin e vendit. Organizata Ndërkombëtare e Punës, përmes Instrumentit të Asistencës Teknike të BE/ONP, në vazhdimësi ofron mbështetje në planifikimin, monitorimin dhe rishikimin e zbatimit të Garancisë, theksoi në konferencë koordinatori kombëtar i ONP-s, Emil Kërstanovski.

“Maqedonia e Veriut tregon rezultate të mira në zbatimin e “Garancisë për të rinjtë”. ONP do të vazhdojë të ofrojë ekspertizën dhe mbështetjen e saj për të mundësuar avancimin e mëtejshëm të zbatimit të kësaj mase në vend. Përvojat e deritanishme në zbatimin e tij tregojnë se për të arritur rezultate është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe partneriteti i fortë ndërministror me organizatat e shoqërisë civile, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve. Harmonizimi legjislativ, si dhe digjitalizimi më i madh i shërbimeve publike të punësimit, janë faktor kyç për sukses”, tha Kërstanovski.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se gjatë vitit të kaluar 2022 numri i të rinjve deri në 29 vjeç që kanë hyrë në “Garanci për të rinjtë” ka shkuar në mbi 20 mijë dhe prej tyre 43 për qind janë punësuar ose kanë fituar aftësi përmes trajnimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button