Lube Boshkoski u shpall i pafajshëm në rastin “Fushata”

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe lideri i Të bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkoski, mori aktgjykim lirues në rigjykimin e rastit “Fushata”. Aktgjykimin e ka shpallur sot këshilli gjyqësor i Gjykatës Themelore Penale Shkup, në krye me gjyqtaren Elena Ilievska-Josifoviq, transmeton Portalb.mk.

Boshkoski në “Fushata” u ndoq penalisht për veprat penale keqpërdorim i mjeteve për fushatë zgjedhore dhe keqpërdorim të pozitës dhe pushtetit zyrtar, në lidhje me fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit 2011. Për rastin ai u arrestua një ditë pas zgjedhjeve para lokalit “Vodenica” në lagjen Kapistec të Shkupit.

Prokuroria në prag të shpalljes së aktgjykimit të sotëm ka ndryshuar aktakuzën në fjalën përfundimtare, përkatësisht për shkak të parashkrimit ka hequr dorë nga ndjekja për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe kompetencave zyrtare.

Boshkoski akuzohej se i kishte marrë 7.3 milionë euro për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2011 nga një shtetas i huaj, i cili gjithashtu ishte një nga dëshmitarët kryesorë në këtë proces dhe ishte marrë në pyetje si dëshmitar i kërcënuar me pseudonimin Z1.

Megjithatë, ai nuk dëshmoi në rigjykim. Gjykatësja Ilievska-Josipoviq tha se gjykata ka tentuar ta thërrasë për të dëshmuar në dy raste, por pa sukses.

“Këto tentativa kanë rezultuar të pasuksesshme, duke pasur parasysh se gjykata është njoftuar nga njësia kompetente se nuk mund të konstatohet, gjegjësisht nuk kanë të dhëna për identitetin e dëshmitarit të kërcënuar”, tha gjyqtarja.

Në gjykimin e përsëritur, tha ajo, gjykata nuk ka mundur të vërtetojë se Boshkoski i ka marrë paratë nga një person i huaj.

Aktgjykimi lirues u prit me duartrokitje nga të pranishmit e afërt të Boshkoskit dhe njëri nga avokatët e tij, Vladimir Rakoçeviq, pas shpalljes së vendimit, i tha gjykatëses në serbisht: “Ju jeni perëndeshë e vërtetë”.

Boshkoski u dënua me shtatë vjet burg në gjykimin e parë nga Gjykata Penale, dënim i cili më vonë u reduktua në pesë vjet nga Gjykata e Apelit.

Boshkoski dënimin e ka vuajtur në “Idrizovë”, ndërsa në ndërkohë është ngritur procedura para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Në qershor 2020, Strasburgu vendosi në favor të tij, duke argumentuar se e drejta e tij për një gjykim të drejtë ishte shkelur dhe duke deklaruar se kishte mungesë drejtësie gjatë procesit gjyqësor. GJEDNJ vendosi gjithashtu që shteti t’i paguajë atij dëme jomateriale prej 4500 euro dhe 1220 euro për shpenzime.

Pas vendimeve të Strasburgut, ish-ministri i Punëve të Brendshme kërkonte gjykim të ri, për të cilin Gjykata Themelore Penale e Shkupit në shkurt të vitit 2021 mori vendim pozitiv.

“Sipas aktgjykimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pas respektimit të kërkesës është marrë mendim pozitiv nga prokurori publik kompetent, për të cilin palët nuk kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe që tani është në fuqi“, njoftoi në atë kohë Penalja.

Ndryshe, në lidhje me mënyrën e arrestimit të Boshkoskit më 6 qershor 2011, e cila është incizuar dhe shfaqur në televizionin kombëtar, Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka hapur lëndë me emrin e koduar “Tortura”. Për veprën penale të torturës dhe dënimeve dhe trajtimeve tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese, PSP ndiqte ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, komandantin e atëhershëm të njësitit policor “Alfa”, Ivica Ançevski-Puki, si dhe pesë anëtarë të kësaj njësie. Gjyqi për “Torturën” në qershor 2021 përfundoi para gjykatës së shkallës së parë me shpalljen i pafajshëm pasi gjykata konstatoi se prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri ishte fajtor për veprën.

Rasti gjyqësor “Tortura” është hapur më 23 qershor të vitit 2016. “Tortura” ka të bëj me arrestimin e kryetarit e partisë, “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski, gjegjësisht për mënyrën e arrestimit të tij, që sipas Prokurorisë Speciale, ish-drejtori i DSK-së, Mijallkov, ka urdhëruar njësitin special “Alfa” që gjatë aktit të arrestimit të përdorë dhunë fizike dhe psiqike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button