Sulmi i hakerëve ndaj sistemit të Fondit Shëndetësor, Spasovski e quan terrorizëm, Kovaçevski luftë hibride

Është shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të ndërmarrin masa të parakohshme për mbrojtjen e të dhënave elektronike nga sulmet e hakerëve, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi, në kontekst të sulmeve kibernetike ndaj Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), njofton Portalb.mk.

Duke u përgjigjur në pyetje gazetareske, Spasovski tha se po ndërmerren të gjitha masat dhe se të gjitha sulmet e hakerëve janë paraqitur dhe se po kryhet hetim.

“Megjithatë, është shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të ndërmarrin masa të parakohshme për mbrojtjen e të dhënave elektronike, që të mbrohen sistemet elektronike pasi që më lirë do të thosha është të investohet në parandalimin, gjithçka më tej është shumë rëndë”, deklaroi ministri Spasovski.

Ai shtoi se bëhet fjalë për sfidë serioze e cila bashkë me migrimin do të jetë një prej sfidave kyçe që duhet të përballet shteti në vitet e ardhshme.

“Unë shpesh flas për sfidat që na vijojnë me vite, përskaj migrimit njëri prej sfidave kryesore do të jetë edhe terrorizmi, ndërkaq sulmet e hakerëve janë pjesë e atyre sulmeve terroriste”, shtoi Spasovski.

Në pyetjen nëse kjo nënkupton që ineternet-faqet që i shfrytëzojnë institucionet janë të pasigurta për momentin, ministri tha se mbrojtja elektronike është diçka e cila shpejtë ndryshon dhe modernizohet dhe se posedimi i sistemit më të ri mbrojtjes sot nuk nënkupton që do të jetë relevant pas gjashtë muajsh apo një viti.

“Në atë kuptim duhet që të rinovohen ato sisteme te të gjitha institucionet dhe duhet të ndërmerren një sërë aktivitetesh në kontinuitet, a sa kemi bërë ne si Ministri e Punëve të Brendshme për mbrojtjen e të dhënave elektronike për shtetin, jo vetëm për MPB-në, tregon fakti i ndërtimit të Qendrës TIK në Prilep e cila është për atë qëllim – t’i mbrojë të dhënat elektronike, të ketë backup të atyre të dhënave elektronike jo vetëm për MPB-në, por edhe për institucionet tjera dhe tanimë kemi nënshkruar marrëveshje me ato që të sigurohen edhe ata”, shtoi Spasovski.

Sipas ministrit, jo vetëm shteti ynë, por edhe vendet e Evropës dhe botës shumë pak i kanë kushtuar kujdes mbrojtjes së sistemeve elektronike nga këto sulme.

“E shohim se sipas shkatërrimit ato mund të jenë më të mëdha dhe domethënëse se sulmet konvencionale. Për atë është e rëndësishme që ai sistem, para se gjithash infrastruktura kritike, të jetë e mbrojtur”, tha ai.

Haker, sulm kibernetik, foto: Mika Baumeister/Unsplash

Paraprakisht, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se sulmi ndaj FSSH-së me të ashtuquajturin ransomware (lloj malwari softwerik), është pjesë e luftës hibride që është aktualisht duke u bërë në Evropë, përveç luftës klasike që po bëhet në Ukrainë me sulmin nga Rusia. Kovaçevski tha se ishte një sulm hakerësh si ai që kishte ndodhur më parë në Ministrinë e Bujqësisë, kur sistemi ishte riparuar për më shumë se një muaj.

“Një numër i madh i institucioneve në një numër të madh vendesh, veçanërisht anëtarët e NATO-s, u ekspozuan ndaj sulmeve të tilla. Ka pasur sulme kibernetike në Shqipëri dhe Mal të Zi. Aktualisht, ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSSh-it dhe institucioneve të tjera po punojnë me ekspertë nga Gjermania dhe vende të tjera partnere për të zgjidhur problemin e sulmit të hakerëve në Fondin e Shëndetësisë, sepse thesari dhe pagesa e burimeve financiare nuk mund të funksionojë aktualisht për të arsye të ndryshme”, tha Kovaçevski.

Ai dje ka biseduar me ministrin e Financave, Fatmir Besimi, për të gjetur një mënyrë për të paguar punonjësit e FSSh-së, të cilët për shkak të rënies së sistemit nuk kanë marrë rrogë.

Sistemi FSSh është i padisponueshëm prej 9 ditësh, pra që nga 7 shkurti i këtij viti. FSSh më pas raportoi se ata kishin një problem teknik dhe mosfunksionim të një pjese të serverëve dhe se po punojnë për diagnostikimin dhe mënjanimin e problemit.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button