Sulmi kibernetik la pa paga punonjësit shëndetësorë dhe lehonat në Maqedoninë e Veriut
Sistemi i Fondit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut të hënën ka arritur të kthejë një pjesë të funksioneve të sistemit elektronik pas dy javësh sa ishte tërësisht i bllokuar, shërbimin “termini im” që mundëson caktimin e kontrolleve te mjeku, si dhe qasjen deri te sigurimi shëndetësor, raporton REL.
Sistemi i Fondit për Sigurim Shëndetësor nga 6 shkurti ishte tërësisht jashtë funksionimit pas një sulmi kibernetik.
Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor kanë theksuar se shpresojnë që deri në fund të ditës të vihet në funksion edhe sistemi për pagesën e pagave të personelit mjekësor, pushimeve të lehonisë dhe pagesave tjera.
Punonjësit shëndetësorë në protesta
Por, vonesa e pagës për shkak të bllokimit të sistemit të Fondit për shëndetësi, ka nxjerrë në protesta mantelbardhët.
Sindikatat e pavarura të mjekëve kanë theksuar se nëse nuk bëhet ekzekutimi i pagës së janarit, do t’i radikalizojnë protestat.
“Këtu kemi njerëz, të cilët punojnë për ekzistencë me një pagë shumë të ulët prej 18 mijë denarëve (rreth 300 euro). Të gjithë nga personeli mjekësor nuk duhet të kenë frikë të dalin këtu për të protestuar pasi ajo që kërkojnë është e drejtë e tyre ligjore”, ka deklaruar Renata Gjokonoviq, kryetare e Sindikatës së pavarur të spitalit “8 Shtatori” (ish-Spitali Ushtarak) në Shkup.
Ajo ka pyetur se kush do t’i mbulojë shpenzimet shtesë për shkak të mospagesës së kësteve të kredive që kanë shumica e personelit mjekësor.
“Bëhet fjalë për sulm kibernetik”
Autoritetet e vendit sulmin kibernetik gjatë javës së kaluar e kanë cilësuar si pjesë të luftës hibride që zhvillohet në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë. Sipas tyre, ekspertë nga Maqedonia e Veriut dhe vendet anëtare të NATO-s janë duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sulmin e hakerëve në sistemin e Sigurimit Shëndetësor e ka cilësuar si sulm terrorist, por pa dhënë detaje se nga kush vjen sulmi.
“Unë shpesh flas për sfidat që na shoqërojnë me vite, përskaj migrimit një prej sfidave kryesore do të jetë edhe terrorizmi, ndërkaq sulmet e hakerëve janë pjesë e atyre sulmeve terroriste”, ka theksuar Spasovski.
Raporti revizor nxjerr në pah mungesën e kuadrit për teknologji informative
Ndryshe, në Raportin e fundit për vitin 2022 të Entit Shtetëror për Fondin e Sigurimit Shëndetësor, si çështje problematike apostrofohet dhe mosmiratimi i strategjisë së teknologjisë informative për zhvillimin e sistemit të informacionit, për mbrojtjen e të dhënave, si dhe funksionimin e sistemit në rast të fatkeqësive të mundshme dhe sulmeve eventuale.
Në raport gjithashtu theksohet se në vitin 2021 Fondi për Sigurim Shëndetësor ua ka paguar rreth 282.000 euro për mirëmbajtje të sistemit kompanive private, ndërsa në vitin 2020 për këtë çështje janë paguar mbi 300.000 euro.
Ekspertët e teknologjisë informative thonë se është koha e fundit që autoritetet e vendit ta kuptojnë seriozitetin e sigurisë së të dhënave në institucionet e shtetit dhe të investojnë në kuadrin profesional në këtë lëmi.
Goce Arsovski, programues i teknologjisë informative, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e shtetit duhet ta kuptojnë seriozitetin e sigurisë kibernetike dhe dëmin e madh që mund të shkaktohet – jo vetëm bllokimi i sistemit, por edhe rrjedhja e informacionit.
“Problemi me sigurinë kibernetike [cyber security] kërkon zgjidhje sistematike. Kjo që shohim sot është zgjidhje parciale sa të shpëtohet situata”, thekson Arsovski.
Ai njëherësh nënvizon se pas sulmit të përmasave të këtilla që ka pësuar sistemi i Fondit Shëndetësor, askush nuk mund të garantojë se nuk ka rrjedhje të të dhënave të qytetarëve.
Do theksuar se Sistemi i Fondit Shëndetësor mundëson kontrollin e sigurimit shëndetësor, si dhe zgjedhjen e mjekut amë nga ana e qytetarëve.
Përmes këtij sistemi, punonjësit shëndetësorë kanë qasje deri tek informacionet që kanë të bëjnë me pasqyrën shëndetësore për pacientët e tyre, si dhe shërbimet tjera.
Pagat e janarit të punonjësve të shëndetësisë janë vonuar për shkak të sistemit të hakuar të Fondit. Sistemi IT i FSSh-së u ndërpre më 6 shkurt pasi u bë objektiv i një sulmi kibernetik. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka kërkuar të enjten nga të gjitha institucionet publike shëndetësore që të japin të dhëna për punonjësit në mënyrë që ata të paguhen.
Ministri i Financave Fatmir Besimi ka bërë të ditur se nëse deri sot nuk zgjidhet problemi, pagat për personelin shëndetësor do të sigurohen nga Thesari qendror dhe më pas do të shlyhen me thesarin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehu dje besimin se do të tejkalohet problemi i sulmit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili në një intervistë për MIA-n tha se janë punësuar ekspertë vendas dhe ekspertë nga vendet anëtare të NATO-s. Të dhënat personale të qytetarëve, siç theksoi ai, janë të mbrojtura dhe apelon për qetësi dhe po punohet që punëtorëve shëndetësorë t’iu paguhen pagat.
Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.
- LEXO: Fondi i shëndetësisë: U rikthye në funksion sistemi “Sigurimi im”, institucionet shëndetësore dhe barnatoret kanë kontroll në sigurim deri sot
- LEXO: Të punësuarit në shëndetësi në protestë paralajmëruese para Fondit Shëndetësor kërkojnë rrogën e janarit
- LEXO: Spirovski: Publiku nuk e di se si është arritur në përfundimin se të dhënat e FSSH-së nuk janë vjedhur
- LEXO: RMV, punonjësit shëndetësor do të protestojnë të mërkurën edhe përkundër premtimeve se të hënën do të marrin pagat
- LEXO: Sulmi i hakerëve ndaj sistemit të Fondit Shëndetësor, Spasovski e quan terrorizëm, Kovaçevski luftë hibride
- LEXO: Fondi Shëndetësor: Sulmi i hakerëve ndaj sistemit nuk vodhi të dhënat e qytetarëve