Kryeparlamentari Xhaferi: Edhe djali im ka të drejtë të punësohet

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në lidhje me informatat se djali i tij e ka mbaruar Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë, gjegjësisht që do të ketë mundësi të konkurrojë për gjykatës, tha se edhe djali i tij ka të drejtë të punësohet, njofton Portalb.mk.

“Jam i vetëdijshëm se familja ime është në goditje të opinionit për shkak të funksionit që e kryej. Sensacioni gjithmonë është më i madh kur bëhet fjalë për fëmijë të funksionarit të lartë. Por, ashtu sikur të gjithë tjerët, edhe fëmija im ka të drejtë t’i shfrytëzojë të gjitha të drejtat, të konkurrojë dhe të pranohet në punë”, tha Xhaferi.

Ai foli edhe për lëndën që e hapi Antikorrupsioni në lidhje me djalin e tij Barlet Xhaferi, i cili e ka kaluar provimin e jurispodencës para se të diplomojë, pavarësisht se sipas ligjit, kandidatët duhet të kenë së paku 300 kredi, sipas sistemit të Bolonjës.

“Komisioni i Antikorrupsionit kishte procedurë dhe ajo është ndaluar, gjegjësisht nuk ka mundur të konstatojë keqpërdorim nga ana e djalit tim. Puna e institucioneve është çështje tjetër dhe për atë nuk përket as mu e as djalit tim”, tha Xhaferi.

Ndryshe, opinioni pati reagime të shumta pasi që ditëve të kaluara Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë e publikoi listën me emrat dhe mbiemrat e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin përfundimtar e që praktikisht kanë mundësi të konkurrojnë për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e kandidatëve, u gjetën emrat e funksionarëve të politikës, por edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Antikorrupsionit, në RMV thuajse nuk ka konkurrencë korrekte gjatë punësimit.

Në mesin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ardhshëm u gjetën:

  • Djali i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferit, Barlet Xhaferi
  • Bashkëshortja e prokurorit për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi, Albulena Abazi
  • Djali i gjykatësit të Apelit Enver BexhetiJetmir Bexheti
  • Djali i ish anëtarit të BDI-së në KSHZ, tani gjykatës administrativ Subhi JakupiIlir Jakupi
  • Nusja e djalit të sekretares së përgjithshme të Kuvendit, Cvetanka Ivanova,Biljana Ivanova
  • Bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Aerodromit dhe nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Timço MucunskiSimona Mucunski Bubevska
  • Vajza e prokurores së pensionuar Gordana SmaqovskaBiljana Smaqoska
  • Djali i prokurores Elizabeta Josifovska, Dragan Josifovski

Akuzat për nepotizëm, partizim dhe “miqësi” në gjyqësor dhe prokurori nuk janë asgjë e re për Maqedoninë e Veriut. Dikur ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska me defter i evidentonin dhe emëronin gjyqtarët. Funksionarët e lartë të BDI-së, Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi bënin pazare me funksionarët e VMRO-DPMNE-së për vende të caktuara në gjyqësor.

Akuzat e ngjashme kanë vazhduar edhe gjatë vitit të kaluar, sidomos me emërimin e Islam Abazit për shef të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të cilin dolën disa fotografi me funksionarë të BDI-së.

Për Porosinë e Antikorrupsionit që politika t’i heqë duart nga profesionistët dhe të ketë konkurrencë korrekte, por edhe për akuzat për zgjedhjen e personave partiak në gjyqësor gjatë vitit 2022 dhe rikujtimin nga e kaluara e hidhur, lexojeni analizën e Portalb: (Pa)varësia e gjyqësorit, fëmijët dhe familjarët e funksionarëve të RMV-së, gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button