(Pa)varësia e gjyqësorit, fëmijët dhe familjarët e funksionarëve të RMV-së, gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm

Pavarësia e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë çështje diskutabile, sidomos në aspektin e ndarjes së saj nga politika me qëllim që të jetë i drejtë dhe i paanshëm. Ditëve të fundit kjo temë është riaktualizuar, pasi Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë e publikoi listën me emrat dhe mbiemrat e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin përfundimtar e që praktikisht kanë mundësi të konkurrojnë për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e kandidatëve, u gjetën emrat e funksionarëve të politikës, por edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Antikorrupsionit, në RMV thuajse nuk ka konkurrencë korrekte gjatë punësimit, shkruan Portalb.mk.

Gjyqësori në vend do të ketë 58 emra të rinj, të cilët e kanë kaluar provimin përfundimtar të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. 30 prej tyre do të bëhen gjykatës, ndërkaq 28 prokurorë publik.

Pas publikimit të rang-listës, në të mund të vërehen emra të funksionarëve të pushtetshëm, gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët fëmijët dhe familjarët e tyre kanë qenë të regjistruar në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve.

Barlet Xhaferi, djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi do të jetë prokuror i ardhshëm, ashtu sikur Albulena Abazi, bashkëshortja e prokurorit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi. Prokuror i ardhshëm do të bëhet djali i gjykatësit Enver Bexheti, Jetmir Bexheti, por edhe djali i ish anëtarët të BDI-së në KSHZ, tani gjykatës administrativ Subhi Jakupi, Ilir Jakupit.

Drejtësinë në të ardhmen do ta ndajnë, nusja e djalit të sekretares së përgjithshme të Kuvendit, Cvetanka Ivanova, por edhe bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Aerodromit dhe nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski, Simona Mucunski Bubevska, por edhe vajza e prokurores së pensionuar Gordana Smaqovska, Biljana Smaqoska.

Ekipit të gjyqtarëve duhet të ju bashkohet edhe Dragan Josifovski, djali i prokurores Elizabeta Josifovska, e cila ishte zëvendëse e kryeprokurores speciale, Katica Janeva.

Rang-lista e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë

Politika t’i heqë duart nga profesionistët, konkurrencë korrekte nuk ka

“Duhet të shihet se kush nuk është regjistruar. Tani në këtë situatë, kur doli lista e kandidatëve që e kanë kaluar provimin, më nuk mundemi çfarë të konstatojmë. Çështja është nëse ata kur janë regjistruar i kanë plotësuar kushtet siç duhet, nëse ata kanë qenë më të mirët, apo ka pasur edhe kandidatë tjerë të cilët kanë qenë më të mirë se ata, ndërkaq për shkak të ndikimit janë pranuar këta. Pra aty është çelësi – kur janë regjistruar normalisht që do të mbarojnë. Tani është akt i kryer.”Kështu e komenton për Portalb.mk, zgjedhjen e kandidatëve të rinj për gjykatës dhe prokurorë, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska, duke shtuar se tanimë është shumë me rëndësi që të mos të ketë situatë të konfliktit të interesit, gjegjësisht të mos punojnë në institucion të njëjtë, ku punojnë të afërmit e tyre.

Shembull, bashkëshortja e prokurorit Abazi duhet të punojë në institucion tjetër.

“Dua të vendos një vizë mes politikës dhe profesionalizmit, nëse këto persona janë profesionistë të vërtetë dhe me cilësinë e tyre dhe rezultatet e meritojnë atë, atëherë duhet ta dëshmojnë me punën e tyre dhe në atë mënyrë ta rrisin besimin e qytetarëve në gjyqësor. A nëse ata vazhdojnë të funksionojnë në bazë të ndikimit politik apo të afërmve të tyre, atëherë dyshimi do të rritet dhe normalisht qytetarët nuk do të besojnë. Shtetit dhe shoqërisë tonë i mungon vetëdija, veçanërisht politikanëve pasi që kur të vijnë në funksion harrohen.

Që qytetarët të besojhnë në institucione, politika patjetër të heqë duart nga profesionistët dhe profesionalizmit. Duhet të mundësojë kushte që të funksionojë profesionalizmi”, thotë Ivanovska.

E pyetur nëse gjatë konkurrimit në punë ka konkurrencë korrekte, Ivanovska thotë se në bazë të numrit të lëndëve në Antikorrupsion për problemin e “punësimit”, rastet e konkurrencës korrekte gjatë punësimit janë të rralla.

“I inkurajoj qytetarët që t’i paraqesin rastet, të jenë më të zëshëm”, shton Ivanovska.

Akuza për zgjedhje të personave partiak gjatë vitit 2022

Padyshim që këtë vit bujë më të madhe ka shkaktuar zgjedhja e prokurorit për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit nga Kërçova, i cili u akuzua në opinion për afërsi të tij me funksionarët e BDI-së, për çka u publikuan edhe disa fotografi. Për zgjedhjen e tij edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shkup deklaroi se është e habitur me procesin, ndërkaq Abazi mohoi çdo lidhje të tij me BDI-në.

Zgjedhja e tij erdhi pas ngjarjeve mes prokurores Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Ruskovska u suspendua për shkak të bastisjes në Policinë Financiare, ndërkaq Muaremi dha  dorëheqje një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Vilma Ruskoska dhe Islam Abazi
Vilma Ruskoska dhe Islam Abazi

Në ndërkohë pritet që të zgjedhet dhe shefi i Prokurorisë së Lartë të Shkupit. Prokurorët Burim Rustemi dhe Fatime Fetai, pasi kandiduan u tërhoqën nga gara, për ta lënë në garë të vetëm Mustafa Hajrullahin i cili udhëhoqi me Prokurorinë e Lartë katër vite.

Aleanca për Shqiptarët dhe Levica e akuzuan prokurorin Hajrullahi si të afërt me funksionarët e BDI-së, për shkak udhëheqjes së rastit “Tiranik 3”, ku të akuzuar janë Ismet Guri dhe Ejup Halimi nga BDI-ja. Megjithatë, ai i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Në fillim të këtij viti, Gavrill Bubevski u emërua shef i Prokurorisë Publike të Shkupit.

Gjatë vitit, Gjykata Kushtetuese është përballur me mungesë të gjykatësve si pasojë e pensionimit të tyre dhe mosplotësimit të vendeve për shkak të bllokadave të opozitës në Kuvend.

Në fund të nëntorit, Pavlina Cërvenkovska, dha dorëheqje nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor dhe theksoi që “shpreson që kryetari i ardhshëm do të jetë i përshtatshëm për këtë elitë biznes-gjyqësore”. Megjithatë, pasi u rikthye në Këshillin Gjyqësor si anëtare, Cërvenkovska, nuk foli më se kush është elita biznes-gjyqësore.

Rikujtim nga e kaluara e hidhur

Lideri i LSDM-së, gjatë publikimit të aferës së përgjimeve në vitin 2015-të publikoi në sërë bisedash telefonike në të cilat dëgjoheshin se si funksionarët e pushtetit ekzekutiv, vendosnin se kush dhe ku do të bëhet gjykatës apo prokuror.

Madje, ministrja e atëhershme Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, në një bisedë me shefin e atëhershëm të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, tregon se ka një defter me të gjithë emrat e gjykatësve. Sipas bisedës, asnjë gjykatës nuk mundet të futet në pallatin e Gjykatës Penale të Shkupit, pa tejkaluar në mbikëqyrjen dhe ekspertizën e Jankulloskës dhe Mijallkovit.

Nga “bombat” doli edhe një bisedë telefonike për gjykatësen Petrovska në opinion e njohur si gjykatësja “Swarovski” sepse sipas bisedave, për avancimin e saj i ka blerë stoli kryetares së Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.

Foto ilustrim

Ja biseda ku u përmend gjykatësja Petrovska nga kolegia e saj Sofija Laliçiq e cila ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov i shpjegonte se si Petrovska i ka dhënë stoli prej “Swarovski” kryetares së Gjykatës Penale, Nedellkovës.

Se si është bërë pazar me gjyqësorin më së miri tregon biseda nga “bombat” mes funksionarëve të BDI-së, të cilët flasin për “larje-borxhesh” mes tyre dhe VMRO-DPMNE-së për pozita në gjyqësor.

Në bisedë mes Jankullovskës dhe ish prokurorit publik, Lupço Shvërgovski dëgjohet si ky i fundit kërkon ndihmë nga Jankullovska të intervenojë te ish ministri i drejtësisë, kuadër i BDI Blerim Bexheti. Kjo i thotë që do ta lut Bexhetin ta mbarojë këtë punë.

Blerim Bexheti në bisedë me Musa Xhaferin bisedojnë për zgjedhjen e prokurorëve për t’i liruar një vend VMRO-së, një vend që “i takon BDI-së”. Xhaferi i thotë që të kërkojnë diçka kompensim për vendet që “ia kanë dhënë” VMRO-së.

Reforma të harruara!

Ndryshe, ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, gjatë vitit 2022, por edhe 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Por, sipas Komisionit për Antikorrupsion ardhja e këtij ekipi nënkupton dështim për politikën e Maqedonisë së Veriut, pasi ne nuk i kemi kryer detyrat. “Të të vijë në atë nivel ekip nga Amerika, është ta prekësh fundin”, thanë nga Antikorrupsioni.

Edhe StevoPendarovski, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend u ndal te ardhja e ekipit amerikan, i cili tha se, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë. Ai theksoi se nuk do të ketë drejtësi derisa kriminelët nuk i vendosim në burgje të mbyllura dhe derisa gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë në liri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button