RMV, u suspendua prokurorja Ruskovska, dha dorëheqje shefi i Policisë Financiare, Muaremi

Është suspenduar kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska. Informacionin ajo e ka konfirmuar për mediat. Nga ana tjetër, dorëheqje dha shefi i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, një ditë pas skadimit të mandatit të tij, transmeton Portalb.mk.

Paraprakisht, Prokuroria Publike njoftoi se për tre prokurorë publik është iniciuar procedurë disiplinore. Për Ruskovskën, si dhe për Ivana Trajçevën dhe Elizabeta Josifovskën, ka filluar procedura disiplinore për shkak të bastisjes në Policinë Financiare.

“Në përputhje me nenin 93 të Ligjit për Prokuroritë Publike, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka dorëzuar propozim për fillimin e procedurës disiplinore për të përcaktuar përgjegjësinë e tre prokurorëve publikë, të cilët dyshohen se me dashje dhe në mënyrë të paarsyeshme kanë bërë gabim të madh profesional, duke bërë shkelje të rëndë disiplinore nga neni 91 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurorinë Publike. Në të njëjtën kohë, në bazë të nenit 81 të Ligjit për Prokuroritë Publike, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra për një prokuror publik, ndërsa procedura penale ka filluar pas kallëzimit penal kundër prokurorit në fjalë”, njoftoi Prokuroria.

Një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës, drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, dha dorëheqje nga detyra. Ai theksoi se vendimi vjen pas vendimit të mësipërm të Prokurorisë dhe jo se i ka skaduar mandati.

“Duke marrë parasysh vendimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, për të inicuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore për të tre prokurorët publik dhe për të suspenduar Villma Ruskoskën nga pozita e prokurores publike themelore të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimi i organizuar dhe korrupsionit, për shkak të sjelljeve të paligjshme dhe shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, me vullnetin tim të lirë, jap dorëheqjen nga posti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare. Këtë vendim e marr që opinioni të mos ketë as më të voglin dyshim për integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e procedurës që vazhdon të zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm i Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dha një mesazh të qartë se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë dhe se keqpërdorimi i detyrës zyrtare për qëllime personale është i papranueshëm”, njofton Muaremi.

Këtë muaj në opinion bëri bujë përplasja mes prokurores së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska dhe kreut të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Të dy palët në kumtesat dhe deklarimet publike akuzonin njëri-tjetrin për ndërhyrje të paligjshme dhe presion.

Pas bastisjes që u krye më 18 korrik nga prokurorët e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Administratën e Policisë Financiare, Muaremi ngriti padi penale kundër Ruskovskës dhe prokurorëve Trajçeva dhe Josifovska.

Me reagim publik dhe deri te ndërkombëtarët doli Ruskoska e cila u ankua se po i bëhet presion. Nga ana tjetër, krye-prokurori Joveski dhe Shoqata e prokurorëve dolën kundër saj duke thënë se janë shkelur procedurat, ndërsa SHBA dhe BE thanë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga organet vendore dhe ata nuk mund të ndihmojnë Ruskoskën.

Së fundmi pra sot, Ruskoska u largua përkohësisht nga puna ndërsa Muaremi dha dorëheqje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button