BE: Çështja e Ruskovskës dhe Muaremit duhet të zgjidhet nga organet kompetente

Bashkimi Evropian po i ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me shkëmbimet e fundit të akuzave publike ndërmjet Shefes së Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat. Muaremi, dhe beson se – atë çështje duhet ta zgjidhin organet kompetente, thuhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së në Shkup në pyetjen e MIA-s, në lidhje me thirrjen e prokurores publike Ruskovska drejtuar institucioneve kompetente shtetërore, ambasadave dhe organizatave të huaja ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

“Zbatimi i sundimit të së drejtës është një nga prioritetet më të larta për Bashkimin Evropian. Është pjesë thelbësore e grupit të ardhshëm të negociatave për Vlerat Themelore, i cili do të jetë i pari që do të hapet në negociatat e anëtarësimit me BE-në”, theksojnë nga Delegacioni i BE-së.

Në përgjigje theksohet se ligjet ekzistuese të vendit i përcaktojnë kompetencat përkatëse të autoriteteve kombëtare dhe mënyrat e bashkëpunimit të tyre të ndërsjellë, të cilat duhet të respektohen.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet nga organet kompetente”, shtohet në përgjigje.

Shefja e PTHP NKOK, Vilma Ruskovska, u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend, por edhe të gjitha institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare, para së gjithash Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së, që “një herë e përgjithmonë t’i kontrollojnë të gjitha faktet dhe të sqarojnë se kush është duke luftuar në këtë vend kundër krimit dhe kush e bën krimin”.

Në reagimin me shkrim pas konferencës së djeshme të drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, në të cilin ai ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal kundër saj dhe prokurorëve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, Ruskovska ka theksuar se presioni ndaj prokurorëve të PTHP NKOK nga personi i emëruar nga Qeveria, si dhe ndërhyrje në rastin e Prokurorisë, e cila është rreptësisht e ndaluar sipas Ligjit për Prokurorinë Publike.

“Maqedonia nuk është as diktaturë, as monarki. Në Maqedoni nuk guxon të vendosë vullneti i disa pushtetarëve aktualë apo të mëparshëm që prokurorët të mbyllin sytë para çdo krimi qoftë edhe në nivelet më të larta të pushtetit”, thekson Ruskovska në reagim.

Në përgjigje të thirrjes së djeshme të Ruskovskës, Ambasada Amerikane vlerësoi se ky është një proces i vazhdueshëm dhe është një çështje që duhet të zgjidhet nga organet kompetente në vend.

Ambasada e SHBA-së angazhohet për promovimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe gjyqësorit për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në institucionet dhe brenda tyre, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në vend, që ia ka dërguar TV Telma lidhur me thirrjen e Ruskovskës.

Bastisja në Drejtorinë e Policisë Financiare është kryer më 18 korrik. Më pas nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, në krye me Ruskovska, vetëm shkurt konfirmuan se janë duke bërë bastisje dhe se bëhet fjalë për një rast të formuar pas kallëzimit të qytetarëve.

Nga ana tjetër, Drejtoria prej atëherë e cilësoi bastisjen si të panevojshëm dhe të paligjshëm dhe akuzoi se bëhej fjalë për sulme të qëllimshme dhe të pabaza ndaj tyre të ardhura nga e njëjta qendër. Për veprimet e hetuesve dhe prokurorëve parashtruan ankesë edhe te prokurori i shtetit, si dhe te gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, i cili në bazë të kërkesës së prokurorisë ka lëshuar urdhër për bastisje.

Pas ankesës, prokurorët kanë bërë mbikëqyrje, pas së cilës kabineti i prokurorit të shtetit Lubomir Joveski ka lëshuar një deklaratë në të cilën kanë përmendur mangësitë në procedurë.

Prokurorja, nga ana tjetër, e kontestoi raportin, duke thënë se prokurori i shtetit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në trajtimin e rastit konkret, ndërsa nëse ka pasur bazë për lëshimin e urdhrit për bastisje vendos gjykata e jo prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button