Ruskovska ankohet te ndërkombëtarët, reaguan Muaremi dhe Shoqata e prokurorëve

Vilma Ruskovska, shefe e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PNKOK), mbrëmë u bëri thirrje institucioneve, si dhe ambasadave të huaja, delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe prokurores evropiane Laura Kovesi që të reagojnë pas, siç thotë ajo, presionit ndaj saj dhe prokurorisë nga drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, transmeton Portalb.mk.

Një thirrje e tillë e Ruskovskës vjen pas konferencës së djeshme për media të mbajtur nga Muaremi, në të cilën njoftoi se do të ngre kallëzim penal kundër Ruskovskës dhe prokuroreve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, pas bastisjes në ambientet e Drejtorisë së tij.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend, por edhe të gjitha institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadës amerikane dhe zyrës së BE-së, që të kontrollojnë njëherë e mirë të gjitha faktet dhe të sqarojnë se kush në këtë vend lufton kundër krimit, ndërsa kush e bën krimin. E lus edhe prokuroren evropiane Laura Kovesi, nëse ka mundësi, të vijë dhe të kontrollojë të gjitha rastet e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi që unë jam kryetare i Prokurorisë, me referencë të veçantë për rastet e Rashkovskit, Zeqiri dhe ky i fundit, për Muaremin”, shkruan Ruskovska.

Ruskovska thotë se nëse qeveria dëshiron shtet real të së drejtës, e vërteta duhet të dalë në shesh.

“Është tmerrues ky presion ndaj prokurorëve të PNKOK-së nga personi i emëruar nga Qeveria, Arafat Muaremi, si dhe ndërhyrja në lëndën e PNKOK-së, e cila është rreptësisht e ndaluar, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike. Nëse Qeveria dëshiron që vendi të jetë shtet real i së drejtës dhe jo shtet juridik i shfaqur përmes PR përmes mediave, e vërteta duhet të dalë në shesh!”, thotë ajo.

Ruskovska thekson se po sulmohen prokurorët që udhëhoqën rastet kundër Katica Janevës, Frosina Remenskit, Dragi Rashkovskit dhe Muhamed Zeqirit, dhe në të njëjtën kohë po kryejnë edhe disa hetime paraprake për zyrtarët aktualë dhe ish-funksionarët e lartë të pushtetit.

“Pikërisht për shkak të këtij sulmi dhe presioni ndaj prokurorëve të PNKOK-së, institucionet ndërkombëtare si
dhe ambasadat amerikane në BE të marrin masa seriozisht, sepse kjo është më së paku që i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka nisur negociatat për BE-në ku sundimi i ligjit është imperativ! Maqedonia nuk është as diktaturë, as monarki, në Maqedoni nuk guxon të sundojë vullneti i disa pushtetarëve aktualë apo të mëparshëm, që prokurorët të mbyllin sytë para çdo krimi qoftë edhe në nivelet më të larta të pushtetit”, thotë Ruskovska.

Shefja e Prokurorisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit thotë se është e gatshme të nxjerrë informacione nga hetimet paraprake për Muaremin që, siç thotë ajo, publiku të gjykojë. Ajo shton se nuk ka asnjëherë dy të vërteta, por vetëm një.

“Në periudhën në vijim jam e gatshme të ndaj me publikun informacionet që ka dhe do të ofrojë PNKOK për personin të cilit po i kontrollohen veprimet, Arafat Muaremi (ende drejtor i Policisë Financiare), ndaj le të gjykojë publiku se kush është kriminel dhe kush po lufton krimin”, thotë ajo.

Ruskovska shkroi edhe se është prokurore për më shumë se 34 vjet dhe se nuk do të lejojë që një person për të cilin kontrollohen veprimet t’ia njollosë fytyrën dhe nderin.

“Nder, reputacion, respekt, e kam mësuar qysh në moshë të vogël nga prindërit e mi që të dy luftuan me fashistët për Maqedoninë e sotme të lirë dhe të pavarur. Babai im ishte nënkolonel i një divizioni në NOV, i varrosur nga një plumb bullgar. Nëna ime është partizane që ka qenë në një burg bullgar dhe ka luftuar edhe në Frontin e Sremit”, shkroi ajo.

Pas letrës së Ruskovskës, ka reaguar drejtori i Drejtorisë së policisë financiare, Arafat Muaremi i cili i ka bërë thirrje prokurores publike Villma Ruskovska, që nëse ka njohuri dhe informacione për kriminalitet, t’ia vërtetojë opinionit dhe të iniciojë aktakuzë ndaj tij, dhe jo siç thotë, njohuri dhe informacione boshe dhe të pabazuara duke diskredituar plotësisht funksionin që kryen.

Muaremi madje thekson se mosndjekja e një krimi për shkak të presioneve paraqet vepër penale.

“I bashkohem edhe unë thirrjes suaj drejtuar ambasadave dhe të gjitha palëve që thirreni për ‘ndihmë’ – le ta konfirmojnë edhe ata atë që prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut e konstatoi me mbikëqyrje në punën e juaj të paligjshme dhe veprimit joetik. Përgjegjësi për arbitraritetin e juaj doemos të ketë”, thotë Muaremi.

Roli i një prokurori publik, thekson Muaremi, është të paktën të deklarojë se do të shpërndajë njohuri dhe informacione me publikun që ajo të gjykojë se kush është kriminel.

“Prokurorja Ruskovska sikur qëllimisht harron se kriminaliteti dëshmohet në kuadër të institucioneve, ndërsa qytetarët janë ata që i japin besimin në bazë të punës së tyre. Prokurore, nëse merren parasysh anketat e fundit, besimi i publikut nuk është shumë në favorin tuaj”, qëndron në reagimin me shkrim të Muaremit.

Nga ana tjetër në mënyrë të ashpër ndaj letrës së hapur të prokurores Vilma Ruskovska, ka reaguat edhe Shoqata e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Si shoqatë profesionale e kemi përcjellë letrën me habi, e cila besojmë se dëmton reputacionin e prokurorisë publike dhe cenon rëndë Kodin e Etikës së prokurorëve publikë. Përndryshe, si prokurorë publikë, nuk shohim arsye për thirrje kaq dramatike të mesnatës drejtuar institucioneve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, aq më tepër që as prokurorja Ruskovska dhe as prokurorët e tjerë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ishin në asnjë moment të penguar të kryerejn hetimin në mënyrë pavarur për çështjet brenda kompetencave të tyre”, thuhet në reagimin e Shoqatës së prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga kjo Shoqatë thonë se gjatë trajtimit të lëndëve, ata, si të gjithë prokurorët e tjerë publikë, duhet të udhëhiqen nga parimet e ligjshmërisë dhe drejtësisë. Përveç kësaj, shtojnë ata, Prokuroria Publike bazohet në parimet e hierarkisë dhe të vartësisë, që do të thotë se çdo prokuror publik është përgjegjës për punën e tij para prokurorisë më të lartë.

“Asnjë prokuror publik nuk duhet ta konsiderojë veten të gjithëfuqishëm dhe të refuzojë të kontrollojë veprimet e tij. Një kontroll i tillë synon pikërisht shmangien e veprimeve dhe arbitraritetit të kundërligjshëm, si dhe garantimin e drejtësisë së procedurës. Prokuroria Publike kishte dhe ka kapacitete dhe mundësi institucionale për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe për të vendosur absolutisht në mënyrë të pavarur për çdo rast, pa pasur nevojë për mbikëqyrje nga ambasadat apo organizatat ndërkombëtare”, thonë nga Shoqata e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut...

Bastisja në Drejtorinë e Policisë Financiare është kryer më 18 korrik. Më pas nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, në krye me Ruskovska, vetëm shkurt konfirmuan se janë duke bërë bastisje dhe se bëhet fjalë për një rast të formuar pas kallëzimit të qytetarëve.

Nga ana tjetër, Drejtoria prej atëherë e cilësoi bastisjen si të panevojshëm dhe të paligjshëm dhe akuzoi se bëhej fjalë për sulme të qëllimshme dhe të pabaza ndaj tyre të ardhura nga e njëjta qendër. Për veprimet e hetuesve dhe prokurorëve parashtruan ankesë edhe te prokurori i shtetit, si dhe te gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, i cili në bazë të kërkesës së prokurorisë ka lëshuar urdhër për bastisje.

Pas ankesës, prokurorët kanë bërë mbikëqyrje, pas së cilës kabineti i prokurorit të shtetit Lubomir Joveski ka lëshuar një deklaratë në të cilën kanë përmendur mangësitë në procedurë.

Prokurorja, nga ana tjetër, e kontestoi raportin, duke thënë se prokurori i shtetit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në trajtimin e rastit konkret, ndërsa nëse ka pasur bazë për lëshimin e urdhrit për bastisje vendos gjykata e jo prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button