Varhej: Sofja dhe Shkupi t’i ulin tensionet

Komisioneri evropian për Zgjerim dhe Marrëdhënie të Mira Fqinjësore, Oliver Varhej, tha sot para Parlamentit Evropian se pret që tensionet mes Sofjes dhe Shkupit, të cilat kulmuan më 4 shkurt, të ulen dhe se të gjithë ata që janë përgjegjës për incidentet e ndodhura të përballen me drejtësinë, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarjet e 4 shkurtit nuk janë inkurajuese. Unë shpresoja për shumë më tepër – siç u vendos nga lidershipet e të dy vendeve, që të bëhej një festë e përbashkët për shënimin e datës [ditëlindjes së Goce Dellçevit]. Shpresoj se do të ketë sukses vitin e ardhshëm dhe nuk do të ketë ngjarje të ngjashme në kufi. Duhet të pranoj se nuk është e lehtë për autoritetet në Shkup të qëndrojnë të qetë nëse ka provokime në kufi. BE-ja duhet të dërgojë një mesazh se historia ndahet dhe duhet të festohet si e tillë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ulur tensionin. Shpresojmë që të gjitha marrëveshjet dypalëshe të zbatohen” tha Varhej, duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçev.

Kovaçev i kërkoi Varhejit të konfirmojë se Komisioni Evropian po monitoron jo vetëm ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, por edhe zbatimin e marrëveshjes dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit nga viti 2017 dhe dy protokolleve, përpara se të fillojnë negociatat thelbësore me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim.

Në rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne vendosëm rregulla shumë të qarta në kornizën e negociatave, që mundësoi thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare, sqaroi komisioneri evropian.

“Kërkesat janë të qarta, duhen marrëdhënie të mira fqinjësore. KE do ta monitorojë këtë çështje dhe ne presim përparim këtë vit. Unë jam duke vëzhguar ngjarjet, kam folur me qytetarë maqedonas të cilët e identifikojnë veten si bullgarë. Autoritetet në Shkup jo vetëm janë të vetëdijshëm, por edhe veprojnë për të zhdukur çdo urrejtje ndaj bullgarëve. Autorët janë arrestuar, hetimet vazhdojnë, shpresoj të ketë një lëndë në gjykatë. Mendoj se ky duhet të jetë tregues i vendosmërisë së autoriteteve në Shkup” shtoi Varhej.

Shënimi i 151 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, më 4 shkurt në Shkup, u zhvillua nën siguri të fortë policore, por në një atmosferë paqësore përkundër paralajmërimeve se ngjarja do të jetë me rrezik të lartë sigurie për shkak të rritjes së tensionet me Bullgarinë në periudhën e fundit.

Atmosferë e tensionuar, megjithatë, ka mbizotëruar në pikën kufitare “Deve Bair”, kur shtetasit bullgarë që dëshironin të merrnin pjesë në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit në Shkup, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Maqedonisë për shkak të prishjes së sistemit të kontrollit kufitar.

Më pas MPB njoftoi se tre shtetas bullgarë janë ndaluar për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe sjellje të pahijshme me punonjësit e policisë në pikën kufitare Deve Bair. Të treve u është shqiptuar gjobë prej 300 euro dhe është urdhëruar dëbimi nga vendi dhe ndalimi i hyrjes në vend për një periudhë prej tre vitesh.

Kujtojmë se tensionet mes dy vendeve u rikthyen në muajin nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar me Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, u sulmua fizikisht gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve duke çuar madje edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, më 23 janar, presidenti maqedonase, Stevo Pendarovski, tha se ardhja e ndonjë grupi të bullgarëve më 4 shkurt përbën “rrezik të lartë sigurie”, andaj kërkoi shtimin e masave të sigurisë.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button