Viti 2022 për të rinjtë e RMV-së: Papunësi, migrim, shëndet mendor i rënduar dhe të harruar nga institucionet

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 u përballën me një sërë problemesh që tangojnë drejtpërdrejtë jetët e tyre. Ata në fjalorin e politikanëve janë prioriteti kryesor, por në praktikë autoritetet nuk bëjnë mjaftueshëm për ardhmërinë e tyre. Portalb.mk më poshtë sjell një pasqyrë se çfarë e shënoi vitin 2022 sa u përket të rinjve.

Papunësi e lartë, pabarazi gjinore

Si pasojë e nivelit të lartë korrupsionit, nepotizmit, pabarazisë dhe mungesës së perspektivës, shkalla e papunësisë së të rinjve në RMV edhe këtë vit mbetet e lartë. Rrjedhimisht, të rinjtë kanë vazhduar të migrojnë masivisht në vendet perëndimore, për një jetë më të mirë.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESSH), në tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e papunësisë e të rinjve në moshë prej 15 deri 24 vjeç ka qenë 34.8%, në tremujorin e dytë 30.8%, ndërkaq në tremujorin e tretë 32.6%, apo 3.8% më e ulët se në vitin 2021.

 

Papunësia e të rinjve
Papunësia e të rinjve

Në përgjithësi, gjatë vitit 2021 shkalla e papunësisë ishte 36.4%, ndërkaq gjatë vitit 2020, 35.7%.

Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 209.192 të rinj në moshë 15-24 vjeç, prej tyre 60.172 janë fuqi punëtore. Të punësuar janë 40.584, ndërkaq të papunë janë 19.587.

  • Prej numrit të punësuarve, 27.064 janë meshkuj, ndërkaq 13.521 janë femra.
  • Prej numrit të papunësuarve,. 10.968 janë meshkuj, ndërkaq 8.619 janë femra.

Raportin e fundit për vitin 2022 të Bashkimit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian, theks i veçantë i kushtohet papunësisë së të rinjve, ku thuhet se ajo mbetet e lartë në 30.9%, dhe se ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të rinjtë vazhdojnë të ikin

Në fillim të vitit, agjencia franceze e lajmeve AFP publikoi një reportazh në të cilin shkruante se të rinjtë e RMV-së po ikin me të madhe jashtë vendit, për një jetë më të mirë. Në tekst theksohet se popullata qëndron mbi një bombë demografike me sahat të kurdisur, që nxitet nga një mplakja e popullsisë, rënia e lindjeve dhe migrimi masiv.

Nuk ka numra zyrtar për atë se sa të rinj kanë ikur nga vendi. Sipas një studimiOrganizatës Ekonomike për Zhvillim dhe Bashkëpunim, të rinjtë ikin nga vendi për shkak të mospërputhjes së kërkesës së tregut dhe mungesës së perspektivave për të ardhmen.

Këtë e konfirmon dhe analiza e Youth Alliance në të cilën kanë marrë pjesë mbi 440 të rinj nga i gjithë vendi. Katër nga dhjetë të rinj të anketuar, kanë deklaruar do ta braktisnin shtetin për shkak të shkallës së korrupsionit.

Problemi me ikjen e të rinjve mbetet veçanërisht i theksuar në rajonin e Pollogut, për të cilin u mbajt dhe debat publik me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare dhe institucioneve.

Për të ndalur hovin e ikjes së të rinjve nga Maqedonia e Veriut muajin prill autoritetet shtetërore në vend kanë bërë të ditur se do të intensifikojnë projektet për vetëpunësim, si dhe hapjen e kompanive të reja po nga të rinjtë. Gjatë këtij viti, nëpërmjet planit operativ parashihej të bëhen 14 mijë e 685 punësime të reja, ku siç thuhej, prioritet do t’u jepet të rinjve. Mirëpo, në praktikë, të rinjtë vazhdojnë të ikin.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të rinjtë nuk janë prioritet i institucioneve shtetërore

dhjetë vjetorin e Portalb.mk, në panel diksutimin “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”, të rinjtë theksuan problemet të cilat i tangojnë ato dhe pikat ku autoritetet duhet të veprojnë urgjentisht. Ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e tyre në shoqëri, ndërkaq në dekadën e ardhshme duan të shohin një Maqedoni të Veriut ku jetesa është më e mire dhe ku problemet bazike jetësore nuk janë më çështje diskutimi. Ata thonë se nëse nuk punohet dhe investohet në vend gjatë dekadës së ardhshme, rinia do të largohet ende më shumë për nga perëndimi.

Sipas hulumtimit “Pjesëmarrja socio-polik e të rinjve në Maqedoninë e Veriut: 2021” e Fondacionit për Demokraci Vestminster vetëm 13% e të rinjve në vendin tonë vlerësojnë se autoritetet tërësisht ose afërsisht kujdesen për ata ose problemet e tyre. Rreth 15% e të rinjve vlerësojnë se tërësisht ose afërsisht mund të ndikojnë ndaj asaj që e punon pushteti. Shqetësues është fakti se 82% e të rinjve vlerësojnë se Maqedonisë së Veriut i duhet lider me grusht të hekur, ndërkaq politikanë të dëshiruar i kanë liderët autoritar të Ballkanit dhe botës.

Të rinjtë u shfaqën si një ndër prioritetet kryesore i të gjithë kandidatëve për kryetar komune të rajonit të Pollogut gjatë zgjedhjeve të fundit të vitit 2021, por sipas një hulumtim të publikuar në Portalb krerët e komunave i harruan të rinjtë pasi erdhën në pushtet. Asnjë komunë e këtij rajoni nuk i ka përmbushur tërësisht obligimet që rrjedhin nga Ligji për të Rinjtë.

Se sa janë të interesuara komunat për të rinjtë tregojnë edhe të dhënat e Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRKM) për zbatimin e Ligji për Pjesëmarrje Rinore. Vetëm 12% e komunave në Maqedoninë e Veriut kanë formuar Këshilla rinore lokale, edhe pse me ligj të gjitha komunat ishin të detyruara ta bëjnë deri në muajin janar të vitit të kaluar.

This slideshow requires JavaScript.

Në ndërkohë, nga muaji tetor, kanë filluar aktivitetet për përpilimin e Strategjisë Nacionale për Rini për periudhën prej vitit 2023-2027 nën ombrellën e Agjencisë për Rini dhe Sport. Në këtë Strategji planifikohet futja e principeve themelore dhe fushave përmes së cilave planifikohet realizimi i të drejtave, nevojave dhe interesave të të rinjve deri në vitin 2027. Aktualisht është krijuar draft-versioni i parë strategjisë dhe së shpejti pritet të hidhet në debat publik, ndërsa më pas të vazhdohet me procedurat tjera. Të interesuarit kanë mundësi ende të inkuadrohen në këtë proces nëse kanë propozime konkrete.

Në fund të muajit prill, Organizata për Akomodim dhe e Qiraxhinjve (OAQ) në bashkëpunim me Civica Mobilitas e zhvilloi dhe promovoi studimin “Të rinjtë dhe strehimi”, në të cilin thuhet se mbetja pastrehë në vendin tonë është pasojë e përhapjes së lartë dhe formave të ndryshme të diskriminimit me të cilat përballen grupe të caktuara njerëzish ku bëjnë pjesë edhe të rinj. Sipas hulumtimit, të rinjve të pastrehë në RMV u mungojnë shërbimet e specializuara për edukimin dhe integrimin e tyre në shoqëri, tregun e punës dhe ndihmë në zgjidhjen e çështjes së banimit.

Të rinjtë gjithashtu janë përballur edhe me probleme të shëndetit mendor, si pasojë e pandemisë së COVID-19, por autoritetet u kanë ndihmuar studentëve. Gjatë prezantimit të dokumentit të politikave publike “Shëndeti mendor – tani është koha” nga ekipi i “Rinia mundet”, kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Eva Cvetkovska, tregoi se ata i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me propozim që të krijohen zyra të përhershme të psikologëve në UKM që do të jenë pa pagesë, por kanë hasur në probleme me Ministrinë e Financave dhe UKM-në dhe kjo nevojë reale nuk është realizuar.

Derisa institucionet e vendit nuk kujdesen për të rinjtë, Bashkimi Evropian vitin 2022 e shpalli Vit të Rinisë. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, së bashku me “Europe House”, shënoi Ditët e Evropës 2022 përmes një sërë aktivitetesh për të rinj, nën sloganin #ThinkForward.

Kur jemi te Bashkimi Evropian, këtë vit u përzgjodhën edhe dhjetë ambasadorët e rinj evropianë nga vendi. Platforma e Ambasadorëve të Rinj Evropianë (YEA) është një rrjet krijues i përbërë nga aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia).

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të rinjtë e talentuar që spikatën gjatë këtij viti

Në mesin e emrave të spikatur dhe storjeve të suksesit të të rinjve këtë vit vëmendja u përqendrua te gjenitë e matematikës, 13-vjeçari Ylli Morina nga Shkupi si dhe 7-vjeçari Makedon Dimitrovski, ndërsa autoritetet kanë premtuar përkrahje ndaj tyre.

Më pas, ishte 14-vjeçari Adi Ismaili nga Gostivari i cili fitoi titullin kampion Evropian në balet modern.

Aktivisti 14-vjeçar për qasje Jane Velkovski, i cili është diagnostikuar me Atrofi muskulare kurrizore (AMK), për “TED” foli për lirinë e pavarur që i është mundësuar përmes karrocës ndihmëse invalidore.

Nxënësit e Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku”,“RadeJovçevski Korçagin” dhe “Orce Nikolov” janë fituesit e garës kombëtare NASA Space Apps Challenge.

Sofia Velkovska nga Shkupi vendit i solli medaljen e argjentë në olimpiadën e dytë evropiane të informatikës për vajza (EOID 2022).

Sonja, Tea dhe Gala nga shkolla fillore komunale “Bratstvo” – Karposh janë një nga pesë ekipet që në vitin 2022 përfaqësuan vendin në garën ndërkombëtare të njohurive dhe mendimit kritik “Kupa botërore e dijetarëve-nxënësve” pas së cilës siguruan një vend në “Turneun e Kampionëve” të ardhshëm.

Talentët e vitit 2022 (përmban foto nga: Radio MOF, Sonja Ivkoviq- arkivi personal, Meta.mk, Youth Community Center Cair, printscreen nga videoja e TED-it, Andi Ismaili, MASH)

Viti 2023

Të gjitha çështjet e lartpërmendura mbeten sfida të cilat edhe në vitin e ardhshëm do kërkojnë zgjidhje. Raporti i KE-së për vitin 2022 thekson se për shkak se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, në vitin e ardhshëm, vendi duhet veçanërisht të vazhdojë të zbatojë masat e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë, duke përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët. Gjithashtu, duhet të përmirësohen konsultimet me të rinjtë në politikëbërje.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button