Ylli Morina – gjeniu 13 vjeç i matematikës nga Shkupi që mëson studentë
Ylli Morina nuk është djalosh, i cili kohën e kalon jashtë duke luajtur futboll me moshatarët e tij. Ai është 13 vjeç, jeton në lagjen e Shkupit, Shuto Orizarë, dhe pothuajse çdo moment e kalon duke zgjidhur detyra të matematikës dhe fizikës. Për dallim nga bashkëmoshatarët, falë njohurive të tij ai i ndjek mësimet e klasës tetë në vend të klasës shtatës. Gjithçka që di, ai ndan në kanalin e tij në YouTube dhe ashtu shumë studentë të arkitekturës, fizikës, ekonomisë dhe shkencave të tjera që lidhen me matematikën kanë mësuar për të. Studentë nga Maqedonia e Veriut dhe nga bota kërkojnë ndihmë prej tij. Për disa prej tyre, si studenti i ekonomisë Bunjamin Bahtijari, Ylli u mban mësime në shtëpi.
“Këtu mësoj me Yllin. Është pak e çuditshme për shkak se Ylli është i vogël, por ai di matematikë shumë si dhe di shumë mirë t’i shpjegojë detyrat. Detyrat që profesoresha nuk di të m’i shpjegojë, ai i shpjegon më mirë”, tha Bunjamini për Meta.mk.
Ai beson se profesorin e tij i vogël e pret e ardhme e lavdishme.
“Është shumë i talentuar. Mbase një ditë do të bëhet si Elon Musk sepse i ka aftësitë”, thotë Bahtijari.
Në mungesë të mësimdhënies dhe librave të përshtatur siç duhet, sipas nevojave dhe talentit të tij, Ylli është dashur të plotësojë njohuritë e tij online duke ndjekur profesorë nga jashtë. Kurse, nëna e tij Imrane, për t’i ndihmuar, ka vendosur të ndryshojë karrierën e saj dhe ka hequr dorë nga studimet e mjekësisë. Thotë se Ylli ka ditur të lexojë dhe të shkruajë qysh shumë i vogël. Kur ka qenë vetëm katër vjeç ka ra në dashuri me matematikën dhe që atëherë nuk ka pushuar së zgjidhuri detyrat, ka filluar t’i ndajë publikisht njohuritë e tij dhe ka filluar vetë të bënte video edukative.
“Kur isha nëntë vjeç hapa një kanal për detyra të matematikës. Në fillim vendosa detyra më të lehta. Por kur punoja në to, nuk isha i sigurt, kështu që e pyesja profesorin Skënder Kastrati nga Kosova. Më pas, duke u konsultuar me të, fillova të postoja në YouTube detyrat që mësoja. Por, kam shikuar edhe profesorë të tjerë nga India, Pakistani, Amerika, Kosova, kudo që kam mundur. I punoja detyrat që ata i vendosnin dhe i postoja në YouTube. Ashtu mësoja. Më pas fillova të punoj me profesorin Musa Zuka dhe të ushtroj me të, si dhe kam marrë pjesë në gara”, tha Ylli.
Deri më tani ka fituar disa vende të para në garat komunale, shtetërore dhe rajonale. Por ai ndihet krenar edhe për suksesin e studentëve të cilët i mëson.
“Studentët më shkruajnë kur kanë nevojë, rreth dy-tri herë në javë. Ata kanë sukses. Për shembull, dy studentë që i përgatita për provimet e matematikës kaluan. Njëri prej tyre është nga Kosova, ndërsa tjetri nga Afrika, e këtij të dytit i kam ndihmuar me detyra me limite”, tha Ylli, duke shtuar se deri më tani ka shkruar dy përmbledhje me detyra që ende nuk janë botuar.
Tani, Ylli shpreson të vazhdojë shkollimin në gjimnaz matematikor, në vend se të vendnumërojë edhe një vit duke mësuar materiale nga shkolla fillore që tashmë i di.
Kujdestarja e tij, Meral Riza, ka shumë fjalë miradije për Yllin, por thotë se për fat të keq, programet arsimore në vendin tonë nuk janë të përshtatura për fëmijët e talentuar dhe kjo shpesh mund të jetë problem si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit.
Këtë eksperiencë e ndau edhe nëna e Yllit. Ajo thotë se shpeshherë, si prind përballet me problem për shkak të mungesës së një programi të përshtatur për fëmijët e talentuar.
“Nuk mund t’i drejtojmë me saktësi talentet me këtë sistem sepse nxënësit përpiqen që të jenë perfekt vetëm në aspekt të notave, por jo shumë për të zhvilluar talentin e tyre të vërtetë”, tha nëna e Yllit.
Video intervistën me gjeniun matematikor Ylli Morina dhe studentin Bunjamin Bahtijari ndiqeni në episodin e ri të Shortcut, sonte në orën 20 në kanalet e Portalb.mk në rrjetet sociale Instagram, Facebook, YouTube dhe TikTok.