Edhe pas arritjes në botërorin e “Turneut të kampionëve” nuk morëm mbështetje nga nga autoritetet, thonë nxënësit nga Shkupi
Pjesëmarrja në botërorin “Tournament of Champions” që mbahet çdo vit në Universitetin Yale në SHBA është një mundësi që gëzojnë nxënësit në mbarë botën të cilët punojnë me përkushtim në fusha të shumta shkencore, debatojnë dhe përgatiten për shkrime të përbashkëta dhe prezantime të përbashkëta me teza të mirë-përcaktuara.
Sonja, Tea dhe Gala nga shkolla fillore komunale “Bratstvo” – Karposh janë një nga pesë ekipet që këtë vit përfaqësuan vendin në garën ndërkombëtare të njohurive dhe mendimit kritik “Kupa botërore e dijetarëve-nxënësve” të mbajtur në Pragë, Republika Çeke pas së cilës siguruan një vend në “Turneun e Kampionëve” të ardhshëm, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Përveç faktit që arritja atje kërkon njohuri dhe përgatitje të jashtëzakonshme në shumë fusha, kërkon edhe financim për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit, akomodimin dhe ushqimin për pjesëmarrësit.
Garat funksionojnë me parimin që vetë ekipet të sigurojnë fondet e nevojshme. Edhe pse përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut para pjesëmarrësve nga e gjithë bota, ekipet e nxënësve këtë vit nuk morën asnjë mbështetje sistematike nga vendi për të inkurajuar arritjet e tyre.
“Për asnjë garë deri më tani nuk na ka ndihmuar as shteti, as qyteti, as ndonjë institucion tjetër. Të gjitha shpenzimet i mbuluan prindërit tanë, të cilëve u jemi shumë mirënjohës”, thotë Sonja Ivkoviq– nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Bratstvo”.
Të njëjtën gjë e thekson edhe Tea Sokolovska, e cila shton se pas raundit global në Pragë, ndihmë simbolike u ka dhënë vetëm kryetari i komunës së Karposhit.
“Komuna e Karposhit dhe kryetari Stevçe Jakimovski na njoftuan se do të na japin një çmim simbolik monetar, të cilin ne përsëri e vlerësojmë shumë, para së gjithash sepse është një mirënjohje për të arriturat tona”, theksoi ajo.
Përveç ekipit të tyre, në turne u kualifikuan edhe dy grupe të tjera të nxënësve nga shkollat e mesme “Johan Heinrich Pestalozzi” dhe kolegji “Yahya Kemal”.
Ekipi më lartë i rëndutur nga Maqedonia e Veriut ishte skuadra e shënuar me numër 249 nga”Johan Heinrich Pestalozzi”, i përbërë nga Lina Janeku, Srna Popovska dhe Damjan Stojanovski.
Me këtë rast, tre nxënësit u ftuan në bisedë nga kryetari i Komunës së Qendrës, Goran Gerasimovski. Ai gjatë takimit deklaroi se ndihet krenar për ta dhe u ka uruar suksese, si dhe i ka falënderuar “që janë ambasadorë të vërtetë dhe promovojnë vendin duke nxjerrë në pah cilësitë e tyre”.
Një pjesë e shpenzimeve të udhëtimit për në Pragë për një nga mentorët e këtij ekipi u mbulua nga një grant nga Komuna Qendër, por siç deklaruan prindërit, për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë fëmijëve që do të kualifikohen me përpjekjet e tyre , është e nevojshme të sigurohet mbështetje sistematike.
Kualifikimi në “Turneun e Kampionëve” arrihet duke kaluar të ashtuquajturat raunde të debatit global, në rastin e këtij viti, garën në Pragë që u zhvillua nga data 18 deri më 23 gusht.
Ekipet e vendit garuan atje kundër më shumë se 400 debatuesve nga 18 vende të botës. Për të fituar vendin e tyre së pari në Raundin Global dhe tani për të qenë në mesin e 20 ekipeve më të mira për renditjen e Turneut Botëror, të gjithë pjesëmarrësit duhej të kalonin teste dhe seanca debati lokal.
“Testi që duhet të kalojnë të gjithë debatuesit kombinon të gjitha lëndët: historinë, shkencën, teknologjinë, letërsinë, median, studimet sociale, artin, muzikën dhe sociologjinë. Përbëhet nga 120 pyetje dhe duke qenë se janë gjithsej gjashtë lëndë, do të thotë se për secilën lëndë janë rreth 20 pyetje”, thotë Ivkoviq.
Nxënësit na thanë se përgatitjet për këto konkurse përfshinin zgjerimin e njohurive të tyre në lëndët e shkencave të natyrës, psikologjinë dhe ndër to ushtroheshin vazhdimisht duke marrë kuize dhe teste, duke debatuar dhe shkruar ese.
“Ne kemi filluar të përgatitemi që nga muaji maj në atë mënyrë që një herë në javë kemi mbajtur mësim privat me mësues me përvojë, i cili i njeh kriteret dhe kërkesat e këtyre garave”, thotë Sokolovska.
Përveç orëve të tilla, siç thonë nxënësit, shpesh kanë pasur edhe diskutime dhe debate me ekipe të tjera, si dhe detyra të veçanta shtëpie.
“Mentorja jonë është profesoresha Cvetanka Tomevska, e cila jep mësim në shkollën private “Yahya Kemal! në Karposh. Pa mbështetjen, udhëzimet, mësimdhënien dhe ndihmën e saj nuk do të kishim arritur kaq shumë. Ajo na ka ndihmuar të përgatitemi për secilin nga eventet në konkurs dhe ne i jemi më shumë se mirënjohës për këtë”, tregon Sonja.
Të dyja vajzat thonë se synimet e tyre në jetë janë puna e vazhdueshme dhe investimi në vetvete, për, siç thonë ata, përmirësimin e vazhdueshëm të njohurive dhe mbi të gjitha personalitetit.
“Në 10 vjet e shoh veten si një person me arsim të lartë të përfunduar dhe me entuziazëm dhe dëshirë të madhe për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të përditshme për një të tashme dhe të ardhme më të mirë. Besoj se investimi te vetja dhe edukimi është investimi më i rëndësishëm që duhet të synojë çdo i ri”, thotë Tea.
Sonja thotë se sot askush nuk mund të japë vetëm një përgjigje për fotografinë e karrierës së tyre në të ardhmen.
“Njëra përgjigje është karriera e ëndrrave tona, ndërsa përgjigja tjetër është karriera që ofron më shumë para. Në një botë si sot, dëshirat nënvlerësohen për shkak të gjendjes ekonomike dhe financiare të njerëzve. Mendohet se një profesion ka më pak respekt se tjetri dhe për këtë ndonjëherë është e vështirë të vendosësh për të ardhmen sepse të gjithë duan të fitojnë ndjenjën e përfshirjes në mjedis”, thotë ajo.
Këto dy talente, të cilët përfaqësojnë vendin para botës me prezantime në gjuhën angleze, duke treguar aftësitë e tyre në shumë fusha të ndryshme, nuk kanë pasur asnjë mbështetje financiare për të njëjtën nga institucionet kompetente.
Përveç kësaj, siç thonë ata, ende nuk u është dhënë një njoftim për mbështetje për garën e ardhshme mbarë-botërore “Tournament of Champions” që do të mbahet nga 11 deri më 14 nëntor në Universitetin Yale.