Të rinjtë në fokus të shënjimit të sivjetmë të Ditës së Evropës 2022
Delegacioni i Bashkimit Evropian, së bashku me “Europe House”, do të shënojë Ditën e Evropës 2022 përmes një sërë aktivitetesh të organizuara nën sloganin #ThinkForward. Duke pasur parasysh se viti 2022 është viti evropian i rinisë, programi përfshin një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me rininë, informojnë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Ngjarja kryesore publike këtë vit do të jetë një përvojë unike artistike për të gjitha shqisat – koncert i kompozitorit, producentit dhe pianistit të njohur ndërkombëtarisht Duka Bojaxhiev. Koncerti do të mbahet më 8 maj në parkun e qytetit në Shkup.
Programi për Ditën e Evropës 2022 filloi më 5 maj 2022 me një ekspozitë të portreteve të dizajnuara artistikisht të të rinjve të titulluar “E ardhmja e Evropës” e instaluar në qendrën tregtare East Gate në Shkup.
“Maqedonia e Veriut ka të rinj të mrekullueshëm plot talent, energji dhe ide, të cilët janë bartës të vërtetë të vlerave evropiane. Personalitetet e paraqitura në këtë ekspozitë janë vetëm disa nga të rinjtë e shumtë të suksesshëm nga Maqedonia e Veriut. Ata u zgjodhën në mënyrë të rastësishme, bazuar në arritjet e tyre në fusha të caktuara, që përbëjnë të gjitha mjediset. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 5 qershor 2022”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.
Sot në mesditë, do të mbahet konferenca Rinore #ThinkForward: Youth Action TANI! që synon të rinjtë nga Ballkani Perëndimor (WB6) në të gjithë diversitetin e tyre, do të fillojë nga Europe House në Shkup në formatin e një shfaqjeje dinamike. Do të ketë lidhje të drejtpërdrejta me Europe House në Kriva Pallankë dhe Strumicë, si dhe me të rinjtë në Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Tiranë (2022 Kryeqyteti Evropian i Rinisë) dhe Novi Sad (2022 Kryeqyteti Evropian i Kulturës). Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe ambasadorët e rinj evropianë Renata Pençova dhe Aleksandar Karatošo do të bisedojnë me të rinjtë nga WB6 nga Europe House në Shkup.
Ngjarja promovuese do të transmetohet drejtpërdrejt në https://www.facebook.com/Delegation-of-the-European-Union-Skopje-199770503767478 dhe më tej do të transmetohet në televizionin shtetëror MTV më 09 maj në ora 17:45.
Pjesa e punës e konferencës do të zhvillohet më 09 dhe 10 maj në Qendrën Kulturore Rinore ku 30 të rinj nga të gjithë rajonet e Ballkanit Perëndimor do të takohen për të diskutuar zgjidhjet drejt ndërgjegjësimit më të mirë për shëndetin mendor, bashkëpunimin e zgjeruar rajonal dhe pajtimin, si dhe për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Kjo konferencë organizohet me mbështetjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe degës së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në Shkup.
Të rinjtë pjesëmarrës në konferencë do t’i prezantojnë përfundimet e punës së tyre kryeministrit dhe ministrave përkatës nga qeveria e Maqedonisë së Veriut – si partnerë dhe aktorë kyç për ndryshim për të mirë. Kjo do të bëhet në seancën “Qeveria merr përsipër” më 12 maj në orën 13:30, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga qeveria.
Ngjarja kryesore publike do të jetë një koncert në mbrëmje në ajër të hapur i kompozitorit, producentit dhe pianistit të njohur ndërkombëtarisht Duke Bojaxhiev, që do të mbahet në parkun e qytetit të Shkupit të dielën më 8 maj në ora 20:15. Ansambli i Duke Bojaxhiev prej 2 naratorëve dhe orkestrit prej 25 anëtarësh, do të performojë një ndërthurje të muzikës orkestrale dhe filmit, disa kompozime tradicionale ballkanike dhe poezinë e përjetshme të dashurisë së Rumit në maqedonisht dhe shqip. Koncerti është i paraparë si një përvojë unike kinematografike, që gjithashtu do të jetë edhe një lutje për paqen, në dritë të luftës në Ukrainë. Koncerti do të jetë i hapur për publikun dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin shtetëror MTV.
Programi i Ditës së Evropës 2022 do të mbyllet më 5 qershor, si Dita Botërore e Mjedisit me dorëzimin e Çmimit të Komunës më të Gjelbër, të promovuar nga Delegacioni i BE-së si pjesë e fushatës për promovimin e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.