RMV, u promovua dokument me sugjerime për përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve
Dje u mbajt ngjarja përfundimtare për prezantimin e dokumentit të politikave publike “Shëndeti mendor – tani është koha”, informuan nga ekipi i “Rinia mundet”, transmeton Portalb.mk.
Në këtë ngjarje u zhvillua diskutim në të cilin morën pjesë psikologia m-r. Tiana Ivanovska, mësimdhënësja d-r Fançe Joshevska dhe Eva Cvetkovska- kryetare PSU në UKIM për temat që janë përfshirë në dokumentin e politikave publike, si dhe propozimet për përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve.
Ngjarjen e hapën m-r Marko Gjorgievski (Drejtor i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet) dhe Diana Micevska (koordinatore e projektit), kurse foli edhe autorja e dokumentit për politika publike – Jasmina Mihajllovska.
“Nga bashkëpunimi me të rinjtë kuptojmë se të rinjtë me të vërtetë munden, kurse me mbështetjen e duhur do të mund të bëjnë edhe më shumë. Duhet të fillojmë nga baza që më tej të mund të hyjmë në çështje më të sakta”, tha Jasmina Mihajllovska.
Gjatë panel diskutimit, të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë pikëpamjet e palëve të interesuara dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve në vendin tonë.
“Problemi është sistemor, prandaj edhe zgjidhja është sistemore. Problemi që psikologëve u jepet punë administrative është real, kurse ata të cilët duan vërtetë të bëjnë ndryshimin nuk kanë hapësirë dhe burime për ta bërë këtë. Më e rëndësishmja është që të kemi dëshirë për ndryshim dhe më pas shteti të ketë vesh për të dëgjuar kërkesat”, tha psikologia m-r Tiana Ivanovska.
“Duhet të ndikojmë në të menduarit e nxënësve dhe t’i përgatisim ata për sfida të mëtejshme në jetë. Problemi është se theksi nuk është në shëndetin mendor të nxënësve, por vetëm te nxënësit të cilët kanë ndonjë lloj vështirësie të caktuar”, tha mësuesja dr. Fançe Joshevska.
Eva Cvetkovska, kryetare e PSU në UKIM tha që, së bashku me studentë dhe profesorë nga Instituti i Psikologjisë, është bërë një hulumtim dhe ka rezultuar se ka një përqindje e madhe e nxënësve, të cilët nëse do të kishin kushte do ta shfrytëzonin ndihmën e ofruar psikologjike.
“Prandaj iu drejtuam Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me propozim që të krijohen zyra të përhershme të psikologëve në UKIM që do të jenë pa pagesë, por fatkeqësisht hasëm në probleme me Ministrinë e Financave dhe UKIM dhe kjo nevojë reale për momentin mbetet e paplotësuar”, ajo tha.
Gjatë muajve të kaluar u organizuan tryeza të rrumbullakëta, në katër rajone të ndryshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet të cilave pikëpamjet e tyre i shkëmbyen të rinj, profesorë, mësues, prindër dhe psikologë.
Në bazë të konkluzioneve nga tryezat e rrumbullakëta u krijua ky dokument i politikave publike, thonë nga Rinia mundet. Si konkluzion përfundimtar i diskutimit, lindi nevoja që të gjitha institucionet të fokusoheshin kryesisht në parandalimin: T’i mësojnë të rinjtë se çfarë është në të vërtetë higjiena mendore, në një mënyrë që do t’i përshtatet moshës tyre.
“Shëndeti mendor – tani është koha” është projekt që Asociacioni Rinia mundet e zbaton në partneritet me Y-peer Maqedoni, si pjesë e programit Erasmus Plus të mbështetur nga Bashkimi Evropian.