Zaev mbron Rashkovskin: Prokurimi i softuerëve është i pastër si kristali

Rashkovski do të jetë fajtor kur të konfirmohet me vendim të formës së prerë të gjykatës. Edhe sot, konsideroj se ai nuk ka abuzuar me pozicionin e tij dhe ka kryer prokurime publike të pastra si kristali, tha Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për “Fokus” në lidhje me rastin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski, transmeton Portalb.mk.

“Mbetem në qëndrimin se qeveria mund të porosisë softuer pa pyetur askënd, ndërsa ministrisë i mbetet në se do ta përdor”, shpjegoi Zaev.

I pyetur nëse kjo nënkupton që ai nuk i beson Prokurorisë për Luftë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Zaev u përgjigj:

“Absolutisht nuk u besoj për këtë, si dhe për shumë raste të tjera, përfshirë rastet për opozitën, kur direkt thashë se ata nuk janë organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit. U thirra si dëshmitar i Prokurorisë dhe thashë se ajo (Ruskovska) nuk është në të drejtë. Ajo ishte dëshmia ime për këtë çështje në të cilën isha një nga të targetuarit kryesore në këtë rast. Kështu që nuk kam pse të pajtohem me të dhe me atë që pretendon ajo. Kam pasur pikëpamje të kundërta në lidhje me paraburgimin e Mile Janakieskit dhe Gordana Jankullovskës kur thashë se paraburgimi nuk duhet të jetë dënimi, por vetëm sigurimi i pranisë së tyre. Kushdo që ka thyer ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Por çfarë është ndryshe me këtë qeveri? Ligji zbatohet për të gjithë dhe askush nuk është i mbrojtur ose i përjashtuar, qoftë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, i cili konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Një gjë e tillë në të kalurën nuk mund as të imagjinohej as në ëndërr”, tha Zaev për Fokus.

Në konstatimin e “Fokusit” se në fund, fjalën përfundimtare do ta ketë gjykata, Zaev theksoi se përpara fakteve, heshtin edhe perënditë.

“Nëse  fiton argumentimi i prokurorisë dhe gjykatës, unë mund të mos pajtohem, por do të duhet të përkulem dhe ta respektoj atë”, tha kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë.

Përndryshe, Qeveria në seancën e mbajtur të martën udhëzoi Sekretariatin e Përgjithshëm të zgjidhë kontratën për prokurimin e shërbimeve – mirëmbajtjen e softuerit për marrjen e provimeve të institucioneve shtetërore, të lidhur gjatë periudhës kur Rashkovski ishte sekretar i përgjithshëm.

Kujtojmë se Dragi Rashkovski më 14 prill dha dorëheqje, për çka informoi publikun përmes një postimi në Facebook.

Gjashtë muaj më parë, Rashkovski u emërua sekretar për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e programit qeveritar në kabinetin e kryeministrit – funksion i ri që u prezantua menjëherë pas largimit të tij si sekretar i përgjithshëm i qeverisë.

Pas lajmeve të botuara në media që kishin të bënin me softuerin për shkeljet në trafik të blerë nga Rashkovski, derisa ai ishte sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në mars të këtij viti hapi para-hetim. Në atë kohë, Rashkovski ishte për pushime në Meksikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button