KShPK zgjeroi lëndën për Rashkovskin, hetim për prokurimin e dyshimtë publik prej 18 milionë denarë

Komisioni Antikorrupsion e ka zgjeruar çështjen për prokurimin e softuerit nga ish Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, shkruan”360 gradë”. Nga KShPK thonë se ka prokurime të tjera të dyshimta publike në lidhje me këtë rast, dhe të gjitha provat dhe të dhënat që i kanë do të dorëzohen në Prokurorinë publike, transmeton Portalb.mk.

“I kemi zgjeruar gjetjet tona edhe në prokurime tjera publike jo vetëm për prokurimin e zgjidhjes softuerike, por edhe për ato që lidhen me rastin: kamera, trekëmbësha, kabina të lëvizshme, ka më shumë prokurime publike, pra shuma e fondeve të shpenzuara për ato kontrata. është e madhe. Bëhet fjalë për 18 milionë denarë, përveç atyre 80 mijë euro”, tha Katica Nikollovska, anëtare e KSHPK.

Ish Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski aktualisht është në paraburgim, si dhe pronari i ndërmarrjes “Invoka group”, Daniel Stançev.

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit njoftoi se ndoshta do të hetojë nëse legjitimiteti i provimeve aktuale elektronike në institucionet shtetërore është vënë në dyshim, sepse kompania e përfshirë në tender me softuerin, “Invoka Group”, i menaxhon edhe provimet shtetërore. Duke qenë se Prokuroria i konfiskoi kompjuterët, sistemi për provimet shtetërore elektronike aktualisht është i bllokuar.

Aty kryheshin provimet e licencave për shoferë, ndërmjetësit, ekspertët, menaxherët e kompanive për grumbullim të skrapit, agjentët doganorë, kujdestarët për përkujdesje si dhe provimet  për gjyqtarët dhe prokurorët publik të ardhshëm.

Edhe atë tender – për provimet shtetërore, “Invoka Group” e ka lidhur me Rashkovskin.

Është interesant se dhoma që  “Invoka Group” grup e kishte marrë në Fakultetin e drejtësisë, në të kaluarën, kishte qenë zyrë joformale e Dragi Rashkovskit. Siç është shkruar në hyrje, këtu kishte qenë qendra kompjuterike e fakultetit, të cilën e ka menaxhuar Rashkovski, si krijues dhe themelues i sistemit për provime elektronike dhe menaxhim elektronik të dosjeve studentore në Fakultetin e drejtësisë.

Kujtojmë se Dragi Rashkovski më 14 prill dha dorëheqje, për çka informoi publikun përmes një postimi në Facebook.

Përndryshe, pesë muaj më parë, Rashkovski u emërua sekretar për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e programit qeveritar në kabinetin e kryeministrit – funksion i ri që u prezantua menjëherë pas largimit të tij si sekretar i përgjithshëm i qeverisë.

Pas lajmeve të botuara në media që kishin të bënin me softuerin për shkeljet në trafik të blerë nga Rashkovski, derisa ai ishte sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion muajin e kaluar hapi para-hetim. Në atë kohë, Rashkovski ishte për pushime në Meksikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button