Reagimet për shkarkimin e Damevës nuk po pakësohen, ndërsa besimi te drejtësia dobësohet edhe më tej

Për zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor, kur kryetarja Vesna Dameva u shkarkua në seancë skandaloze me sherre dhe zënka, sot ka reaguar edhe Gjykata Supreme, nga ku thonë se “po i përcjellin me vëmendje zhvillimet dhe inkurajojnë këshillin që të kapërcejë situatën, në radhë të parë në interes të qytetarëve”, transmeton Portalb.mk.

“Inkurajojmë Këshillin Gjyqësor që ta kapërcejë situatën në radhë të parë në interes të qytetarëve dhe në atë drejtim të vazhdojë përpjekjet për përgatitjen e Strategjisë së Reformës në Drejtësi, ndryshimet e nevojshme ligjore dhe zbatimin e standardeve evropiane, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit. Lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe kthimi i besimit publik”, thuhet në reagimin e Gjykatës Supreme.

Për mënyrën e shkarkimit të Damevës ka reaguar edhe grupi Blueprint për reformat në drejtësi, ku janë anëtarë shtatë organizata. Në një deklaratë ata i janë referuar procedurës së shkarkimit dhe pretendojnë se asnjë dispozitë e ligjit nuk parashikon procedurë për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor ose shkarkimin e një anëtari të Këshillit Gjyqësor mbi ndonjë bazë tjetër, me përjashtim të rasteve kur vjen deri te përcaktimi i përgjegjësisë disiplinore .

“Dëshirojmë të theksojmë se Rregullorja e punës së Këshillit Gjyqësor nuk përmban dispozita që rregullojnë procedurën apo arsyet e shkarkimit të kryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, që do të thotë se nuk ka bazë ligjore për të marrë Vendim për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së. Për më tepër, sipas Rregullores, propozuesi i votimit nuk ka të drejtë vote në këtë rast”, thuhet në njoftimin e tyre.

Grupi Blueprint beson se rregullimi i pamjaftueshëm i disa dispozitave ligjore nuk nënkupton sjellje të papërshtatshme, pra interpretim arbitrar të dispozitave ekzistuese.

Pas shkarkimit të Damevës, siç raportuan mediat, në fakt qëndron mbrojtja e gjyqtarit të Apelit Enver Bexheti, për të cilin Këshilli Gjyqësor konstatoi se lëndën “Fortesa-Target” e mbajti në sirtar për 9 muaj, që të vjetërohej. Sipas Sdk.mk, para dhjetë ditësh është dorëzuar një iniciativë për përgjegjësinë e tij, por iniciativa është bllokuar dhe gjoja plani ka qenë që nëse Dameva e vendos në rend dite iniciativën për shkarkimin e Bexhetit, ajo do të hidhet pish, siç ka ndodhur në të vërtetë. Ishte planifikuar, dhe me mbrojtjen e strukturave të caktuara politike nga partitë shqiptare, që Bexheti të mos shkarkohej, por të avancohej në pozitën e gjyqtarit suprem. E gjithë kjo, siç shkruan Sdk.mk, është bërë me ndihmën e nënkryetarit të Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi dhe me presion ndaj anëtarëve të tjerë të këshillit.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka shprehur shqetësim serioz për ngjarjet në seancën e Këshillit Gjyqësor. Antikorrupsionistët u kujtuan personave që janë në postet më të larta shtetërore dhe ushtrojnë kompetenca publike detyrimin për të respektuar parimet e ligjshmërisë dhe integritetit nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, i cili ndalon çdo ndikim gjatë përzgjedhjes, emërimit dhe shkarkimit i drejtuesve.

Presidenti Stevo Pendarovski vlerësoi se ngjarjet e seancës së Këshillit Gjyqësor nuk i përshtaten këtij organi që ka një rol shumë të përgjegjshëm, duke pasur parasysh kompetencat që ka në zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve, kujdesin për reputacionin e gjyqësorit si faktor kyç për besimin e qytetarëve tek gjyqësori.

Me procedura të tilla, siç thuhet në reagimin e Pendarovskit, zvogëlohet edhe më shumë besueshmëria jo vetëm e Këshillit Gjyqësor, por edhe besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Seanca e djeshme, në të cilën duhej të zgjidhej kryetari i ri i Këshillit Gjyqësor, u shty për më 2 maj në orën 11:00. Nënkryetari Ademi tha se arsyeja e vonesës ishte se ishte e dëshirueshme që të marrin pjesë të 13 anëtarët.

Ademi nuk ka dhënë deklaratë për gazetarët, të cilët kanë kërkuar sqarime për vërejtjet e organizatave joqeveritare dhe ekspertëve se shkarkimi i Damevës është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me procedurat dhe Rregulloren dhe nuk është përgjigjur se për shkarkimin nuk ishte e nevojshme prania e të gjithë anëtarëve.

Në ndërkohë, Ministria e Drejtësisë kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që të dorëzojë për inspektim procesverbalin e mbledhjes si dhe rendin e ditës të miratuar, ditën e shkarkimit të Damevës.

“Ministria e Drejtësisë po ndjek me shumë shqetësim ngjarjet në Këshillin Gjyqësor. Pavarësisht se Këshilli Gjyqësor është një organ i pavarur që duhet të sigurojë autonominë dhe pavarësinë e autoritetit gjyqësor, kjo që po ndodh aktualisht do të ndikojë shumë në besimin e mëtejshëm të qytetarëve tek gjyqësori”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se ndan qëndrimin me Ministrinë e Drejtësisë, se asnjëherë nuk ka ndërhyrë në instancat gjyqësore dhe nëse ka pasur ndërhyrje politike në gjyqësor, të prekurit të raportojnë.

“Unë personalisht mund të them se nuk kam pasur asnjëherë takim me asnjë kryetar gjykate apo me kryetar të Këshillit Gjyqësor sepse gjykatat janë të pavarura, gjyqësori është i pavarur, pushteti ekzekutiv është i pavarur dhe pushteti legjislativ është i pavarur. Secili duhet të kryejë punën e tij brenda kompetencave të tij. Nëse dikush ka ndërhyrë në to, do të duhet ta raportojnë vetë përmes procedurës përkatëse”, tha Kovaçevski.

Skenat si ato nga seanca për shkarkimin e kryetares paraprake Dameva, kryeministri Kovaçevski përsëriti se nuk i takojnë autoritetit më të lartë në gjyqësor.

“Ministria e Drejtësisë dje ka pasur një deklaratë në të cilën ka dhënë mendimin që ndaj edhe unë. Kërkohet që në kuadër të kompetencave të tij, të shikojë vetë procesverbalin e seancës në Ministrinë e Drejtësisë. Ajo që mbetet është që organet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre në nivelin e duhur”, thotë kryeministri Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button