Rashkovski bleu softuer për gjobitje në trafik, ndërsa MPB-ja nuk di për të dhe as planifikon ta përdorë

Pak njerëz i vërejnë, por ato janë pothuajse në çdo semafor në Shkup. Kamerat e sigurisë u instaluan gati 10 vjet më parë për të monitoruar hapësirën publike, por edhe me plan për të ndëshkuar automatikisht shkeljet e trafikut, shkruan 360 gradë, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit njoftoi se kamerat do të fotografonin çdo shkelje së bashku me targën e regjistrimit, ndërsa dënimi do të arrinte në adresën e shtëpisë së pronarit të automjetit, së bashku me fotografinë e shkeljes në trafik.

Pas një qetësie disa vjeçare, vitin e kaluar, qeveria paraprake e Zoran Zaevit bleu softuer që do të mundësojë gjobim automatik.

Por kanë kaluar më shumë se tetë muaj që kur softueri duhej të dorëzohej, ndërsa kamerat nuk po vendosin gjoba. Kërkimi i përgjigjes pse, hap dilema shtesë.

Softuerin nuk e ka blerë resori kompetent i Ministrisë së Brendshme, por Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë – atëkohë i kryesuar nga Dragi Rashkovski.

Njoftimi u bë në nëntor të vitit 2019,u paraqitën tre kompani, ndërsa me fituesin “Invoka Group” në shkurt të vitit 2020 u nënshkrua kontratë me vlerë rreth 81.000 euro. Softueri, i cili duhet të përcaktojë shpejtësinë, vendndodhjen, targën dhe të regjistrojë shkeljet, siç është kalimi në të kuqe, do të dorëzohej më së voni deri në korrik të vitit 2020.

Rashkovski: Softueri nuk është në funksion për shkak të koronës dhe ndryshimeve të nevojshme ligjore

Rashkovski, i cili tani është sekretar në zyrën e kryeministrit i ngarkuar me monitorimin e zbatimit të programit qeveritar dhe projekteve strategjike, thotë se dorëzimi ishte në kohë, ndërsa se softueri nuk është në funksion për arsye të tjera.

“Softueri është dorëzuar, testuar dhe është në pronësi të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por për shkak të fillimit të koronës dhe sepse ekziston nevoja për ndryshime të caktuara ligjore që duhet të pasojnë, para së gjithash në fushën e mbrojtjes së të dhënave, duhet parë nëse mbivendoset diku me mbrojtjen e privatësisë së njerëzve. Të gjithë ata segmente janë përfshirë, filloi me një aktivitet pune dhe pritet që të kalojë pandemia, të cilën shohim se po qetësohet ngadalë, në mënyrë që të finalizojmë të gjithë procesin për zbatimin e tij të mëtejshëm”,  tha Rashkovski.

Por, përse sekretariati i përgjithshëm bleu softuer për gjobitjen e shkeljeve në trafik kur një gjë e till është punë e policisë, e cila, nga rruga, menaxhon me sistemin aktual “Safe city”? Rashkovski përgjigjet se sigurimi është pjesë e një koordinimi më të gjerë me disa institucione, me qëllim që të forcojë sigurinë në trafik.

“Sistemi i “Safe city”, për sa jam une në dijeni, është më kompleks se ky lloj softueri. Kjo duhet të jetë vetëm një pjesë e të gjithë sistemit “Safe city”, mund dhe duhet të jetë vetëm një pjesë e tij. Prandaj, sistemi ‘Safe city’, të cilin Ministria e Brendshme dëshiron ta implementojë, nga ajo që di unë, pasi e dini që përderisa isha sekretar i përgjithshëm,  i komunikuam ato të dhëna, por në të ardhmen kjo zgjidhje që është bërë, ideore apo plotësisht i zbatueshëm, mund të jetë pjesë e sistemit”Safe city”, tha Rashkovski.

Sekretariati për një periudhë të gjatë është përpjekur të blejë softuerin, siç dëshmohet nga dy tenderët e pasuksesshëm në vitin 2019.

Por pse u ble softueri para se të shihej nëse kamerat aktuale të MPB-së mund t’i përgjigjeshin nevojës?

“Softueri është i zbatueshëm për çdo lloj kamere. Duhet të përcaktohet nëse karakteristikat teknike të kamerave ekzistuese janë të mjaftueshme, pasi ato janë instaluar disa vite më parë. E dimë që teknologjia po përparon shumë shpejt dhe sot është më lehtë të blini kamera të reja sesa të mirëmbani ose përditësoni kamerat e vjetra. Patjetër, sigurimi i kamerave që do të monitoronin do të bëhej nga Ministria e Brendshme”, tha Rashkovski.

Softueri nuk është në planet e Ministrisë së Brendshme

Por qëndrimi i Ministrisë së Brendshme bie në kundërshtim me atë që thotë Rashkovski. Primare, thonë ata, se kamerat në sistemin “Safe city” nuk mund të përdoren për qëllimin e softuerit që bleu Rashkovski. Ata përgatisin projektin e tyre për gjobitje përmes video-mbikëqyrjes, kurse për softuerin e sekretariatit të përgjithshëm thonë se nuk kishte koordinim.

“Lidhur me sigurimin e softuerit për të cilin pyesni, ju informojmë se ai softuer nuk është pjesë e sistemit të Ministrisë së Brendshme dhe për këtë arsye nuk ka nevojë për koordinime, megjithatë mund të koordinohet me organet e tjera shtetërore, duke pasur parasysh që kompetencat për këtë çështje kanë edhe institucione të tjera shtetërore”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Sidoqoftë, në vend, sipas Ligjit për siguri në trafik, vetëm policia ka të drejtë të ndajë gjoba. Dhe nëse nga Ministria e Brendshme thonë se softueri nuk është për ata, përgjigjen se ku do të instalohet dhe pse e ka blerë sekretari i përgjithshëm u kërkua në Qeveri. Përgjigjet më specifike në korrespondencë ishin:

“Softueri është i destinuar kontrollimin dhe kontrollin e pajisjeve / kamerave me ndihmën e të cilave përcaktohet shpejtësia mesatare e automjeteve…”;
“Sistemi është në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse më tej mund të dorëzohet për përdorim në çdo institucion shtetëror”, thonë nga Qeveria.

Fillkov: Është e palogjikshme të sigurohet softuer pa e ditur se ku do ta përdorësh 

Sipas German Filkov nga Qendra për komunikime civile – organizatë joqeveritare që monitoron prokurimet publike, blerja e softuerit në rrethana të tilla është e palogjikshme.

“Softueri nuk mund të sigurohet, kurse hardueri dhe softueri duhet të vihen në përdorim pas disa vitesh, gjë që kërkon ndryshime ligjore dhe nuk e di se çfarë. Pse është nxituar? Kur të krijoheshin kushtet, le të sigurohej edhe softueri edhe hardueridhe le të vendoseshin në funksion. Nëse ishin ulur të shkruajnë dhe të shpjegojnë nevojën për prokurim, pse duhet ai prokurim, pse iu duhet tani, pse në atë vëllim, me atë cilësi, ndoshta mund t’ju bëhej e qartë se prokurimi nuk është i nevojshëm tani, por se duhet të pritet kur të krijohen kushtet që i gjithë sistemi të funksionojë”, tha Filkov.

Kompania që e ka punuar softuerin, e formuar në qershor të vitit 2017, dy javë pas ardhjes së LSDM-së në pushtet, siguroi se nuk do të vjetërohet dhe se mund të përdoret me çfarëdo kamere.

“Softueri nuk favorizon asnjë kamera, përkundrazi, është i destinuar për çdo brend dhe çdo lloj kamere që janë të destinuara për këtë qëllim. Është testuar në autostradën Miladinovc-Shtip dhe në rrugën ‘Partizanska’. Është dorëzuar së bashku me kodin burimor, në mënyrë që edhe nëse ka ndonjë nevojë për përditësim, mund ta bërë çdo njësi ekonomike”, thonë nga kompania “Inovka Group”.

Tre tenderë të fituar – të tre me Sekretarinë e përgjithshme

Sa i përket “Inovka Group”, vihet re që të tre prokurimet publike që i fitoi kjo kompani, janë përmbyllur me Sekretariatin e përgjithshëm, kur me të udhëhiqte Dragi Rashkovski. Në rastin konkret, Qeveria i pagoi kompanisë për shërbimin e përfunduar më 9 korrik të vitit të kaluar, gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Nga kompania pretendojnë se paraqiten edhe në tenderë të tjerë, ndërsa hedhin poshtë çdo relacion me Rashkovskin.

“Procesi ishte absolutisht i hapur për të gjitha kompanitë që duan të aplikojnë. Kështu që, do t’ju kisha lutur, pa imponime tendencioze, pasi nuk është korrekte të thoni se dikush, në një periudhë kur gjithçka ishte konkurruese, kur kishte tre kompani, të thotë se lidhen me mua. Sipas meje, është thjesht referim për diçka që absolutisht nuk është kështu në realitet”, tha Rashkovski.

Përkundër faktit se softueri nuk është funksional edhe pas tetë muajsh nga data kur është dashur të dorëzohet, Rashkovski është i bindur se blerja është e justifikuar. Për German Filkov nga Qendra për komunikime civile, prokurimi konkret është një tjetër në setin “e blerë – e papërdorur”.

“Ky është një prokurim specifik, nuk është si të tjerët, pasi është një prokurim i pavarur, por funksionaliteti i tij varet nga një prokurim tjetër. Dhe prandaj nuk është me të vërtetë e qartë se si do të respektohen ato afate të garancisë, mirëmbajtjes, etj., kur softueri faktikisht nuk po funksionon, nuk është funksional në kuptimin për të cilin është menduar. Edhe ky është një problem i vjetër në prokurimin publik, disa herë në raportet e auditimit ka pasur indikacione nga Enti shtetëror i revizionit për pajisje të blera jofunksionale, ruhet, nuk vihet në përdorim dhe skadon periudha e garancisë dhe periudha e mirëmbajtjes e paguar në tender  dhe në atë mënyrë, paratë publike harxhohen në mënyrë irracionale, gjegjësisht ka humbje në partë publike”, tha Filkov.

Pikëpamjet e kundërta të Ministrisë së Brendshme dhe ish Sekretarit të Përgjithshëm Rashkovski nuk premtojnë se softueri me vlerë 81.000 euro do të vihet në funksion. Edhe nëse bëhet fjalë për koordinim të keq, shihet qartë që askush nuk e ka ndërmend ta pranojë gabimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button