Policia ka arrestuar Dragi Rashkovskin, prokuroria kërkon paraburgim (VIDEO)

Këtë mëngjes, policia arrestoi ish-sekretarin në kabinetin e Kryeministrit dhe ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, pasi Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lëshoi ​​urdhër për hetimin e rastit të prokurimit të softuerit për shkelje në trafik, të cilin nuk e përdor asnjë institucion, mëson “360 gradë“, transmeton Portalb.mk.

Është arrestuar edhe pronari dhe menaxheri i ndërmarrjes që fitoi tenderin e prokurimit të diskutueshëm “Inovka Group”, Daniel Stançev.

Rashkovski dhe Stançev pritet të sillen para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Penale – Shkup.

“360 Gradë” tashmë ka njoftuar se me urdhrin e hetimit përfshihen gjithsej katër persona. Për dy të tjerët, prokuroria propozon masa të tjera sigurie.

Dragi Rashkovski më 14 prill dha dorëheqjen, për çka informoi publikun përmes një postimi në Facebook.

Përndryshe, pesë muaj më parë, Rashkovski u emërua sekretar për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e programit qeveritar në kabinetin e kryeministrit – funksion i ri që u prezantua menjëherë pas largimit të tij si sekretar i përgjithshëm i qeverisë.

“Kur politika (politizimi) bëhet më e zhurmshme se shkencat natyrore, atëherë atmosfera e punës bëhet e papërshtatshme për dikë që është mësuar të kërkojë logjikën në gjithçka. Prandaj po ju paraqes këtë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve gjatë realizimit të programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe të projekteve strategjike. Roli im si në këtë pozicion ashtu edhe në pozicionin e mëparshëm si Sekretar i Përgjithshëm ishte që t`i jepja një dimension të ri dinamik jetës shoqërore”, thuhej mes tjerash në letrën e Rashkovskit drejtuar kryeministrit Zoran Zaev.

Pas lajmeve të botuara në media që kishin të bënin me softuerin për shkeljet në trafik të blerë nga Rashkovski, derisa ai ishte sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion muajin e kaluar hapi para-hetim. Në atë kohë, Rashkovski ishte për pushime në Meksikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button