RMV, i’u merret pasaporta dhe e drejta për të ushtruar detyrën dy personave të përfshirë në skandalin me blerjen e softuerit

Me propozim të Prokurorisë themelore publike në Shkup, Gjykata ka vendosur masë të kujdesit edhe për dy personat e përfshirë në rastin e blerjes së softuerit për komunikacion, ku është i përfshirë ish-sekreari i Qeverisë, tashmë i arrestuari Dragi Rashovski, transmeton Portalb.mk.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi që të pranoje propozimin dhe ndaj të dyshuarve të përcaktojë masën e kujdesit”, raportojnë nga Gjykata themelore në Shkup.

Në masat e kujdesit përfshihet ndalesa për të lëshuar vendbanimin, nevoja për t’u paraqitur para organeve përkatëse, marrjen e pasaportës dhe pamundësia për të lëshuar vendin dhe ndalesë për t’u marrë me aktivitetet që kanë të bëjnë me veprën penale.

Palët kanë të drejtë të ankohen në Këshillin penal ndaj këtij vendimi të Gjykatës.

Ndryshe, Prokuroria në Maqedoninë e Veriut më 16 prill ka njoftuar që në lidhje me blerjen e softuerit, po hetohen katër persona për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, një vepër e dënueshme në bazë të paragrafit 5 në nenin 353 nga paragrafit 1 në Kodin Penal.

Prokuroria ka vlerësuar që nga ky rast është dëmtuar Buxheti i Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme mbi 11 milionë denarë. Për këtë rast, më 16 prill policia arrestoi ish-sekretarin në kabinetin e Kryeministrit dhe ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, pasi Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lëshoi ​​urdhër për hetimin e rastit të prokurimit të softuerit për shkelje në trafik, të cilin nuk e përdor asnjë institucion

Pesë muaj më parë, Rashkovski u emërua sekretar për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e programit qeveritar në kabinetin e kryeministrit – funksion i ri që u prezantua menjëherë pas largimit të tij si sekretar i përgjithshëm i qeverisë.

“Kur politika (politizimi) bëhet më e zhurmshme se shkencat natyrore, atëherë atmosfera e punës bëhet e papërshtatshme për dikë që është mësuar të kërkojë logjikën në gjithçka. Prandaj po ju paraqes këtë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit për monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve gjatë realizimit të programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe të projekteve strategjike. Roli im si në këtë pozicion ashtu edhe në pozicionin e mëparshëm si Sekretar i Përgjithshëm ishte që t`i jepja një dimension të ri dinamik jetës shoqërore”, thuhej mes tjerash në letrën e Rashkovskit drejtuar kryeministrit Zoran Zaev.

Pas lajmeve të botuara në media që kishin të bënin me softuerin për shkeljet në trafik të blerë nga Rashkovski, derisa ai ishte sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion muajin e kaluar hapi para-hetim. Në atë kohë, Rashkovski ishte për pushime në Meksikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button