Ndihma e Shpejtë, punësimet në Shtëpinë e Shëndetit të Shkupit ende s’janë realizuar

27 Maji në botë konsiderohet të jetë si Dita Ndërkombëtare e Mjekësisë Emergjente apo Ndihmës së Shpejtë, në këtë vazhdë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas përfshirjes së 12 autoambulancave të reja në rrjetin e ndihmës së shpejtë, në rrjedhë ështl realizimi i punësimeve dhe përfundimi i analizës së fizibilitetit, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Ndihma e Shpejtë e RMV-së, sot u promovuan gjashtë autoambulancat e reja (VIDEO)

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Zllate Memedoviq sot deklaroi se konkurset për punësime ende janë në rrjedhë, dhe të njëjtat priten të përfundojnë për 10 ditë. Në tërë Shtëpinë e Shëndetit parashihet punësimi i 25 mjekëve, dhe rreth 30 punonjësve të tjerë: motra medicinale, teknikë, stomatologë, rëntgenologë, psikologë dhe farmacistë, mirëpo ende nuk dihet sa prej tyre do të shërbejnë në Ndihmën e Shpejtë.

“Ka pasur dy konkurse. I pari ka qenë për 5 mjekë, por edhe për 10 motra medicinale, stomatologë, rëntgenologë, psikologë, biokimistë, farmacistë, biologë, punonjës teknikë, ku kishte më shumë punësime. Në tërësi numri i punësimeve në konkursin e parë janë 37. Në konkursin e dytë, i cili u hap pak para zgjedhjeve presidenciale është për 20 mjek. Sa prej tyre do të jenë për Ndihmën e Shpejtë, do të realizojmë vlerësim pasi t’i mbyllim konkurset, dhe do të shohim se kush nga ato do të shkojë për Ndihmën e Shpejtë. Gjithsej do të kemi 25 mjek që do të punësohen nga të dy konkurset, 5 nga konkursi i parë, dhe 20 nga konkursi i dytë. Kur do t’i sjellim vendimet për punësime, do të shohim se sa prej tyre do të shkojnë në Ndihmën e Shpejtë. Gjatë dhjetëditëshit të ardhshëm mendoj se do të përmbyllen të dy konkurset. Pastaj do të sillet vendim, me çka vijon edhe periudha e ankesave. Pasi të përfundojë ky proces, do t’i kemi mjekët”, tha Memedoviq.

Në konferencë për media të pranishëm ishin: Ministri Venko Filipçe, zëvendësministri Asim Musa, drejtori mjekësor dhe administrativ i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Zllate Mehmedoviq dhe Besim Koka
Ministri Venko Filipçe, zëvendësministri Asim Musa, drejtori mjekësor dhe administrativ i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Zllate Mehmedoviq dhe Besim Koka. Foto: Borçe Popovski

Shtëpia e Shëndetit të Shkupit ka nevojë edhe për 6 autoambulanca

Në bazë të tenderit që u nënshkrua në dhjetor të 2018-s, Ministria e Shëndetësisë bleu 12 autoambulanca, ku gjashtë prej të cilave shkuan në Shtëpinë e Shëndetit të Shkupit, dhe 6 të tjera në: Strugë, Dibër, Kërçovë, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Berovë. Megjithëse Shkupi mori gjysmën e veturave, të njëjtat sipas drejtorit Memedoviq nuk i përmbushin nevojat aktuale dhe reale të qytetit të Shkupit. Sipas tij, duhet edhe 50 përqind e rrjetit të Ndihmës së Shpejtë të riparohet.

“Ne kemi nevojë ta riparojmë tërë rrjetin vozitës, me këto 6 veturat e reja është riparuar thuajse 50 përqindëshi i këtij rrjeti, kjo do të thotë se duhet edhe 50 përqindëshi i rrjetit të riparohet më së paku, që të kemi një rrjet të ri, sepse edhe veturat që i kemi, janë të vjetra thuajse 7 vjet, dhe janë me defekte”, tha Memedoviq.

Meqë me tenderin e 2018-s Ministria e Shëndetësisë kurseu mjete nga shuma e paraparë për blerje të 12 autoambulancave, ministri Venko Filipçe ka paralajmëruar se do të realizojë analizë për të parë nevojat e të gjitha qendrave shëndetësore të cilat ofrojnë shërbim të Ndihmës së Shpejtë, për të marrë vendim për blerje të autoambulancave të reja.

“Kur do të vinin edhe aq vetura sa i kemi tash, ne në tërësi do ta riparojmë rrjetin vozitës”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Zllate Memedoviq.

Ende nuk dihet se a do të hapen pikat që u mbyllën gjatë 2016-s

Prej 2016-s, autoambulanca nuk ka në pikat në Çento, në Gjorçe Petrov, në Draçevë,Petrovec,Çuçer Sandevë të Shkupit, kurse mbulesa dhe dhënia e shërbimit shëndetësor sigurohet nga ana e pikave të tjera. Në lidhje me këtë, siç deklaroi sot Memedoviqi ende nuk është sjellë vendim se a do të rihapen apo jo, pasi që presin të realizohen punësimet.

“Do të bëjmë vlerësim në pajtim me numrin e të punësuarve të ri, të shohim se cilat janë mundësitë dhe cilat pika janë me prioritet, që sërish të hapen, që mos të kemi vonesa më shumë se 20 minuta, që të përgjigjet në kohë reale aty ku ka nevojë”, tha Memedoviq.

LEXO: Shtëpia e Shëndetit të Shkupit: mjetet që na ndahen për Ndihmën e Shpejtë nuk mjaftojnë

Krahas kësaj, Ministria e Shëndetësisë siguroi tetë furgonë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit me Ujërat, mirëpo për të njëjtat ende nuk është hapur tender për pajisim. Furgonët nuk do të shfrytëzohen për punë në terren, por vetëm për transport të pacientëve.

Nga ana tjetër, në rrjedhë është edhe realizimi i analizës së fizibilitetit e cila pritet të përfundojë në fillim qershorit, me çka do të japë përgjigje se a do të privatizohet ndihma e shpejtë apo jo, megjithëse me privatizimin sipas ekspertëve do të shkatërrohej mbrojtja shëndetësore.

LEXO: Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni urgjentisht i duhet ndihmë! (VIDEO)

Në analizën që e realizoi Portalb.mk për shërbimin e Ndihmës së Shpejt, intervenime duhet të bëhen në shtëpitë e shëndetit ku kanë autoambulanca të amortizuara dhe të vjetërsuara, dhe ku ka numër të ekipeve dhe të autoambulancave që nuk korrespondon me numrin e popullsisë, si: Kërçova, Probishtipi, Kumanova, Gostivari, Koçani dhe Dibra. Të njëjtat shtëpi edhe kanë kërkuar autoambulanca dhe ekipe shtesë. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2018-të 6 milionë denarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e 40 autoambulancave, nga tetë shtëpi të shëndetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button