Ndihma e Shpejtë, Ministria ka siguruar edhe 8 autoambulanca të tjera (VIDEO)
Ministria e Shëndetësisë nga Ministria e Pylltarisë, Bujqësisë dhe Menaxhimi të Ujërave ka siguruar edhe 8 autoambulanca të reja, të cilat me pajisje shtesë, do të predestinohen për shërbimin e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, deklaroi sot ministri Venko Filipçe, duke u përgjigjur pyetjes së Portalb.mk: “Se kur do të porositen 12 autoambulancat dhe a pritet blerje e autoambulancave të reja?”
“Blerja e 12-të autoambulancave ka mbaruar, dhe deri në fund të muajit, kur është afati i fundit i porosisë, i presim të njëjtat, të cilat do të shpërndahen në tërë shtetin, por më shumë në Shkup. Njëkohësisht kemi marrë informacion nga Ministria e Pylltarisë, Bujqësisë dhe Menaxhimit me Ujërat se kanë në dispozicion 8 furgonë të cilat kanë qenë të dedikuara për qëllim tjetër, por mund që në tërësi të predestinohen, duhet të pajisen, dhe me vendim të Qeverisë, do t’i marrin edhe ato. Me këto 8 furgonë, do ta kompletojmë sistemin e Ndihmës së Shpejtë në tërë shtetin”, tha Filipçe.
LEXO: Jokonsekuencë dhe populizëm rreth “Mercedesit” luksoz
Edhe pse i pyetur se a do ta mbajë Qeveria e RMV-së premtimin parazgjedhor, ta shesë “Mercedesin” për të blerë vetura të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, ministri Filipçe nuk u përgjigj në të njëjtin, ndërkaq tha se në shërbimin problem nuk janë vetëm veturat, por edhe plotësimi i kuadrit mjekësor: “Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtëpinë e Shëndetit të Shkupit do të ketë edhe 40 punësime të reja, por edhe gjithandej shtetit”, tha Filipçe.
LEXO: Ndihma e Shpejtë në Shkup, punësimet e reja do të realizohen pas zgjedhjeve presidenciale
Mjekët e rinj specializimet do t’i kryejnë edhe në Ndihmën e Shpejtë
Sipas asaj që deklaroi ministri Filipçe, në shërbimin e Ndihmës së Shpejtë do të mund të kryejnë specializimin edhe mjekët që sapo janë licencuar në Odën e Mjekëve.
“Risi është që në shërbimin e Ndihmës së Shpejtë do të mund të punësohen të gjithë mjekët që sapo kanë kryer, dhe kanë marrë licencën në Odën e Mjekëve. Kjo nënkupton se të gjithë mjekët, do të mund të kryejnë specializim me kompensim parash në kohëzgjatje prej 6 muajsh edhe në Ndihmën e Shpejtë”, tha Filipçe.
Trajnime për personelin e Ndihmës së Shpejtë
Më 27 dhjetor të 2018-s, Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasada e Izraelit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me të cilën parashihet edukim dhe trajnim shtesë i personelit mjekësor të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë. Ky trajnim siç u paralajmërua sot, do të fillojë nesër, dhe do të përfshijë edhe personelin e Ministrisë për Punët të Brendshme, e Njësitit të Kundërzjarrit dhe të Armatës së RMV-së.
“Me këto edukime e avancojmë dhe e zhvillojmë sistemin shëndetësor, në kushte të katastrofave dhe krizave të mëdha. Edukimi parasheh koordinim më i mirë i shërbimit të Ndihmës së Shpejtë dhe të shërbimeve të tjera që janë të obliguara për dhënien e ndihmave të tilla”, tha Filipçe.
Në analizën që e realizoi Portalb.mk për shërbimin e Ndihmës së Shpejt, për intervenime duhet të bëhen në shtëpitë e shëndetit ku kanë autoambulanca të amortizuara dhe të vjetërsuara, dhe ku ka numër të ekipeve dhe të autoambulancave që nuk korrespondon me numrin e popullsisë, si: Kërçova, Probishtipi, Kumanova, Gostivari, Koçani dhe Dibra. Të njëjtat shtëpi edhe kanë kërkuar autoambulanca dhe ekipe shtesë. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2018-të 6 milionë denarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e 40 autoambulancave, nga tetë shtëpi të shëndetit.
LEXO: Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni urgjentisht i duhet ndihmë! (VIDEO)