Anesteziologu që shpërndau video nga Gjinekologjia e Tetovës mbeti pa licencë, Gjykata ia vazhdoi paraburgimin për 30 ditë

Oda e Mjekësisë ia mori licencën anesteziologut nga Spitali i Tetovës, Valton Dervishi, i cili ka incizuar dhe publikuar video me pacientë të Gjinekologjisë së Tetovës në “TikTok”, njofton Portalb.mk.

Më 24 prill, Gjykata e Nderit e Odës së Mjekëve u mblodh dhe vendosi që Dervishi, i cili është mjek specialist anesteziolog, të mbetet pa licencë për shtatë vjet, që është dënimi maksimal që mund të shqiptohet për shkelje etike në punë.

“Me vendimin e sotëm, organet e Odës, si përfaqësues legjitimë të të gjithë anëtarëve të saj, dërgojnë mesazhin se mjekët besojnë në vlerat dhe rregullat etike dhe do të angazhohen fuqishëm për respektimin e vazhdueshëm në punën e tyre”, thuhet në njoftimin e Odës.

Në ndërkohë, Gjykata Penale e Tetovës e ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe anesteziologut ia ka vazhduar paraburgimin edhe për 30 ditë.

Më 14 mars nëpunësit policor arrestuan Valton Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se Dervishi i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin TikTok, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore.

Anesteziologu pas kësaj u përjashtua nga puna, ndërkaq me propozim të Prokurorisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Tetovës, për mjekun u caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button