Deri më 11 prill Ministria do t’i ketë në dispozicion autoambulancat e reja
Deri më 11 prill, Ministria e Shëndetësisë do t’i ketë në dispozicion dhe që më pas t’i shpërndajë 12 autoambulancat e reja për të cilat në dhjetor nënshkruajti tender me ndëmarrjen “Automotiv Grup”, transmeton Portalb.mk.
“Veturat janë duke arritur nga dy, por deri më 11 prill besoj se do të arrijnë të gjitha”, thanë nga Kabineti i ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në rrjedhë është edhe analiza e fizibilitetit për gjetjen e mënyrës së funksionimit të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), e cila është duke u realizuar me partneritet publik-privat, për të cilin më 29 mars skadoi afati 60-ditor për përfundim të të njëjtit nga ndërmarrja kontraktuese “BASME-KT”. Siç njoftuan nga Kabineti i Filipçes, analiza ende nuk ka përfunduar.
“Analiza e fizibilitetit është në fazë të përpunimit, dhe pas mbarimit ajo do të prezantohet në publik. Gjatë përgatitjes së analizës së fizibilitetit, u pa se ka nevojë më shumë kohë nga koha e paraparë me tenderin, dhe për shkak të kësaj është nënshkruar aneks marrëveshje për afatin, me qëllim që të merren të dhëna të sakta nga gjendja faktike. Më konkretisht, analiza e fizibilitetit parashihet të japë pasqyrë faktike të gjendjes, të aspektit ekonomik dhe juridik, propozim modele për përmirësim të situatës, propozim vendim për nisjen e procedurës, postulate bazike të dokumentit tenderues dhe propozim model për marrëveshje dhe konkludime”, thonë më tej nga Kabineti i Filipçes.
Analiza duhet të tregojë mënyrën e funksionimit të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë, dhe për shkak se ajo realizohet në partneritet publik-privat, ngjalli reagime të shumta në publik, ngaqë mund të dërgojë në privatizimin e ndihmës së shpejtë.
LEXO: Ndihma e Shpejtë: Analiza e fizibilitetit do të kushtojë 600 mijë denarë, gati në fund të marsit
Në analizën që e realizoi Portalb.mk për shërbimin e Ndihmës së Shpejt, për intervenime duhet të bëhen në shtëpitë e shëndetit ku kanë autoambulanca të amortizuara dhe të vjetërsuara, dhe ku ka numër të ekipeve dhe të autoambulancave që nuk korrespondon me numrin e popullsisë, si: Kërçova, Probishtipi, Kumanova, Gostivari, Koçani dhe Dibra. Të njëjtat shtëpi edhe kanë kërkuar autoambulanca dhe ekipe shtesë. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2018-të 6 milionë denarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e 40 autoambulancave, nga tetë shtëpi të shëndetit.
LEXO: Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni urgjentisht i duhet ndihmë! (VIDEO)