Stacioni i pastrimit për kromin gjashtëvalentësh në Jegunovcë do të komandohet nga distanca

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për momentin i finalizon aktivitetet për tenderin e shpallur për komandë nga largësia të stacionit të pastrimit në kuadër të fabrikës “Jugohrom” në Jegunovcë, ku bëhet pastrimi i mbetjeve të lëngshme “të pasura” me krom gjashtëvalent kancerogjen nga deponia industriale. Bëhet fjalë për një nga pikat e nxehta ekologjike në vendin tonë, e cila paraqet rrezik potencial për ujërat nëntokësorë të masivit të Zhedenit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Këto ditë do të nënshkruhet marrëveshja me “realizuesin”, thonë për Meta.mk nga Ministria e mjedisit jetësor, duke sqaruar realizimin e tenderit për menaxhim nga largësia të stacionit të pastrimit në “Jugohrom”.

Në periudhën vijuese, kjo Ministri do të shpallë edhe tenderin për kimikatet e nevojshme dhe prekursorët për funksionim të pandërprerë të stacionit të pastrimit, si dhe tenderin për mirëmbajtjen e pajisjeve në këtë objekt. Ato theksojnë se bëhet fjalë për aktivitete të rregullta, që ministria i realizon çdo vit.

Në pjesën e sanimit të shtresuesit në stacionin e pastrimit në “Jugohrom”, ka prolongim të aktiviteteve, por nga Ministria theksojnë se projekti do të përfundojë.

“Tenderi për sanimin e shtresuesit, u shpall në vitin 2022. Për shkak të kushteve klimatike me lagështi në muajin dhjetor, nuk pati mundësi të përfundojë, prandaj disa aktivitete përfundimtare mbetën për këtë vit. Tenderi është në fazë përfundimtare dhe deri në fund të kësaj jave, realizuesi duhet të dorëzojë raport. Pas dorëzimit të raportit, shtresuesi do të lëshohet në funksion”, informojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Kah fundi i dhjetorit vitin e kaluar, ministri paraprak i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini njoftoi se në buxhetin e shtetit për vitin 2023 janë paraparë mjete në shumë prej 9,15 milionë eurosh për funksionim të pandërprerë të stacionit të pastrimit në “Jugohrom”.

Ministrja e re e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Kaja Shukova këto ditë sqaroi se stacioni i pastrimit me të cilin ulet ndotja me krom gjashtëvalentësh duhet patjetër të funksionojë. Ajo realizoi takim me të punësuarit e stacionit të pastrimit në “Jugohrom”, duke i informuar se do të punojë në drejtim të zgjidhjes së problemit me pagesën e të ardhurave mujore të të punësuarve, me kërkesat për mjete plotësuese për kujdestari gjatë ditëve jo pune, si dhe me sigurimin e pajisjeve plotësuese mbrojtëse.

Përndryshe, funksionimi normal dhe i pandërprerë i stacionit të pastrimit në “Jugohrom” për momentin është shpëtimi i vetëm nga ndotja me krom gjashtëvalentësh e lumit Vardar dhe ujërave nëntokësorë në Jegunovcë. Meta.mk në shkurt të vitit të kaluar realizoi vizitë të deponisë në Jegunovcë, ku janë të deponuar 850.000 tonë mbetje industriale nga puna e “Jugohromit”.

Ndikimi negativ i kësaj pike të nxehtë ekologjike mund të zbutet nëpërmjet funksionimit të stacionit të pastrimit, sepse në deponinë në Jegunovcë ka 7.500 tonë krom gjashtëvalentësh që është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Vetëm 11.000 metra katrorë nën sipërfaqen e deponisë janë të mbuluara me folje mbrojtëse, qe duhet të pengojë depërtimin e kimikateve të rrezikshme te ujërat nëntoksorë. Njëherit, në vitin 2003 është ndërtuar edhe një sistem kullimi që i përfshin mbetjet e lëngshme, ndërsa ujërat e ndotura nëpërmjet gypave i dërgon deri te stacioni i pastrimit në fabrikën “Jugohrom”.

Megjithatë, edhe pas dy dekadave funksionim të të gjithë sistemit, në teren mund të vërehen probleme në punën e pandërprerë të stacionit të pastrimit. Gjegjësisht, në shkurt të vitit të kaluar, gjatë vizitës tonë në deponinë industriale në Jegunovcë, vërejtëm prani të ujit me ngjyrë të verdhë-portokalle dhe të kuqe të errët “të pasur” me krom gjashtëvalentësh pranë stacionit pompues të vendosur jashtë deponisë, direkt pranë lumit Vardar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button