Privatizimi i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, do ta shkatërrojë mbrojtjen shëndetësore në Maqedoni

Pas hapjes së tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për gjetjen e partnerit për kryerjen e analizës së fizibilitetit për gjetjen e modelit të funksionimit të shërbimit të ndihmës mjekësore të shpejtë, me anë të partneritetit publik – privat, opinioni prej ekspertësh, partitë dhe qytetarët shprehen skeptik se ky model është më ideali për Maqedoninë, transmeton Portalb.mk. Thuhet se kjo do ta shkatërrojë edhe atë pak mbrojtje shëndetësore të qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Venko Filipçe

Në konkursin e hapur më 3 nëntor 2018, i cili do të mbyllet më 14 nëntor, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë kërkon: “Përpilim të studimit dhe analizës së fizibilitetit për mundësitë dhe kapacitetet e shërbimit të ‘Ndihmës së shpejtë’ dhe vizitë shtëpiake, me qëllim të gjetjes së modelit për vendosjen e partneritetit publik-privat”.

Siç thuhet më tej në konkurs: “Nuk parashihet ndryshimi i çmimeve, respektivisht çmimet e parashtruara në ofertë i ofertës më të volitshme do të jenë fikse sa do të zgjatë marrëveshja e furnizimit publik”.

Shkak për analizën e fizibilitetit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë është shërbimi jo-efikas i Ndihmës së Shpejtë, gjë për të cilën ka shkruar Portalb disa herë, dhe gjetja e një modeli të pranueshëm dhe të zbatueshëm për Maqedoninë.

“Për momentin gjemë mënyra për ta përmirësuar situatë. Konkretisht modeli për partneritet publik-privat për ndihmën e shpejtë funksionon në Itali. Nga këto arsye vendosëm që të bëjmë studim fizibiliteti që ta testojmë mundësinë e Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni. Fizibliteti do të tregojë se a është ai model i zbatueshëm edhe tek ne”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Liridon Disha

Liridon Disha, mjek i mjekësisë së përgjithshme, sektor i cili është privatizuar dekada më parë, kujtoi se ka pasur raste kur koncesionet e ambulantave u janë dhënë sipërmarrësve, gjë e cila sillte situata që shërbimi të mos jetë kompetentë dhe joefikas.

Megjithatë ai tha se privatizimi mund të japë efekte pozitive, nëse procedura zhvillohet në bazë të ligjit.

“Nëse kemi procedura të njëjta siç ishin me mjekësinë primare, edhe me Ndihmën e Shpejtë, atëherë mund të kemi situata kur ato mund të udhëhiqen nga subjekte jokompetente, sepse ashtu ka ndodh edhe me dhënien e koncesionit të ambulancave të mjekësisë së përgjithshme. Në shumë raste u janë dhënë “biznesmenëve”, të cilët kanë punësuar mjekët për të bërë punën e mjekut. Privatizimi i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë mund të japë rezultate pozitive vetëm nëse bëhet në mënyrë të rregullt dhe pa ndikime partiake. Koncesionet duhet t’u nënshtrohen rregullave dhe t’u përmbahen dispozitave ligjore”, tha mjeku Liridon Disha.

Mirjana Najcevska
Mirjana Najçevska

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska thotë se privatizimi i shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë do ta shkatërrojë edhe atë pak mbrojtje shëndetësore të qytetarëve.

“Është i nevojshëm një ministër i cili do ta përmirësojë sistemin e mbrojtjes shëndetësore, e jo ta shndërrojë atë në pazar, i cili do ta mbajë korrupsionin e metastazuar dhe i cili do ta stërpik edhe atë mbrojtje shëndetësore të pakët që ka mbetur te qytetarët. Si mundet një sipërmarrës, i cili dëshiron të përfitojë dhe të realizojë ekstra profit, të jetë më i miri në dhënien e shërbimit”, tha Najçevska.

Partitë: Privatizimi i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë – paaftësi e menaxhimit

Sipas partisë Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe “E majta” (Levica), privatizimi i shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë është shenjë se Ministria e Shëndetësisë është e paaftë për menaxhim dhe sigurim të mbrojtjes shëndetësore të qytetarëve të Maqedonisë. Ata thonë se vendime të tilla, të paparlajmëruara, nuk e rritin konkurrencën mes shërbimeve shëndetësore publike dhe private, por janë qëllim për përfitime ekonomike.

Bekim Tateshi
Bekim Tateshi

“Kjo edhe njëherë tregon se kjo qeveri aktuale në aspekt të menaxhimit të shëndetësisë në Maqedoni, nuk ka ide. Vetë qëndrimi dhe vetë këto ide të reja që paraqiten, tregon se këto aspak nuk i përmbahen premtimeve parazgjedhore, se në shëndetësi do të realizojnë reforma thelbësore. Në asnjë moment nuk ka pasur ndonjë deklaratë se do të shkohet në privatizim të shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, që ne e shohim si diçka e papritur. Ka pasur edhe një ide tjetër, që kardiokirurgjia pediatrike, prej klinikës shtetërore, të kalojë në spitalin privat “Zhan Mitrev”. Ne jemi për atë që shëndetësia publike dhe private duhet të jenë në konkurrencë, por jo të varen njëra nga tjetra”, tha udhëheqësi i sektorit për shëndetësi në Aleancën për Shqiptarët, Bekim Tateshi.

 

"E majta" (Levica)
“E majta” (Levica)

“Si mund të arsyetohet kjo masë për privatizim të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë? Nëse si argument ofrohet jofunksionaliteti i segmentit të cilin dëshiron ta privatizojë, atëherë cili argument është qesharak, se shëndeti publik gjatë viteve të fundit ka treguar mangësi në rezultatin e menaxhimit të pjesës së Ndihmës Mjekësore të Shpejtë. Nuk ka ndonjë Pazar për ‘Ndihmën e shpejtë”, që të vërtetohet se konkurrencën e ka shkatërruar shteti. Me këtë argument, Qeveria pranon se është e paaftë në mënyrë organizative dhe në kapacitet për të përmirësuar dhe përparuara këtë segment të mbrojtjes shëndetësore. Dhe nëse nuk është e aftë, zgjidhje është që jepet dorëheqje, dhe jo ta privatizojë”, thonë nga partia majtiste “Levica”.

Përndryshe, se shërbimi i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë në Maqedoni nuk është efikas kanë treguar edhe të dhënat, ku vetëm brenda një viti kemi pasur tre raste të reja të prishjes së autoambulancave, si rezultat kemi pasur edhe humbje jetësh të qytetarëve.

Nga ana tjetër, që të shmangen situatat e prishjes së autoambulancave të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë në Maqedoni, Ministria e Shëndetësisë parasheh edhe sjelljen e një rregullore të veçantë, në bazë të së cilës do të servisohen dhe ndërrohen veturat varësisht kilometrazhës së kaluar. Me këtë kriter të Ministrisë nuk pajtohen automekanikët, sepse sipas tyre kriter i ndërrimit dhe servisimit të veturave duhet të jetë viti i përdorimit dhe vendi ku përdoren veturat, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Ministria parasheh ndërrim të autoambulancave varësisht kilometrazhës, automekanikët thonë që kjo nuk është zgjidhje e mirë
LEXO: Ndihma e shpejtë në Maqedoni: autoambulanca të ngadalshme që shpesh prishen 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button