Duhet shumë punë për të rregulluar kaosin e komunikacionit në Tetovë (VIDEO)
Gjatë vitit 2018 në Tetovë figurojnë gjithsej 39.026 automjete të regjistruara me targa të Tetovës. Me popullsi rreth 200.000 banorë, sistemi aktual i rrjetit rrugor është i papërshtatshëm për këto shifra, gjë e cila vërehet nga mbingarkesa e komunikacionit, transmeton Portalb.mk.
Kaosi në komunikacion në Tetovë është një problem me të cilin qytetarët përballen çdo ditë, rradhë të gjata pritjeje, numër i madh i aksidenteve, dëmtimi i rrugëve, mungesa e parkingjeve, mungesa e vijave të bardha dhe sinjalizimit vertikal. Gjatë muajve të verës numri i automjeteve rritet dukshëm, komunikacioni është edhe më i dendur se zakonisht dhe thuajse është e pamundur lëvizja nëpër qytet me automjet apo veturë.
“Është thuajse e pamundur të arrish nga një pikë në tjetrën për më pak se njëzet minuta, sado afër qoftë. Zgjedhje tjetër pos të dalim me vetura nuk kemi sepse s’kemi transport publik. Është shumë stresuese të vozisësh në rrugët e Tetovës”, u shpreh një vozitës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë thonë se në Tetovë figurojnë gjithsej 39.026 automjete të regjistruara.
“Nga të dhënat që kemi, gjatë vitit 2018 në Tetovë figurojnë gjithsej 39.026 automjete të regjistruara me targa të Tetovës. Ky numër rritet dukshëm gjatë muajve të verës, shkaku i ardhjes së mërgimtarëve nga jashtë vendit”, tha Fatmir Rexhepi nga MPB Tetovë
Ndryshe, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi disa herë ka premtuar se do të zgjerohet parkimi zonal në qytet, ndonëse të njëjtat ende nuk janë ndërtuar. Të njëjtën e ka deklaruar në një intervistë për Portalb në maj të vitit të kaluar. Ndërtimi i katër bulevardeve kryesore në qytet shihej gjithashtu si një zgjidhje e mundshme për lehtësimin e komunikacionit, megjithatë asnjëra prej tyre nuk është e ndërtuar tërësisht.
Në Komunën e Tetovës ende nuk ka transport publik andaj dhe qytetarët detyrohen të lëvizin me automjetet e veta. Lëvizjen e automjeteve nëpër qytet e vështirësojnë edhe çiklistët, për të cilët nuk ka të dedikuar korsi biçikletash.
Shoferët e papërgjegjshëm që parkojnë veturat anash rrugës dhe mos funksionimi i shpeshtë i sinjalizimit rrugor kontribuojnë në kaosin në komunikacion.
Në videon e më poshtme mund të shihni se si zhvillohet komunikacioni në Tetovë.