VMRO – DPMNE me akuzë se një simpatizante e Putinit është pjesë e ekspertëve në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese

VMRO – DPMNE-ja opozitare sot, përmes një komunikate me shkrim, akuzoi se, njëra ndër ekspertët në grupin punes, e cila do të marrë pjesë në përgatitjen e amendamenteve kushtetuese, është simpatizante e presidentit rus, Vladimir Putin. Sipas partisë, bëhet fjalë për Jagoda Mitrevskën – profesoresh në Universitetin Ndërkombëtar Sllav, transmeton Portalb.mk.

“Jagoda Mitrevska është anëtari i ri në grupin punues për ndryshimet kushtetuese të cilin e formoi Kovaçevski. Ajo është lavdëruar se ka marë pjesë në fushata zgjedhore në Rusi, ndërsa në fotografi shihet se si fotografohet me mburrje para hapësirave dhe flamujve të partisë së Putinit. Një fotografi e tillë është publikuar në rrjetet sociale dhe të njëjtën e dërgojmë të bashkangjitur me këtë kumtesë”, theksohet në komunikatën e shkruar të VMRO – DPMNE-së.

Jagoda Mitrevska në selinë e partisë së Putinit/ Foto: VMRO - DPMNE
Jagoda Mitrevska në selinë e partisë së Putinit/ Foto: VMRO – DPMNE

Partia opozitare akuzoi se, në vend të ekspertëve, kryeministri Dimitar Kovaçevski vendosi që në pjesën e ekpsertëve të grupit punues për ndryshimet kushtetuese të jenë njerëz të cilët, siç thonë, nuk janë as ekspert as nuk kanë pasur përvojë nga fusha, por kanë lidhje të dyshimta politike.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi para disa ditëve se, pret përgjegjësi penale për eskpertët të cilët janë të kyçur në grupin punues për përcaktimin e amendamenteve kushtetuese, sepse, siç tha, puna e tyre është  e kotë pasi do të marrin honorare nga qytetarët, ndërsa praktikisht nuk do të punojnë asgjë.

Ministria e Drejtësisë më 19 prill publikoi listën e ekspertëve që do të marrë pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese. Pjesë e këtyre ekspertëve janë profesorë dhe ish-kryetar e ish-gjyqtarë, që në kuadër të grupit punues kanë për detyrë të përgatitin propozimet për ndryshimet kushtetuese.

Opozita edhe nga blloku maqedonas edhe nga ai shqiptar, nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button