Alternativa vendosi të kthehet në opozitë

Alternativa sot pas mbledhjes së Kuvendit Qendror të partisë vendosi të kthehet në opozitë, kjo si rezultat i hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e cila ngushtoi kolltukun e partisë Alternativa me të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë ishin në koalicion, i cili zgjati deri dhjetorin e vitit 2021 kur Alternativa vendosi nga opozita të kalojë në pozitë. Me ndryshimet e fundit në Qeveri, dy ministri të Alternativës nesër pritet t’i kalojnë ASh-së, shkruan Portalb.mk.

Këtë vendim e bëri të ditur, i pari i partisë Afrim Gashi përmes konferencës për shtyp, ku tha se tani e tutje me tre deputetët e saj do vazhdojnë në opozitë, ndërkaq tha se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e Qeverisë.

“Ne sot kemi vendosur që Alternativa bashkë me tre deputetët dhe të gjithë strukturat tona, sot e tutje do të jetë parti opozitare. Megjithatë ne mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane”, tha Afrim Gashi.

Gashi theksoi se parterët e tyre të deridjeshëm e tejkaluan vijën e fundit etike dhe nuk patën durim të presin as vendimin e Kuvendit  Qendror të tyre që, siç tha ai flet shumë për moralin e tyre politik. Ai tha se LSDM-ja nuk ka implementuar marrëveshjen politike dhe atë kadrovike plotësisht, me të cilën ata u bënë pjesë e Qeverisë, ku siç theksoi Gashi me futjen e tyre në Qeveri mundësuan stabilizimin e Qeverisë.

“Në fund ata në mënyrë të njëanshme, gati brutale, e thyen marrëveshjen dhe vendosën që ta ndajnë rrugën me ne duke përfshirë në shumicë parlamentare një parti tjetër. Kjo flet keq për ata dhe jo vetëm për ata si parti, si subjekt që nuk i bëhet vonë që i thyen marrëveshjet dhe nuk i respektuan ata që i shpëtuan jetën, kjo flet keq edhe për një vend që synon vlera evropiane”, tha Gashi.

Mes tjerash ai theksoi se do mbështesin ndryshimet kushtetuese, ndërkaq me ndryshimet e fundit tha se është rrezikuar e ardhmja evropiane e vendit. Ndërkaq, nga tani e tutje do merren me partinë që në zgjedhjet e ardhëshme të dalin më të suksesshëm.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua të enjten se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Sipas propozim zgjidhet kadrovike që Kovaçevski i dorëzoi Kuvendit, Alternativa do të humb pozicionet e saja aktuale të ministrave në dy resore – Shëndetëtësi si dhe Shoqëri Informatike dhe Administratë, ndërsa në vend të tyre do të vijnë kuadro të Aleancës për Shqiptarët.

Dje nga LSDM-ja bënë të ditur se bashkëpunimi me Alternativën mbetet i hapur edhe për më tutje.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi ka caktuar për nesër (13 shkurt) në orën 15 seancën për rikonstruimin e Qeverisë, pas pranimit të propozimit për rikontruim të Qeverisë, të dorëzuar nga ana e kryeministrit Dimitar Kovaçevskit.

Në rend dite në këtë seancë është propozimi për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë së RMV-së, propozimi për zgjedhje të anëtarëve të Qeverisë, propozimi për shkarkim të zëvendësministrave të Qeverisë si dhe propozimi për zgjedhje të zëvendësministrave të Qeverisë.

Si pjesë të zgjidhjeve kadrovike janë propozuar këto emra:

  • Për ministër të Drejtësisë është propozuar Krenar Lloga- ASh
  • Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Fatmir Mexhiti- ASh
  • Për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu- ASh
  • Për ministre të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është propozuar Kaja Shukova- LSDM,
  • Për zëvendësministër i Mbrojtjes është propozuar Tiron Jajaga- ASh,
  • Për zëvendësministre e Drejtësisë është propozuar Viktorija Avramovska Madiq- LSDM,
  • Për zëvedësministre e Bujqësisë Vjollca Berisha- ASh,
  • Për zëvendësministre e Shëndetësisë Maja Manoleva- LSDM,
  • Për zëvendësministër i Arsimit Agim Nuhiu- BDI.

LSDM-ja sot përmes nëpërmjet një kumtese njoftoi se me zgjerimin e Qeverisë, përkatësisht me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, kanë siguruar shumicën për reforma dhe stabilitet politik të vendit.

“Me përfshirjen e Aleancës si partner i ri i koalicionit në Qeveri, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik, avancim të sundimit të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe institucioneve. Në kohën kur kriza energjetike dhe ekonomike vazhdon ende, është e një rëndësie të madhe parandalimi i bllokadave të VMRO-DPMNE-së, që të mos ketë ligje të bllokuara në Kuvend. Shumica parlamentare do të punojnë me përkushtim për integrim të përshpejtuar evropian”, thanë nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër, opozitarja VMRODPMNE, sot përmes një komunikate për media thanë se përderisa qytetarët nuk dinë si të mbijetojnë dita ditës, Qeveria nga Kovaçevski, Ahmeti dhe Taravari “nuk ka asgjë më të mirë për të sjellë për qytetarët dhe shtetin. Për të dalë nga kjo agoni duhen menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare.”

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexheti sot për Alsat bëri të qartë se “Grupi i Zjarrit” nuk voton për ndryshimet në Qeveri. Grupi i Zjarrit rreth vetes përveç Mexhitit ka edhe dy deputetë të tjerë Merita Koxhaxhikun dhe Kastriot Rexhepin.

“Nuk mund të pretendojmë që i bashkojmë shqiptarët apo ti bashkojmë në frontin evropian kur po e përçajmë vet subjektin apo shtëpinë tonë, andaj është e qartë se është një aleancë për interesa, aleancë e pazareve dhe për të heshtur zërin ndryshe dhe nga ata propozime që i pashë nuk ka asnjë vlerë evropiane. Kjo nuk ka të bëjë as me frontin evropian as me ndryshimet kushtetuese, por thjesht është për ta heshtur zërin ndryshe dhe nëse ekzekutivi do të votohet prapë nga 64 deputet atëherë përsëri zoti Ahmeti është në minus, pra BDI është në minus”, tha Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

Mexhiti thotë se me hyrjen e ASH-së në Qeveri, humbësi më i madh është BDI-ja, pasi i merret një ministër dhe një zv/ministër. Mexhiti thotë se është fat që Grupi i Zjarrit nuk kishte ministër sepse do ta merrnin edhe atë, sikurse e morën zv/ministrin e Mbrojtjes Bashkim Hasani.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ditë më parë i pyetur për hyrjen e ASh-së në Qeveri tha se “është vendim i tyre (ASh-së), ne (Lëvizja Besa) vazhdojmë rrugëtimin tonë si parti opozitare”.

Kujtojmë se, ASH gjatë javës së fundit ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të Qeverisë, në nivel të grupeve punuese, me qëllim që t’i bashkohet shumicës parlamentare. Grupet e punës finalizuan negociatat të enjten. Ndërkaq, këtyre negociatave i ka paraprirë takimi i 31 janarit mes kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.

Më 24 dhjetor të vitit 2022, Arben Taravari u zgjodh kryetar i Aleancës për Shqiptarët, pasi paraprakisht dha dorëheqje Ziadin Sela, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet për Këshillin e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button