Arben Taravari u zgjodh kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Në kongresin e tretë (të jashtëzakonshëm) të Aleancës për Shqiptarët (ASh) të mbajtur sot, Arben Taravari u zgjodh kryetar i kësaj partie për katër vitet e ardhshme, ai ishte kandidat i vetëm për këtë post, shkruan Portalb.mk.

Taravari pasi mori besimin e delegatëve të kongresit për të udhëhequr me partinë deklaroi se do angazhohet në avancimin e partisë.

“Besoj dhe uroj që në periudhën e ardhshme të kemi periudhë ku do të jemi intensivisht në terren, ku do të mundohemi ta profesionalizojmë partinë, ta riorganizojmë dhe të bëjmë fushatë të vazhdueshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdoqoftë që të mbahen ato”, theksoi Taravari.

Ndër të tjera sot në Kongres u bënë ndryshime në statut të partisë si dhe u votua kodeksi i partisë

I pyetur për hyrje në Qeveri, Taravari tha se nuk ka ofertë konkrete, por, edhe nëse marrin ofertë të tillë ajo do të diskutohet dhe vendoset nga kryesia qendrore e partisë, ku për dy javë pritet të mbahet kuvendi qendror dhe të zgjidhet kryesia e partisë, ku sipas Taravarit do të ketë fytyra të reja.

Kryetari paraprak i partisë, Ziadin Sela në kongres deklaroi se partitë politike nuk mund të jenë pronë e individit.

“Partitë politike nuk mund të jenë pronë e një individi, e unë sot jam këtu me krenarinë më të madhe për të thënë se unë i qëndrova fjalës ashtu siç i kam qëndruar shumë fjalëve tjera deri tani. Aleanca për Shqiptarët nuk ka qenë kurrë e Ziadin Selës dhe nuk do të jetë e askujt tjetër, përveç se e shqiptarëve”, tha Sela.

Taravari është kryetar aktual i Gostivarit, ndërsa nga shtatori i këtij viti ishte ushtrues detyre kryetar i ASh-së. Taravari paraprakisht ka qenë sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, ndërsa në maj të vitit 2022 u emërua në postin e nënkryetarit.

Në kongres kishte të pranishëm edhe nga partitë tjera të vendit, pozita dhe opozita.

Kongresi i jashtëzakonshëm i ASh-së erdhi pasi Ziadin Sela tani më ish kryetar i partisë dha dorëheqje me 21 gusht të vitit 2022 pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve për Këshillin Komunal të Tetovës ku ASh-ja nuk arriti të merr as edhe një këshilltar. Pas asaj, Taravari u përzgjodh si ushtrues detyre i kryetarit të partisë.

Përndryshe, pas mosmarrëveshjes me kryesinë e Partisë Demokratike Shqiptare për nevojat për reforma brenda partisë, Ziadin Sela me mbështetje brenda partisë, inicioi nga qyteti i tij i Strugës Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare në mars 2015. Më vonë në vitin 2015 Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare u regjistrua si parti politike me të njëjtin emër, e drejtuar nga Ziadin Sela. Gjatë vitit 2016, Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare miratoi si emërtim zyrtar Aleancën për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button