Hyrja e ASH-së në Qeveri e ngushtoi kolltukun e partive qeveritare në RMV

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua mbrëmë se do të jetë pjesë e Qeverisë, të cilën në nëntor të vitit 2021 bashkë me kolegët opozitare dështuan ta rrëzojnë me votëbesim në Kuvend. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari mbrëmë nëpërmjet konferencës për shtyp, njoftoi se partia ka vendosur që të hyjë në qeverinë, në të cilën do të ketë tre pozita ministrore dhe dy zëvendësministrore. Sipas Taravarit, dy zëvendësministra do t’i kenë në Mbrojtje dhe Bujqësi, si dhe tre ministri, nga të cilat të sigurta janë Drejtësia dhe Shëndetësia dhe e treta do të jetë ose për Shoqërinë informatike ose zëvendëskryeministër për Çështjet Ekonomike.

Hyrja e ASH-së në Qeveri, do të krijojë që të ketë rikonstruim të qeverisë, duke e pasur parasysh se partitë brenda saj do të duhet të bëjnë rokada.

Alternativa, në këtë rast, do ta humb Ministrinë e Shëndetësisë, me të cilën do të udhëheqë Bekim Sali, ndërkaq LSDM, Ministrinë e Drejtësisë, me të cilin udhëheqë Nikolla Tupançevski dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi

Megjithatë, duke e pasur parasysh se LSDM mbrëmë ka siguruar se nuk do të zvogëlohet numri i tyre i ministrave, atëherë ka gjasë që BDI të heqë dorë nga një Ministri, që t’ia plotësojë numrin LSDM-së. Në këtë rast, më të përfolurat janë ministritë e Arsimit dhe Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, megjithatë nuk dihet se çfarë do të marrë në këmbim të kësaj.

Pos, ministrave, rokada pritet të bëhen edhe në pozitat e zëvendësministrave duke e pasur parasysh se ASH do t’ia zë vendin Bashkim Hasanit të BDI-së në Mbrojtje dhe Abdylshyqyr Abedinit në Bujqësi.

Ash gjithashtu do të marrë edhe poste nga eshalonët tjera, megjithatë, deri më tani nuk flitet zyrtarisht për emra, por vetëm për poste.

Nëpër media tanimë kanë filluar të nxirren jozyrtarisht emrat e funksionarëve për pozitat e caktuara.

Jozyrtarisht, Fatmir Mexhiti nga ASH do të jetë ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, ndërkaq Krenar Lloga ministër i Drejtësisë. Elmi Aziri, është emri më i përfolur për zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, Tiron Jajaga për zëvendësministër për Mbrojtje, ndërkaq nuk dihet se kush pritet të jetë emri që do të jetë zëvendës i Lupço Nikollovskit në Bujqësi.

Nga partia Alternativa sot njoftuan se me vëmendje janë duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat të cilat i prishin principet mbi të cilat është dashur të mbështetej koalicioni Evropian. “Posaçërisht mënyra me të cilën dikush e nënçmon performancën tonë para 12 muajve për shpëtim të shumicës parlamentare, përzgjedhja e Dimitar Kovaçevski si kryeministër dhe si pasojë e kësaj sigurimi i bisedimeve me BE”.

Ata njoftojnë se qëndrimin final nëse do të qëndrojnë në Qeveri ose jo do ta ndërtojnë në seancën e Kuvendit Qendror që do të mbahet të dielën me fillim në orën 16.00 në selinë partiake në Tetovë.

Kujtojmë se, ASH gjatë javës së fundit ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të Qeverisë, në nivel të grupeve punuese, me qëllim që t’i bashkohet shumicës parlamentare. Grupet e punës finalizuan negociatat të enjten. Ndërkaq, këtyre negociatave i ka paraprirë takimi i 31 janarit mes kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.

Më 24 dhjetor të vitit 2022, Arben Taravari u zgjodh kryetar i Aleancës për Shqiptarët, pasi paraprakisht dha dorëheqje Ziadin Sela, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet për Këshillin e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button