Është fatkeqësi që në shekullin 21 të vdesësh nga sëmundja për të cilën ka ilaç, protestë për vdekjen e Bllagojçe Ilievskit

“Është fatkeqësi që në shekullin 21 kemi ilaç për fibrozë cistike, ndërkaq njerëzit vdesin nga kjo sëmundje. Nuk duhej të vdiste Bllagojçe dhe pastaj gjatë natës të gjenden paratë”, tha Ivana Vasilevska nga Asociacioni për Fibrozë Cistike. Anëtarët e Asociacionit sot u mblodhën përpara Qeverisë dhe me një minutë heshtje nderuan Bllagojçe Ilievskin nga Manastiri, njëri prej anëtarëve më aktiv të tyre i cili vdiq dje, duke e pritur shtetin ta furnizojë ilaçin “Trikafta”, njofton Portalb.mk.

“Nuk ekziston shkelje më e madhe e të drejtave të njeriut se të lejohet që të vdesin njerëzit nga sëmundjet për të cilat ka ilaç“, thonë anëtarët e Asociacionit për Fibrozë Cistike. Asociacioni e kërkon ilaçin prej vitit 2020 dhe vazhdimisht apelon që me urgjencë të miratohet terapia bashkëkohore modualre.

Pas protestës, anëtarët e Asociacionit u takuan me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili u garantoi se janë siguruar mjetet dhe se shteti do të sigurojë ilaçin e nevojshëm.

“Formohet një trup me ekspertë, institucione dhe anëtarë të Asociacionit i cili ka për detyrë deri në fund të javës së ardhshme të përgatitë propozim-ndryshimet e nevojshme për tre ligjet të cilat në të ardhmen shteti më thjeshtë do të furnizojë barna për këto pacientë. Prej sot fillon me punë programi trevjeçar për pacientët me fibrozë cistike me të cilën do të sigurohet parashikueshmëri buxhetore dhe mundësi që të gjithë pacientët në kohë ta marrin terapinë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi që nuk do të tolerojë asnjë arsyetim dhe zvarritje nga kompetentët që i përgatisin ndryshimet ligjore. Asgjë në botë nuk është më e rëndësishme se jeta dhe shëndeti i qytetarëve dhe prej asaj nuk heq dorë”, tha Kovaçevski gjatë takimit.

Paraprakisht Kovaçevski deklaroi sot në mëngjes se ka biseduar me ministrin Sali dhe e ka lutur që të mendojë nëse mund ta vazhdojë mandatin e tij dhe theksoi se vdekja e Bllagojçe Ilievskit është shumë e hershme, ndërkaq është mundur që të bëhet më shumë që t’ia vazhdojnë jetën.

Nga ana tjetër, ministri Bekim Sali, vlerëson se Ministria e Shëndetësisë nuk është njëra prej institucioneve më përgjegjëse për rastin me Bllagojçe Ilievski. I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për shkak të rastit tragjik, Sali tha se nuk vlerëson se Ministria që ai e udhëheqë është institucioni më përgjegjës në këtë situatë, pasi që problemi i mungesës së terapisë për pacientët me fibrozë cistike nuk është në kohë i paraqitur në Qeveri, Ministrinë e Financave dhe Fondin e Shëndetësisë prej të cilëve është kërkuar mbështetje.

Ai plotësoi se sot janë siguruar mjete buxhetore për ilaçin “Trikafta” për tetë pacientë me fibrozë cistike, gjendja e të cilëve është më e rëndë.

“Sot janë siguruar mjete buxhetore për furnizimin e ilaçit “Trikafta”. Bëhet fjalë për mjete buxhetore të dedikuara për Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, gjegjësisht plotësisht 140.000.000 denarë’, kumtoi në FB, Sali.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button