Nuk ka fund ndotja nga OHIS-i, Lindan ka edhe në lumin Vardar para Velesit

Lindan ka edhe në ujërat e lumit Vardar para Velesit, tregojnë hulumtimet e profesorit Trajçe Stafillov nga Instituti i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore. Është evidente ndotja e ujërave nëntokësore nga deponia e vogël dhe e madhe në zonën e OHIS-it, por edhe nga ajo në Pelenicë e cila nuk ka kurrëfarë mbrojtje. Profesori Stafillov thotë se ndikim nuk ka vetëm tek ujërat, por se të ndotura janë edhe toka dhe ajri. Rrezja e ndotjes vetëm mund të supozohet, por me siguri mbulon një sipërfaqe të madhe në afërsi të industrisë kimike të dikurshme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nuk dihen pasojat e deponisë në Pelenicë, e cila ndodhet jashtë oborrit të fabrikës në një vend që për dekada të tëra është përdorur si lokacion për piknik për ekskursione shkollore. Për Stafillovin shqetësuese është sasia e HCH të depozituar, për të cilën mendohet se mund të jetë rreth 40.000 tonë, por pozitive është që ajo sasi është e vendosur në një gropë dhe jo në sipërfaqen e tokës, siç është rasti me dy deponitë në oborrin e OHIS-it.

“Sasia prej 40.000 tonësh është e tmerrshme, ato thjesht i kanë hedhur në gropë, i kanë mbuluar dhe janë harruar. U zbuluan rastësisht pas deklaratave dhe kujtimeve të ish-punonjësve”, thotë Stafillov.

Zgjidhjet për këtë situatë janë të shumta dhe të njëjtat zbatohen edhe në vende të tjera të botës ku ka deponi me kimikate të rrezikshme dhe me sasi shumë më të mëdha se tonat.

“Për mendimin tim Pelenica është më mirë të lihet ashtu siç është, por të mbulohet me një membranë të papërshkueshme nga uji dhe të sigurohet që uji i shiut të mos e tresë Lindanin dhe t’i kontaminojë ujërat nëntokësore, duke e transferuar kështu ndotjen më tej dhe më thellë. Pas një kohe, që sigurisht do të jetë shumë e gjatë, ndoshta do të bëhet vetëpastrim. Sigurisht që më së miri është të gërmohet dhe të shkatërrohet, por ky është edhe varianti më i shtrenjtë”, thotë Stafillov.

Ai konfirmon se ujërat nëntokësore në atë rajon tashmë janë tepër të ndotur, jo vetëm me të gjithë izomerët e HCH, por edhe me kimikalie të tjera toksike, gjegjësisht substanca kimike organike që janë përdorur në OHIS. Ka mundësi për pastrimin e ujërave, por janë projekte shumë të kushtueshme, për të cilat ai nuk beson se do ishin mundësi të zbatueshme.

Sipas analizave të bëra me më shumë shpime dhe nga mostrat e marra për nevojat e studimit që u bë para pastrimit të deponisë së vogël, është vërtetuar prania e HCH dhe kimikalieve të tjera në ujërat nëntokësore që kullojnë në Vardar. Si rezultat i kësaj prani e Lindanit është zbuluar edhe në lumin Vardar para Velesit, thotë Stafilllov.

“Ka apel që të mos përdoren ujërat nëntokësore për vaditje apo pije në të gjitha lagjet përreth OHIS-it. Në kuadër të studimit u morën mostra edhe nga perimet e kultivuara në kopshte, me ç’rast edhe tek ato u zbulua prani e HCH -së”, thotë profesori.

Pak kohë më parë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i publikoi rezultatet e analizave të mostrave të marra në disa pika matëse në atë lokacion, të cilat vërtetojnë se ka një përqendrim të lartë të HCH (Lindanit) në shtresën mbuluese. Në një thellësi më pak se 20 centimetra nën tokë ka mbeturina ndërtimore dhe mbeturina nga fabrika e qelqit, ndërsa në vetëm 50 centimetra mbeturina të pastra të HCH.

Në dokumentin e përgatitur nga ekspertët holandezë është bërë një vlerësim për remedimin e këtij lokaliteti dhe janë propozuar tre opsione. Nga Zyra për POPs thonë se i pari është opsioni minimal, i cili edhe rekomandohet që të kryhet. Me të parashihet mbulimin e Pelenicës, duke përfshirë pendën, për ta parandaluar kontaktin e drejtpërdrejtë me tokën e kontaminuar sipërfaqësore dhe për ta kufizuar depërtimin e ujërave atmosferike në këtë lokacion në të ardhmen. Me të parashihet edhe monitorimi i vazhdueshëm i ujërave nëntokësore të kontaminuara për të përcaktuar kufizimet e mundshme për përdorimin e tyre.

“Ky opsion është zgjedhur për ta parandaluar rrezikun, por jo edhe për ta eliminuar atë. Ka standarde se si kryhen këto operacione, zona e kontaminuar mbulohet me argjil, gjeomembrana dhe gjeotekstile dhe në fund pyllëzohet, ndërsa rreth deponisë hapet një kanal për mbledhjen e derdhjeve, i cili duhet të kontrollohet vazhdimisht”, informojnë nga Zyra e POPs.

Nga ana tjetër edhe opsioni i dytë nënkupton zvogëlimin e rrezikut, por në një masë më të madhe se minimumi, me ç’rast rrëmohen të gjitha mbeturinat, pjesa e poshtme e deponisë shtrohet dhe mbulohet, pastaj mbeturinat përsëri kthehen në të dhe mbulohen në të njëjtën mënyrë si në opsionin e parë. Opsioni i fundit, maksimal, paraqet zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe parasheh eliminimin e mbeturinave toksike duke i gërmuar dhe dërguar ato për shkatërrim.

Ndikimi i lindanit dhe izomerëve të tij ndaj mjedisit jetësor dhe shëndetit të njeriut është i madh. Nga Shoqata Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit Lindani klasifikohet në grupin 1 të substancave kancerogjene me dëshmi të mjaftueshme se shkakton limfomën non-Hodgkin.

Është një kemikalie rezistente që në mjedisin jetësor nuk shpërbëhet për një periudhë të gjatë kohore. Meqenëse është një substancë e avullueshme, ajo shpërndahet nga toka e kontaminuar dhe gjithashtu e gjejmë edhe në grimcat PM.

Ekspozimi ndaj Lindanit mund të bëhet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose përmes thithjes së ajrit të kontaminuar me Lindan. Ekspozimi kronik (afatgjatë) ndaj Lindanit përmes inhalimit tek njerëzit është shoqëruar me çrregullime të mëlçisë dhe gjakut, si dhe me çrregullime të sistemit nervor, atij kardiovaskular, imunologjik dhe riprodhues.

Lindani u përfshi në Konventën e Stokholmit në vitin 2009 kur u klasifikua në grupin A, si substancë që duhet eliminuar dhe që nuk duhet të prodhohet më. Maqedonia e nënshkroi konventën më 23 maj të vitit 2001 dhe më 19 mars të vitit 2004 u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button