Analizë: Çfarë (nuk) realizoi Bilall Kasami për një vit në krye të Komunës së Tetovës
Bilall Kasami, sot zyrtarisht mbush një vit që nga marrja e mandatit si kryetar i Komunës së Tetovës. Ai gjatë fushatës bëri shumë premtime se do ta përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve të Tetovës dhe do të menaxhojë komunën më mirë se paraardhësja e tij dhe kundër-kandidatja, Teuta Arifi. Portalb.mk ju sjell një pasqyrë të asaj se çfarë u punua e çfarë jo për problemet më të mëdha në këtë komunë, gjatë këtij një viti.
Disa nga problemet më të mëdha dhe zotimet e Kasamit para se të merrte këtë funksion ishin: përmirësimi i kaosit në trafik, menaxhimi më i mirë i ambientit (mbeturina, ajri), transparenca dhe llogaridhënia, lirimi i hapësirave publike, sjellja e planit gjeneral urbanistik për qytetin, furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë, moslejimi i ndërtimeve pa leje, përmirësimi i kushteve në Kodrën e Diellit, qentë endacak, kanalizimet, rinia dhe shumë të tjera.
-
Pastërtia në qytet, ajri dhe menaxhimi me mbeturina
Kasami, me të ardhur në krye të komunës, vizitën e parë e pati tek Inspektorati Komunal nga ku premtoi se do të bëhet plan i detajuar edhe me kapacitetet që ka inspektorati, por edhe me sektorin civil do të ulen do të bëjnë strategji se si më së miri të reagojnë në kohë për të ndërprerë të gjitha keqpërdorimet që bëhen edhe me ndotësit por edhe me aspektet tjera. Ndërkaq, pamjet në terren tregojnë se ndotja ndaj mjedisit dhe menaxhimi me mbeturina mbeten pika kritike. Vetëm së fundmi, Komuna e Tetovës më 14 tetor ka nënshkruar kontratë me një kompani private për sistem sigurie, e cila përmes kamerave do të mbikëqyr pikat më kritike ku qytetarët hedhin mbeturina dhe për t’u marrë masa më tej.
Si shembull pa përkujdesje mund të merret Skate parku dhe Parku i Gruas, ndër të vetmit në qytet të cilët vazhdimisht janë plot mbeturina dhe pa mirëmbajtjen e duhur.
Në këtë drejtim, komuna ka pasur disa aktivitete simbolike ekologjike vetëdijësuse si dhe pastrim të disa mini–deponive, por të pamjaftueshme për të zgjidhur problemin. Problem vazhdon të mbetet edhe numri i vogël i të punësuarve në NPK të angazhuar në pjesën e pastërtisë së qytetit.
Gjatë kësaj periudhe qyteti u pajis me pesëmbëdhjetë kontejnerë gjysmë-nëntokësor si dhe njëqind kontejnerëve donacion nga Turqia, por pamjet nga tereni thonë se sasia e mbeturinave që hedhin qytetarët tejkalon kapacitetin e kontejnerëve aktual dhe se duhen të merren më shumë masa.
Problem mbetet edhe ndotja e ajrit, e cila më kritike është gjatë dimrit. Në janar Komuna e Tetovës theksoi se kjo kërkon zgjidhje më afatgjate dhe se atëherë nuk kishin plan aksional të veçantë, pasi ishin në fazën e parë. Ndërkaq, një plan i tillë, deri më tani nuk është prezantuar para opinionit.
Ndërkaq, në mars Komuna e Tetovës përmes projektit “EU for clean air” (BE-ja për ajër të pastër) u bë përfituese të grantit prej dhjetë milion euro, ku ky projekt ka për qëllim përmirësimin e ajrit përmes disa masave si përmirësimi i sistemit të ngrohjes në Institucionet publike në Komunën e Tetovës, mbjellja e pemëve në qytet si dhe vendosja e matësve mobil të ndotjes për të ofruar ajër më të pastër për një mjedis më të shëndetshëm.
Aktualisht Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. I njëjti nuk ka edhe kuadër të mjaftueshëm, inspektorë të ambientit jetësor janë vetëm pesë. Ne aplikacionin “E-report” qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri mbetet jofunksional, edhe përkundër asaj se Kasami ka deklaruar se do të rregullohet.
Autoritetet nuk bëjnë inspektime dhe kontrolle të shpeshta në terren si masë parandaluese ndaj hedhjes së materialeve të renda. Sipas inspektoratit në vitin 2021 për një vit janë kryer 100 kontrolle, ndërsa për tre mujorin e parë të vitit 2022 janë kryer 60 kontrolle.
-
Uji
Tetova dhe tetovarët thuaj se çdo javë kanë probleme sa u përket defekteve që paraqiten në rrjetin e ujësjellësit, kjo mund të shihet më së miri nën njoftimet për restrikcione dhe të ngjajshme në faqen e Facebookut të NPK-së, njoftime të cilat janë shumë të shpeshta.
Kasami premtoi se gjatë pranverës do të riparohej i gjithë rrjeti i ujit që problemi të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, por praktika deri më tani tregon se problemi nuk është zgjidhur në tërësi deri më tani.
Problem tjetër mbeten një pjesë e gypave të rrjetit të ujësjellësit të Tetovës që përmbajnë fibra të azbestit, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Komuna në muajin mars për rindërtimin e të gjithë sistemit thanë se është projekt kompleks për të cilin do të fokusohen në të ardhmen, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete. Ndërkaq diçka e tillë deri më tani nuk është prezantuar para publikut.
Problemi mbetet i pazgjidhur në tërësi, qytetarët ende ballafaqohen me problem të ndryshme për sa i përket ujit. Projektin e ujësjellësit, Kasami e ka quajtur të realizuar pa asnjë standard.
-
Kaosi në trafik
Problemi me kaosin në trafik ende nuk është zgjidhur i gjithi. Komuna në këtë drejtim ka marrë disa aktivitete parandaluese si ajo në bashkëpunim me policinë për aksionet për rregullimin e komunikacionit në pjesët qendrore të qytetit, ku nuk lejohen veturat të parkohen ilegalisht, por në praktikë kjo nuk implementohet siç duhet, pasi sipas Komunës, nuk kanë bashkëpunim të mirë me SPB Tetovë.
Me 12 Janar, Komuna njoftoi se është diskutuar që të punohet në drejtim të disa pikave, që kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë me më pak investime, si për shembull: Udhëkryqi me qarkullim rrethor në hyrje të Tetovës nga Shkupi, unaza afër monopolit të Tetovës në bul.V.S.Bato, rruga afër Gjyqit të Tetovës, hapja e qasjes për rrugën e spitalit në udhëkryqin me bul.Ilindenit, rregullimi i hyrje/ daljeve në spitalin klinik të Tetovës, depërtimi i rrugës te kazerma dhe ndërtimi i unazës në udhëkryqin me rrugën regjionale për Jazhincë, ndërtimi i unazës në udhëkryqin e bul.V.S.Bato me rr.M.P.Derralla, hapja e një korsie për kthim majtas për USHT-Bërvenicë në bul.V.S.Bato, rregullimi i udhëkryqit te Tetovarja me semafor, zgjidhja e komunikacionit afër shkollës së vjetër medicinale. Por, shumica e këtyre pikave zbatim në praktikë nuk ka gjetur ende.
Në këtë drejtim, me 20 janar filloi zbatimi rregullores për disa rrugë njëkahëshe, konkretisht rrugët: “Probishtipska”, “Nikolla Tesla”, “L.B Pish”, rrugët prej tek “Eski Xhamia” deri te shkolla “Bratstvo – Migjeni”.
Gjithashtu, me 9 shkurt, komuna filloi kufizimin kohor gjatë ditës për shkarkim-ngarkim të mallrave në pjesët qendrore të qytetit, por edhe këtu ka automjete të cilat nuk e respektojnë këtë kufizim.
Në këtë drejtim, shpëtim shihet hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” ku fillimet për të njëjtin filluan në muajin maj, u premtua se do të jetë gati në muajt shtator-tetor, por e njëjta nuk ka mbaruar ende.
Transporti publik, i cili filloi në muajin maj ashtu siç duhej, ndonëse shihej si shpëtim në këtë drejtim, I njëjti u lëshua në funksion por edhe aty hasen vështirësi dhe bllokim në komunikacion si rezultat I pengesave tjera në komunikacion.
Ndërkaq së fundmi, këshilli komunal solli vendim që shërbimi i merimangës të mund t’i merr veturat e parkuara keq pa urdhër të policisë, veprim ky i ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të kaosit që shkaktohet nga veturat e parkuara keq.
-
Parkingjet
Një nga premtimet parazgjedhore të kryetarit aktual ishte që parkingu do të jetë pa pagesë deri sa të krijohen vend-parkime të mjaftueshme për të gjithë qytetarët. Ky premtim i Kasamit u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme. Parkingjet jo që nuk qëndruan pa pagesë deri në zgjidhjen e problemit, madje çmimi i tyre u vendos të rritet.
Në janar të këtij viti, Komuna shpalosi planin për krijimin e parkingjeve të reja për këtë vit. Ky plan parashihte 3.090 vende të reja parkimi edhe atë (zonale 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890). Ky plan ishte i ndarë në pesë faza. Në tre- mujorin e parë, plani nuk u realizua siç u premtua. As në tre-mujorin e dytë plani nuk u realizua sipas premtimit. Edhe në tre-mujorin e tretë parkingjet nuk u realizuan sipas planifikimit. Në këtë periudhë është bërë zgjerimi i parkingut zonal, që nuk nënkupton vende të reja parkimi, si dhe po punohet për disa parkingje të mbyllura. Parkingje dhe garazhe në kate nuk ka ende.
-
Infrastruktura rrugore
Për sa i përket rrugëve, Kasami nuk arriti që gjatë vitit të parë të bëjë sanimin apo shtrimin me asfalt të të gjitha atyre, pasi thuajse çdo e dyta rrugë është me gropa dhe në gjendje të mjerueshme. Bulevardi Bllagoja Toska ishte premtim se deri në shtator-tetor do të jetë gati, por nuk ka përfunduar ende.
Gjatë kësaj periudhe, u bë shtrimi me asfalt i disa rrugëve, si “Strasho Pinxhur”, “Sami Frashëri”, Rruga “194”, rruga në “f.Saraqinë”.
Ndërkaq në disa rrugë tjera në mungesë të mjeteve për sanim të tërësishëm, janë mbuluar vetëm gropat. Por, shumë rrugë mbeten ende të shkatërruara.
-
Plani gjeneral urbanistik (PGJU)
Në periudhën parazgjedhore Kasami premtoi se planin gjeneral urbanistik do ta miratojnë menjëherë, në gjashtë mujorin e parë dhe pastaj do të vazhdohet me planet detale urbanistike dhe kjo nuk do ti kushtojë Komunës së Tetovës më shumë se 1.8 milion euro. Por, kjo deri tani nuk është bërë.
Në dhjetor të vitit të kaluar Komuna shpalli thirrjen për formim të organit pjesëmarrës në procesin e planifikimit urban, ndërsa në janar pati takim për planin gjeneral urbanistik. Por, deri tani nuk ka njoftim se deri në çfarë faze është kjo pikë.
-
Legalizimet dhe ndërtimet pa leje
Sa u përket ndërtimeve pa leje dhe legalizimeve Kasami gjatë periudhës parazgjedhore u zotua se fillimisht do të bëjnë një komision për evidentimin e të gjitha ndërtimeve pa leje dhe në gjashtë mujorin e parë do të legalizojnë gjitha ata që janë në kuadër të planit urbanistik.
Pas themelimit të komisionit për urbanizëm i cili përbëhet nga 14 anëtarë, në muajin korrik, sipas komunës nga muaji janar e deri në muajin korrik janë përpunuar mbi 3.500 lëndë të ngelura nga viti 2011. Prej të cilave të përfunduara me aktvendime për miratim të legalizimeve janë gjithsej 159 lëndë, 338 lëndë janë për në procesim në Këshillin e Komunës së Tetovës , 97 lëndë janë të refuzuara për shkak të mos përputhshmërisë ligjore dhe dokumentacionit të lëndës, 344 lëndë janë për pagesë, 417 lëndë janë për terren, -2152 lëndë kanë mungesë të dokumentacionit. Ndërsa, 67 aktvendime të plotfuqishme të përfunduara shumë më herët, ishin mbajtur nëpër sirtarë dhe nuk u janë dorëzuar qytetarëve.
Ndërkaq së fundmi, në Kodrën e Diellit vazhdoi prishja e ndërtimeve pa leje. Mirëpo, sipas situatës në terren, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
-
Qentë endacak
Problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit. Marrëveshja e Komunës së Tetovës me “Amos Pet”, shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Ndërsa qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.
Komuna e Tetovës ende nuk ka krijuar plan aksional të ri, përpos kontratës ekzistuese me AMOS PET, pasi aq ishin paraparë mjete nga buxheti i kaluar.
Zgjidhja shihet te strehimorja rajonale për trajtimin e qenve endacakë të komunave të rajonit të Pollogut, e cila pritet të ndërtohet në Komunën e Vrapçishtit.
-
Kanalizimet
Investimet joadekuate në kanalizimet atmosferike dhe fekale sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit ishin një nga arsyet kryesore për dëmet e shkaktuara te qytetarët nga vërshimet e fundit në Tetovë. Për këtë, ai në qershor premtoi se në të ardhmen do të punojnë në vazhdimësi që kanalizimet të pastrohen dhe mos të shkaktojnë dëme te qytetarët.
Ndërkaq lidhur me masat preventive të ndërmarra për mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve të ujërave atmosferik dhe fekal, Komuna e Tetovës gjatë muajit qershor ka bërë intervenim në planin e veprimit, duke e plotësuar prokurimin publik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanalizimeve e të pusetave.
Komuna e Tetovës me 12 gusht ka përzgjedhur kompaninë Higjiena Pro Grup Tooel eksport-import për pastrimin e pusetave.
Para dy javëve, në pjesët qendrore të qytetit u bë deratizimin e pusetave në rrjetin e kanalizimit.
Ndërsa pas asaj nuk ka pasur vërshime apo rrëshaje të dendura shiu për të parë nëse ky veprim ka kontribuuar në zgjidhjen e problemit.
Kur jemi te reshjet, para disa ditëve në Shipkovicë u bë inspektimi I punimeve për ndërtimin e shtratit të përroit për mbrojtje nga vërshimet, i cili realizohet me përkrahje nga Ambasada e Zvicrës dhe me implementues të UNDP-së, ndërsa është hartuar nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Ndërsa me përkrahje nga BE-ja, në fshatin Falisht të Tetovës do të ndërtohet stacioni i filtrimit për ujërat e zeza, por datë konkrete nuk ka ende.
-
Transparenca
Për sa i përket transparencës, të gjitha seancat e këshillit deri tani janë transmetuar drejtpërdrejt në faqen e Komunës në Facebook.
Komuna deri tani ka publikuar emrat e kontratave në vepër për vitin 2021, për tre mujorin e parë të vitit, tre-mujorin e dytë si dhe tre-mujorin e tretë. Por, komuna mban sekret emrat e të punësuarve në Komunë përmes Agjencisë private.
Ndërkaq sa i përket transparencës në pyetjet gazetareske ndaj Portalb.mk, Komuna në të shumtën e rasteve ka dhënë informatat e kërkuara. Por, disa herë, sidomos këto dy muajt e fundit (shembull: këtu, këtu, këtu dhe disa raste të tjera) është treguar jotransparente duke mos u përgjigjur në to. Ndërkaq në rastin e fundit shkeli edhe Ligjin për Informata me karakter publik për sa i përket borxhit të Komunës.
Në ueb-faqen e komunës ka ende mangësi të cilat duhet të përmirësohen, si për shembull, lista e të punësuarve e cila duhet të përditësohet pasi ka ndryshime, si dhe informata të tjera.
-
Lirimi i hapësirave publike
Uzurpatorët e hapësirave publike në Tetovë gjenden gjithandej. Problemi vazhdon të mbetet i pranishëm në shumë pjesë të qytetit. Ndërkaq në këtë drejtim, Komuna ka ndërmarrë disa aktivitete për lirimin e disa hapësirave, kryesisht në pjesët qendrore të qytetit, si te Tregu i Gjelbër, vendosja e shtyllave në trotuare për të bllokuar parkimin në to, lirimi i hapësirave të uzurpuara në “Reçicë të Vogël” dhe në “Teqe, në rrugën “K.R.Drnc“, lirimi i zonës së uzurpuar si parking përballë shkollës “Liria” si dhe përreth kompleksit “Saranda” si dhe aktivitete tjera të ngjashme. Gjithashtu ka pasur shpallje publike për vendosjen e tarracave para lokaleve.
Problem mbeten shitësit tjerë ambulant që gjenden në pjesë tjera të qytetit si dhe uzurpimi i hapësirave publike apo vendosja e bllokatorëve për parkingje të rezervuara nga shitësit e lokaleve përgjatë rrugëve. Për të cilat nuk është gjetur zgjidhje afatgjate ende.
-
Kodra e Diellit
Kryetari i Komunës në janar të këtij viti tha se do të marrin përgjegjësinë që gjatë vitit 2022 të krijojnë planin detal urbanistik për tu ndërprerë ndërtimet pa leje për këtë zonë, por e njëjta nuk është prezantuar deri më tani.
Komuna ende nuk ka ndërtuar parkingje në këtë zonë që për tu bërë e njëjta duhet fillimisht të miratohet plani detal urbanistik. Menaxhimi me mbeturinat ende lë shumë për të dëshiruar, si dhe të njëjtat nuk mblidhen rregullisht. Gjithashtu infrastruktura në lagjen e vikend shtëpizave nuk është përmirësuar gjatë kësaj periudhe.
-
Stadiumi i qytetit
Një nga premtimet e kryetarit të komunës për këtë vit ishte edhe stadiumi i qytetit i cili me vite pret rikonstruimin. Kasami njoftoi se brenda vitit 2022 do të fillojë rikonstruimi i tij, por deri në këtë moment, situata në terren ngelet e pandryshuar, shpesh aty krijohen edhe mini-deponi.
-
Rinia
Aktivitetet për sa u përket të rinjve vazhdojnë të lënë për të dëshiruar. Sipas një hulumtimi të publikuar në Portalb.mk, përfshirja e të rinjve tetovarë në vendimmarrje mbetet e pakënaqshme. Gjatë këtij viti, Komuna shpalli konkurs për përkrahje financiare për programe dhe projekte nga kultura, arsimi, sporti dhe mbrojta sociale në interes të qytetit të Tetovës. Ndërsa përmes ndihmës së BE-së në plan është të hapet edhe Europe House.
Ndërkaq, nisma për themelimin e Këshillit Rinor Lokal herën e parë (qershor 2022) dështoi, ndërsa Komuna shpalli thirrje për herë të dytë (tetor 2022), ndërkaq afatin e të njëjtës e vazhdoi përsëri me 31 tetor. Gjatë kësaj periudhe filluan punimet për përgatitjen dhe zgjerimin e fushës së sportit në SHFK ,,Istikball” në fshatin Gajre si dhe disa rikonstruime nëpër shkolla. Gjatë Verës Kulturore Tetovare, u organizuan edhe netët për të rinjtë.
Së fundmi, aktual dhe i pazgjidhur mbetet kontesti në mes Komunës së Tetovës dhe Hapësirës Socio Kulturore për objektin te ish “Radio Tetova”, ku komuna kërkon të merr atë objekt, përkundër memorandumit i cili vlen deri në vitin 2024.
-
Borxhi i Komunës së Tetovës
Kasami me të ardhur në krye të komunës, nëntorin e vitit të kaluar bëri publik borxhin e Komunës i cili ishte mbi 24 milion euro (së bashku me shkollat dhe ndërmarrjet publike). Ndërkaq vetëm dje ai njoftoi se ky borxh është zvogëluar për rreth një milion euro, ku komuna së bashku me shkollat dhe ndërmarrjen e parkingjeve kanë ulur borxhin, por NPK “Tetova” ka rritur atë për 425 mijë euro. Borxhi aktual i Komunës së Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike është 23.404.377 euro. Shkollat nuk kanë borxhe të mbetura sipas raportit të prezantuar dje.
Portalb.mk ka kërkuar raportin për borxhin para dy muajsh përmes Ligjit për qasje në informata të karakterit publik, por komuna duke shkelur dispozitat ligjore nuk u përgjigj në të njëjtën. Shkurtimisht nga komuna na njoftuan se kryetari i komunës se do të del me një konferencë për shtyp për të njëjtat e cila ndodhi dy muaj me vonesë. Ndërsa Kasami dje i pyetur për këtë nga Portalb.mk tha se kjo “është një situatë ku kërkojnë mirëkuptim të opinionit, është situatë e komplikuar ku duhet që informatat të cilat prezantohen të jenë të besueshme, prandaj nuk mundet të prezantojmë informata në atë kohë në të cilën kërkohen.” Si dhe janë në komunikim me organizata ndërkombëtare, për të pasur një prezantim të përditshëm të financave të komunës, borxhit dhe të gjithë kondicionit tjetër financiar që të mos vijë në situata të tilla.
Portalb.mk realizoi edhe një anketë me qytetarët për atë se si e vlerësojnë punën e Kasamit për udhëheqjen me Komunën e Tetovës në këtë një vjetor.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme, disa vlerësojnë se nuk është punuar në këtë periudhë, disa të tjerë thonë se është punuar por ende ka shumë punë për t’u bërë, ndërsa disa të tjerë shprehen të kënaqur.
Anketën mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.
Kujtojmë që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Bilall Kasami mori 21,591 vota, apo mbi pesë mijë vota më shumë se kundër-kandidatja e tij, Teuta Arifi e cila mori 16,542 vota.
Përndryshe, programin zgjedhor me të cilin Kasami fitoi zgjedhjet për udhëheqjen me Tetovën për periudhën 2021-2025 e gjeni KËTU.